Shqipëria në shitje për blerje influencash pushteti

Shqipëria në shitje për blerje influencash pushteti

Nga Agim Nesho - 18/08/2024

Zgjedhjet e përsëritura në Himarë, të parregullta nga ana ligjore, duket se kanë ulur retorikën nga Greqia, për më tepër kanë anashkaluar edhe qëndrimin e kryeministrit Mitsotakis që mbështesim ‘një çështje parimore dhe vlerash europiane’. Sot ka edhe diplomatë të cilët kërkojnë të propozojnë kthesën që duhet të bëjë Greqia sepse ‘nuk humbi minoriteti grek, por vetë marrëdhëniet midis dy vendeve’.

Frika se mos humbasin çdo gjë, duke përfshirë edhe premtimet favorizuese të Ramës për detin, shtyn mendimin për të pasur një politikë pragmatiste, jashtë parimeve dhe vlerave, duke pranuar që me narkoshtetin e Ramës të vendoset një ‘stekë atletike’ ku nga korrupsioni dhe klientelizmi olimpik i Ramës mund të fitohet çdo gjë. Është e njëjta filozofi që Washington Post ditët e fundit deklaron për regjimin e Ramës:- …’qeveria e tij (Ramës) për një kohë të gjatë shihet nga autoritetet perëndimore e rrënuar nga korrupsioni, dhe i shikon investimet e huaja si një mjet për të rritur kredibilitetin e saj.’ Pra me një fjalë të përfitojmë çdo gjë nga kjo situatë, pa prishur interesat e autokratit Rama.

Përpjekje të tilla për të krijuar një afrim me regjimin e korruptuar dhe klientelist të Ramës, tregon që këta individë largpamës nuk kanë kuptuar asgjë nga politikat nacionaliste të Ramës ndaj Greqisë, retorikës së tij, pse i duhen ato në momente të caktuara dhe pse Rama mund ti përdorë prapë ato në justifikim të interesave të regjimit, të shtytjes që mund të vijnë nga mentorët e tij apo projekteve anti-europiane me Vuçiç, ku ai është zhytur me kokë dhe nuk mund të shkëputet prej tyre.

Por çfarë ishte për Ramën beteja për Himarën?

Himara për Ramën ishte cështje nderi dhe interesi. Ai e kuptoi vonë që po e humbiste Himarën me Belerin dhe shkoi drejt një skenari ekstrem që do të ishte në afatgjatë kundër interesave të pushtetit të tij. Rama si piktor dhe mësues vizatimi ishte i dedikuar ti jepte Shqipërisë ngjyrë, zbukurime dhe të realizonte të vetmen gjë që i dukej sikur kuptonte, turizmin. Ai e kishte ndarë Shqipërinë në parcela të veçanta dhe së bashku me oligarkët e tij kërkonin të kontrollonin çdo investim, gjë që do të mundësonte mbajtjen e pushtetit të tij sa më gjatë.

Ai sigurisht nuk binte dakord me ‘cinikun’ Arben Ahmetaj, i cili thoshte për të se ‘falte çdo gjë duke ngrënë qofte në ballkon’. Për Ramën, ‘ky popull idiot’ do ta merrte vesh më vonë se kush kishte luajtur lojën: kishin fituar arabët, që i shërbenin si fasadë, apo Rama me të tijtë. Ai po përgatit investimet në Zvërnec, por të tijtë po blejnë pronat. Sa për Sazanin, ai u tregua ‘politikisht zemërmirë’ për të fituar zemrën e një Presidenti, që ai e kishte cilësuar si ‘turpi i civilizimit’, por në fakt ishte përdorur keq nga kundërshtarët që i kishin premtuar përkrahje. Himara është margaritari i kurorës së rivierës Shqiptare dhe atë do ta menaxhonte vetë.

Ai e kishte kuptuar mirë që blerja e influencës së huaj me pronat në turizëm ishte thembra e Akilit për të përjetësuar pushtetin e tij dhe ta bënte atë të paprekshëm, dhe pse jo të siguronte edhe 3-4 mandate të tjera ‘se nuk kishte kush ta zëvendësonte’.

Por Himara për Ramën ishte edhe çështje nderi dhe respekti ndaj aktorëve ndërkombëtare, të cilët e perceptonin gjithmonë si basketbollisti që nuk i ndan atletet e tij edhe në takimet më të rëndësishme ndërkombëtare, që vizatonte zyrën e tij kur populli i tij më shumë se gjysma ishte nën nivelin e të ardhurave jetësore, që ngrinte kulla dhe grataçela për të huajt se populli i tij po linte vendin me dëshpërim. Ai ishte sot personifikimi i klientelizmit dhe shërbëtorit për ta kthyer vendin e tij në një gropë septike dhe bombë sociale duke u vetë-ofruar për të mbledhur emigrantë nga e gjithë bota që vinin në Europë, të depozitonte armët kimike siriane dhe çdo gjë tjetër që mund të kërkonin në këmbim të mbylljes së syve ndaj ngritjes së një pushteti diktatorial në Shqipëri.

Ai donte të ishte aktor por realiteti nuk ja mundësonte. Ai mbeti një ushtar-jeniçer për Erdoganin për të luftuar Feto-n dhe rritur influencën neo-otomane në Shqipëri; një vasal i plotë i serbëve që e përdori keq Vuçiç për projektet e tij serbo-ruse për dominimin ballkanik; një balil këmishëzi që Meloni i kontrollon pelenat nën brekushet e zeza duke e detyruar të përtypë deklaratat e tij se ‘nuk do të lejonte që Shqipëria të kthehet në një kamp refugjatësh për vendet e tjera’.

Por Greqisë nuk do ti lejonte të luante me interesat e tij. Për më tepër që grekëve u kishte dhënë çdo gjë. Ishte i pari që kishte dalë pro shtrirjes me 12 milje det territorial dhe ishte gati të afronte çdo mundësi që Greqia të përfitonte nga zonat ekonomike ekskluzive pa menduar për interesat e Shqipërisë, vendosi menjëherë që çështja e detit të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pa menduar për pasojat, etj.

Por nga grekët kishte parë një neglizhim total për aftësitë e tij. Ai nuk mund të harronte mënyrën habitëse dhe përçmuese të grekëve kur u vetë-ofrua për të qenë një farë negociatori në konfliktin Greqi-Turqi. Ai nuk mund të harronte që grekët nuk i dhanë asgjë nga kërkesat e palës Shqiptare për të normalizuar marrëdhëniet dhe zgjidhur problemet (Kotzias – Bushati), por e lanë vetëm me mundësinë për të rishqyrtuar ligjin absurd të luftës, që për vetë grekët ishte qesharak.

Por shumë naivë në Shqipëri, duke përjashtuar patronazhistët që janë shtuar si kërpudhat pas shiut, besuan se beteja për Himarën ishte një çështje patriotike për Ramën. Por ata harruan që Rama vetëm me një artikull në Financial Times, i bëri peshqesh Serbisë mijëra metra katror tokë Shqiptare, duke e quajtur veriun e Kosovës ‘tokë e askujt’, duke ngritur monumentin e Mitsotakis në Dropull, duke vënë Ministrin e Mbrojtjes një shtetas grek apo vënë si kandidat të tij në Himarë një minoritar të besuarin e tij. Patriotizmi mbetet pronë e liderit dhe jo eunukëve që ai i shkel me këmbë.

Gjithë beteja për Himarën ishte vetëm një betejë për interesat e tij. Por nuk keni parë gjë akoma. Por a do lejojë populli Shqiptar që ky regjim i krimbur korruptiv të shkatërrojë më tej interesat e Shqipërisë? Zgjidhja është e qartë: mosbindje civile, qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme të monitoruara dhe rikthim i pluralizmit politik në vend.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco