Si është Shqipëria sot? Bash siç e do Mafia

Si është Shqipëria sot? Bash siç e do Mafia

Nga Basir Çollaku - 24/08/2024

"Kur ti t'i bësh masë arresti atij mikut tënd, atëherë do t'i bëj unë këtij që më kërkon ti." - Ai kërkuesi urdhërues nuk foli më. Heshti dhe iku në zyrën e vet. Kjo është një replikë e shkurtër në SPAK mes dy prokurorësh.

Ndërsa një ndërkombëtar duke dëgjuar kryeministrin u shpreh diku: "Aq shpesh i përmend Edi Rama disa koncensione të mëdha e investime miliardash, sa na lë përshtypjen se i ka të vetat..."

Ky është thelbi i përplasjeve sipas klaneve. Skaneri asaj çka ndodh thuajse përditë në zyrat e akuzës e gjykatave e vendimmarrjes.

Pleh qeveria, eunuk drejtësia. Mpleksjet janë sajuar si krushqi penale.

Inceneratorët vijojnë të diktojnë veprime qeverie dhe drejtësie. Mbetjet toksike janë një lajm botëror për një vend ku ligjin e bëjnë plehërishtet e çdo lloji.

Rrezikshmëria është ekstreme. Dyshimet shkojnë për lëndë radioaktive. Ligj për mbetjet është rikthyer siç bën dhe do Ndrangheta. Eco Tirana është dosje treguese. Gjysma në Itali e arrestuar, sekuestruar e dënuar. Në Tiranë e amnistuar.

Përgjimet

Keqbërja është kthyer në përditshmëri. Krimi është organizuar duke kontrolluar terren e pushtet Drejtësia është rrudhur. Nisi keq. U emëruan me qoka politike të gjithë. Bënë nderet e para borxhlinjve. Pastaj nisën të punojnë për vete. Me këdo. U përzien. Policë, prokurorë, gjykatës, biznesmenë, qeveritarë, deputetë, bashkiakë, gazetarë. Nuk mungojnë edhe opozitarë.

Jo pak subjekte prokurorë e gjyqtarë paguan deri në 1 milionë euro komisionerëve për të ndenjur në detyrë. Shuma të përafërta për drejtorë policie. Në disa raste financimet vinin nga grupet kriminale. Ose nga fitimet për vendime në favor të tyre. Ata ishin dhe janë pjesë dominuese e shtabeve elektorale të mazhorancës Me qeveritarët qendrorë e lokalë marrin punë publike. Janë nëpër dosje të paprekur e të padënuar. Prej më tepër se katër vitesh. Shikoni. Ka kulla si kërpudhat. Investime strategjike. Miliarda euro pastrohen me dijeni dhe lejen e palëve. Të dy pushteteve, ekzekutiv e gjyqësor.

Përgjimet janë me emra. Nga Kryeministri te ministrat. Njerëzit e drejtësisë janë inkriminuar keqas. Disa prej tyre prej kohësh duhej të ishin të pandehur. Në qeli. Rama dhe qeveritarët e dinë kush janë prokurorë e gjyqtarë nëpër dosje. Janë mëkate të bëra bashkë. Dinë sekretet e njëri-tjetrit. Po mbrojnë njëri tjetrin. Ata qëndrojnë bashkë. Duhet të japin llogari në ikje bashkë. Para kujt?!?!

Një drejtësie të pastruar nga vetvetja. Pa veshë të shkulur ambasadash.

Dhe kur pyet pas këtyre katrahurave, si është Shqipëria sot?

Nuk mundesh të japësh përgjigje tjetër veç asaj fatkeqes se .. bash siç e do Mafia, hasmi...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco