Një javë 'normale' në Shqipërinë e rilindur

Një javë 'normale' në Shqipërinë e rilindur

Nga Erion Dasho - 26/08/2024

1.
Java që po mbyllet nisi me skandalin e zbuluar nga avokati dhe veprimtari i njohur social, Altin Goxhaj. Një video amatore tregoi Altinin për më shumë se gjysmë ore duke debatuar me një ekip të Bashkisë Tiranë që kryente dezinsektimin e rrugëve në kushte të papranueshme teknike dhe më pas me policinë e shtetit që refuzonte të sekuestronte ato që avokati me profesionizëm i etiketoi si "provë e krimit".

Vetë avokati ka hapur çështje penale duke paditur Bashkinë për dëmtim të shëndetit të qytetarëve nëpërmjet ekspozimit ndaj lëndëve të dyshuara helmuese.
Rezultati?!

Ndonëse ndjek rregullisht shume medie shqiptare të të gjithë krahëve, në asnjë prej tyre nuk kam parë të shtjellohet më tej ky skandal që në çdo vend europian do të kishte rrezikuar seriozisht karrigen e kryetarit të bashkisë përkatëse.

2.
Vrasjet, vetëvrasjet dhe plagosjet vazhduan me një intensitet të denjë për Far West-in amerikan. Policë, banditë, partnerë, qytetarë, fermerë dhe çdo përkëmbim i mundshëm i sa më lart mbush faqet e kronikës së zezë.
Media i gjuan veçanërisht këto lajme (padyshim publiku i lexon dhe i pëlqen), madje i dedikon "hetimit" të një plagosje për motive të dobëta shumë më tepër burime gazetareske se çështjes së ngritur nga avokati Goxhaj.

3.
Një ndër skandalet më të mëdhenj të muajve të fundit, anija që bën xhiron e botës duke u refuzuar në çdo port, po mundohet të banalizohet nga media e shitur.
Në vend që të dalin përgjegjësitë direkt të prodhuesit dhe transportuesit të mbetjeve të dyshuara toksike dhe përgjegjësitë indirekte (por ndoshta edhe direkte) të organeve zyrtare, faji po mundohet t'i kalohet paradoksalisht opozitës!!!
Portali famëkeq "Tema" në një editorial të djeshëm shpikte deri edhe lidhje inekzistente midis një drejtuesi të opozitës dhe një punonjësi të firmës Kurum, në përpjekje të dukshme për të devijuar bisedën dhe, rrjedhimisht, edhe përgjegjësinë.

4.
Gazetari i mirënjohur Osman Stafa botoi një investigim që i vetëm mjafton të dërgojë për ndjekje penale drejtuesit e QSUT-së dhe ata të Ministrisë së Shëndetësisë. Z. Stafa sjell fakte sipas të cilëve të sëmurëve me tumor u jepet në muaj vetëm një e treta e sasisë së një kimiopreparati, praktikisht duke i dënuar ata me vdekje.
Ky skandal që duhej të kishte alarmuar shoqatat e pacientëve, Urdhërin e Mjekut dhe çdo media, kaloi vetëm me reagime të vakëta në rrjetet sociale.

***
Java "normale" e shqiptarëve nën regjimin e rilindjes është e ngjashme me javën që po lëmë pas. Ajo është e mbushur me hajdutëri, grabitje, banditizëm, trafiqe ilegale nën mburojën e shtetit dhe vrasje të qytetarëve herë me doras shtetin (si në rastin e pacientëve të onkologjikut) dhe herë me doras krimin.
E keqja më e madhe është se këto skandale harrohen pasi kalojnë disa ditë nga ngjarja, qytetari mësohet me të keqen, bëhet apatik!
Protesta duket sikur ka vdekur në këtë vend, ç'ka bën që banditët e rilindjes në pushtet të vazhdojnë të pashqetësuar krimet e tyre të njëpasnjëshme.
Deri kur??!!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco