Pyetjet (imagjinare) të Ambasadorëve gjatë Konferencës së sotme në Tiranë

Pyetjet (imagjinare) të Ambasadorëve gjatë Konferencës së sotme në Tiranë

Nga Ilda Zhulali - 26/08/2024

Ambasadori në SHBA:

Cili është qëndrimi ynë për aferën McGonigal? A është e vërtetë që cështja është nën hetim edhe në Tiranë?

Si mund t’u përgjigjemi ankesave të dhomës amerikane të tregtisë që pretendon se Shqipëria vuan nga korrupsioni i përhapur, konkurrenca e shtrembëruar dhe mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore.

Po raportit të DASH 2024 që thotë se: “…investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, përfshirë atë në sektorin publik, gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri.

Emigrimi i fuqisë punëtore të re dhe të kualifikuar ka krijuar mungesa të fuqisë punëtore që ndikojnë në perspektivat e investimeve…….Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët raportojnë se ata mund të jenë objektiv i zhvatjes nga administrata publike, media dhe grupet kriminale…

Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, me investitorët që raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar që vonojnë dhe parandalojnë investimet në Shqipëri. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.

Analiza e dobët dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare me entitete publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar.”

Pyetje e Ambasadorit në BE:

Cfarë po bëhet për zhbllokimin e fondeve IPARD për bujqësinë pas skemës korruptive që zbuloi OLAF? A u morrën mbrapsht paratë që iu ishin dhënë miqve të qeverisë në vend që t’u jepeshin bujqve?

Si po shkon gjyqi ndaj ish-koordinatorit të fondeve IPA, Ilir Beqja, pasi na duhet të raportojmë për masat që janë marrë sepse BE kërkon përditësimin e statistikave? Përse ndryshoi përsëri koordinatorja e fondeve IPA?

Po belgëve si t’ua shpjegojmë këto të dhënat e aplikacionit sky ecc që nxjerr zbuluar bashkëpunimin e rrjeteve kriminale me qeverinë, policinë, prokurorinë, gjykatat?

Ish-zëvendëskryeministri që azilon në Zvicër, ju ka akuzuar për korrupsion dhe se e keni kërcënuar disa herë edhe me të burgosur për ta vrarë. Si t’i justifikojmë akuzat e tij?

Meqë kolegu nga Amerika përmendi PPP, si t’i justifikojmë 132 milion eurot që janë paguar për incineratorin inekzistent të Tiranës, pasi ju i dhatë pikët bonus asaj kompanisë që nuk ishte regjistruar fare, dhe pasi kryetari i bashkisë fshehu studimin e IFC dhe firmosi pa vendim të Këshillit Bashkiak angazhimin për të paguar paratë, sic ia kishte përgatitur vetë kompania që do të bënte djegësin?

Dhe meqënëse BE e ka shumë për zemër luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, a e keni llogaritur sa ka shkuar numri ose përqindja e bashkëpunëtorëve dhe administratës tuaj që janë kapur në korrupsion dhe krim deri tani? A parashikoni që ky numër të rritet edhe më shumë vitin e ardhshëm meqë kemi dhe zgjedhje?

E di që po e teproj, por për kuriozitet të sallës, a u bënë gati projektet strategjike dhe reformat që do të ndërmerren për të përfituar nga fondet e rritjes ekonomike të BE?

Kemi raportuar që në fillim të vitit ju do të dorëzonit të gjithë paketën e ligjeve të përkthyer në anglisht duke përdorur inteligjencën artificiale. Kur do ta dorëzojmë si përfundim?

Pasi ndryshuat ligjin për forcimin e rolit të Komisionit të Integrimit dhe të Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian vitin e kaluar, përse u ngrit një komision tjetër parlamentar që do të merret me reformat që lidhen me integrimin?

Pyetje nga Ambasadori në Kosovë:

Fillimisht, doja të qartësohesha nëse kemi hequr dorë nga ai projekti i Ballkanit të Hapur. Sepse kemi këmbëngulur që qe i suksesshëm, dhe pastaj u duk sikur u mbyll pa dhënë asnjë sqarim si u tërhoqët ashtu papritur. Pra, të mos e kritikojmë më qeverinë e Kosovës që refuzoi të përfshihej aty?

Ju akuzojnë për marrëdhënie të ftohta me Kosovën. A keni në plan ndonjë skenë si ajo që i mbyllni sytë nga pas Kryeministrit Kurti? Se ajo skena ku qendruat në karrige ndërkohë që Kurti rrinte në këmbë sikur ju bën dëm.

A do të bëjmë përsëri si ato mbledhjet e përbashkëta, me ato skenografitë e bukura?

A kemi në plan për të zgjeruar rrugën Rrëshen-Milot, apo e teprojmë me një tarifë të tretë për ata që shkojnë e vijnë nga Kosova në Tiranë?

Në fakt, do të kishte qenë mirë të kishim dhe një zyrtar të lartë të Kosovës në konferencë që të na fliste hapur për këto skenarët e mundshëm që përfliten, si ai i Banjskës. Apo mendoni që nuk duhet të përfshihemi në këto gjëra.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco