A të bie më lirë ‘të bësh sikur...’?

A të bie më lirë ‘të bësh sikur...’?

Nga Gent Strazimiri - 17/08/2024

Ti nuk më njeh, nuk jemi takuar kurrë sepse asgjë nuk na lidh bashkë.
Pavarësisht kësaj, unë di thuajse gjithçka për ty... ma ke treguar ti vetë!

Më del herë pas here në rrjete sociale me foto në plazhe ekskluzive, në avion duke shkuar për atje, në cepa rrugësh të qyteteve evropiane ku po admiron një vepër arti, një këmbanare kishe apo një skulpturë të famshme.

Po prej teje di se në cilën palestër apo "gym" shkon rregullisht për të ruajtur linjat, cilin bar a restorant "ekskluziv" viziton rregullisht apo në cilin pub të "Bllokut" a të bregut, nuk mungon në fundjavë duke ndjekur muzikë live.

Nganjëherë, ti publikon me krenari edhe fotot nga shtëpia e gjysëm e rrënuar e gjyshërve e që sot banohet nga xhaxhallarët më pak fatlumë në fshatin nga ke origjinën e ku, ta besoj që, mbushesh me mall e nostalgji.

Do të kisha dashur të të shpjegoja me zemër në dorë që nuk ta kam me të keq, sikur ti t'i lexoje këto radhë, po ti nuk lexon.

Librin që mban në plazh, mes kofshëve të depiluara në qendrën estetike të preferuar në "Bllok", nën çadrën ku nuk mungon një gotë koktejli me një fetë portokalli a një qershi brenda... ne e dimë të dy se përse e publikon...

Mbase edhe ke dëshirë vërtetë të lexosh, mbase edhe ke lexuar dikur por, sot ti nuk ke kohë të lexosh edhe sikur të duash...

Nëse ti do të lexoje, vendin e postimeve me foto plot filtra në rrjetet sociale, do ta zinte realiteti pa filtra në të cilin jeton vërtetë.

Do ta zinte revolta për sakrificat e panevojëshme me të cilat siguron mbijetesën në një realitet pa rregulla, ku të gjithë mezi mbijetojnë e të gjithë "bëjnë sikur...".
Do ta zinte reagimi ndaj cfilitjes fizike e shpirtërore, depersonalizimit, që ti bën sikur nuk ekziston por, që e përjeton prej cilitdo që ke mbi kokë gjatë ditës së punës që nuk mbaron kurrë e, që në fund ajo ç'ka paguhesh nuk të mjafton as për qera, ushqim e sapun... jo më për jetë "mondane"...

Vetëm kaq do të bëje, jo atë që bëjnë studentët në Bangladesh, madje as atë që po bën e vetme një motër në Pogradec, përballë mafies me emër e mbiemër që e njohin të gjithë por, që askush nuk guxon t'i përmendë.

Por ti ke vendosur të bësh si të gjithë... "të bësh sikur..."!

Të bësh sikur nuk e vuan varfërinë, arbitraritetin, krimin e rrugaçërinë që e ke në çdo cep të rrugës, në çdo ambient "parellinjsh" që frekuenton, madje më shumë se kudo, në zyrat e shtetit...
Të bësh sikur e nesërmja që duket edhe më e zezë, edhe më e pashpresë edhe më e fëlliqur se e sotmja nuk të prek, nuk të përket...
Të bësh sikur yt atë, jot ëmë, vëllezërit a motrat, xhaxhallarët a dajat e tezet që rropaten njësoj si ti, për të mbijetuar atje në fshatin a provincën nga ti vjen, nuk janë problemi i yt.

Ti ke vendosur të bësh sikur askush nuk e di që jeta që publikon, është thjesht një "njoftim" se je disponibël, se e ke pazarin e lartë e se kushton shumë...
Ti kujton se duke "bërë sikur...", të bie më lirë, ashtu sikurse kujton se "kushton" dhe "vlen" është e njëjta gjë...

T'i bashkohesh armatës së madhe të indiferentëve "kryeqytetas", "çun blloku" a "gocë blloku" të atyre që mbajnë frymën me byrek e dhallë e bëjnë sikur tani e kanë në terezi... ke zgjedhur modelin më rural e banal të mundshëm tek i cili identifikohet pikërisht ajo që ti përpiqesh me aq mund të fshehësh...

Ke zgjedhur të jesh njësoj si ata ruralë e provincialë që sapo kanë dalë "me sukses" nga fëlliqësia e banaliteti i një "reality show", dhe ky është budallallëku më i madh që bën.

Është një krim që bën ndaj vetvetes, e që e paguan me monedhën më të shtrenjtë të mundëshme: me jetën tënde, asaj që e thua edhe vetë se "ke vetëm një"...
Është sigurisht më kollaj por, më beso, nuk të bie më lirë, përkundrazi!

E paguan shumë më shtrenjtë nga ç'e kishe imagjinuar ndonjëherë... si çdo gjë të kollajshme...

Do ta kuptosh, kur as filtrat në foto të mos të të bëjnë më punë, e kur ajo që sot është e dhimbshme, megjithëse "e hareshme", nesër, përveçse e dhimbshme do të jetë edhe... thjesht qesharake...

Bëj diçka sot, mos e prit atë ditë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco