Operacioni ishte i suksesshëm, pacienti vdiq

Operacioni ishte i suksesshëm, pacienti vdiq

Nga Ylli Manjani - 18/08/2024

E vërteta është që vettingu ishte operacion i thellë dhe largoi goxha tumor nga sistemi.

Është gjithashtu e vërtetë që bashkë me tumorin, ky operacion largoi edhe inde të shëndetshme të organeve vitale të sistemit. U larguan pa asnjë motiv bindës, kushtetues jo e jo, gjykatës e prokurorë që nuk ishin tumori i sistemit.

Kjo e ka dëmtuar shumë sistemin dhe besueshmërinë e vettingut e të reformës.

Ç'është më e keqja fare, operacioni i vetting ka lënë në sistem me vendim të formës së prerë ende qeliza metastatike nga tumori i vjetër. Këto qeliza janë të pangopshme deri sa të saturohen e të bëhen tumor i madh sa ai që hoqëm. (Ka drejtësi por është pak e shtrenjtë - tha dikush).

Pra ku vajtëm?

Hiçgjëkundi.

Ç'reformë bëmë?

Një vërrë në ujë.

Sa iu nxihet jeta njerëzve kot për të pritur pafundësisht për një vendim.

***

Jam, pa asnjë dyshim, i mendimit se ligjet e administrimit të sistemit duhen riparë sa më shpejt.

I duhet hapur rruga rivitalizimit të tij. Ka dosje pa fund që presin të gjykohen. Njerëz në rradha të gjata dhe në kundërgarë edhe me jetën që presin....

Gjykatësit e prokurorët që u larguan nga detyra pa iu vlerësuar pasuria sipas kriterit kushtetues të dyfishit të pasurisë, duhen rikthyer në detyrë.

Duhet vendosur në zbatim një kriter i dakordësuar në Kushtetutë, në fund të fundit. Përse kasapët e operacionit të vettingut qenkan mbi Kushtetutën?!

Sistemit i duhen burime njerëzore jo deklarata politike e populiste. As ëndrralla aleatësh, ambasadorësh apo ekspertësht pa emër.

As shkolla e magistraturës nuk i plotëson dot nevojat emergjente të sistemit për njerëz. Jo vetëm në numër burimesh njerëzore, por edhe në përvojën jetësore e profesionale. Drejtësia ka nevojë shumë për këtë të fundit.

Më në fund, siç edhe e pamë, a u luftua korrupsioni apo u thellua pas vetting-ut?! Edhe raportet e shtetit të ambasadorëve "reformatorë" thonë se korrupsioni u shtua!!!

Ja pra që duhet terapi tjetër dhe jo ndërhyrje kasapësh politikë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco