Çdo të ndodhë me ndotjen e ajrit në Elbasan?

Çdo të ndodhë me ndotjen e ajrit në Elbasan?

Nga Edlira Pajenga - 16/08/2024

Në këtë udhëtim tranzicioni, sfidat ambientale kanë qënë të dukshme dhe si pasojë kërkojnë një angazhim vetmohues për të mundësuar ekuilibrimin e tyre me ekonominë dhe shoqërinë. Mungesa e të kuptuarit empatik ka bërë që shumë prej tyre të mos marrin asnjë zgjidhje megjithë arritjet e mëparshme, duke pranuar t’i rezistojmë ndryshimeve për të përdorur pushtetin jo për të marrë vendime racionale por duke racionalizuar vendimet që tashmë kemi marrë. 

Metalurgjiku u ndërtua mes viteve 60’ dhe 70’, me një sipërfaqe prej 160 hektarësh rreth 4 kilometër larg nga qyteti, e mbështetur kryesisht në teknologji sovjetike dhe kineze. Kjo lloj teknologjie nuk përmbushte standardet e mbrotjes së mjedisit, duke shkatërruar mjedisin dhe kërcënuar shëndetin e banorëve. 

Ideja egoiste e ngritjes së aktiviteteve industriale në të njëjtin vend pa vlerësimin e duhur të ndikimit në mjedis ka ofruar një shije të ëmbël dhe të hidhur njëkohësisht në komunitetin që jeton aty dhe në rrethinat e tij. Një re gri qëndron gati gjithmonë mbi kokat e banorëve dhe ajri në qytet mbetet i rëndë. Ndotja industriale përcakton cilësinë e jetës së banorëve sidomos të Balldrenit, Vidhasit, bashkë me zonën e Bradasheshit, këto fshatra numërojnë një numër të lartë banorësh që bashkëjetojnë me ndotjen. 

Përmbajtja e grimcave PM 2.5 dhe PM 10 në ajrin urban rezulton mesatarisht 1.5-2 herë mbi normat e lejuara në vendet e BE, por nuk janë vetëm këto ndotës. Ekspozimi ndaj këtyre grimcave është i lidhur drejtpërdrejt me problemet shëndetësore. 

Banorët vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet neurologjike, por dhe rritja e incidencës tësëmundjeve në rrugët e frymëmarrjes si bronshitet kronike, astma dhe sidomos sëmundjet tumorale të evidentuara nga vizitat në qëndrat spitalore. 

Aktivitetet industriale vazhdojnë të jenë burimet kryesore të ndotjes me metale të rënda, që njihen si karcinogjene, si Mn, Pb, Cr, Zn, Cu, Cd, Ni, Co, As, etj. Në sajë të aftësisë së tyre për të mos u degraduar dhe rezistencës së lartë që kanë akumulohen dhe qëndrojnë për një kohë të gjatë në tokë, me vite të tëra.

Dëshpëruese dhe shokuese të mendosh se banorët përvecse thithin ajër të ndotur, por këta ndotës akumulohen në tokën e punueshme dhe rrjedhimisht në bimët e organizmat shtazorë, në përqëndrime gjithnjë e më të larta sipas zinxhirit ushqimor. Procesi vazhdon edhe më tej duke kontaminuar ujrat nëntokësorë që shërbejnë si burim i ujit të pijshëm por edhe për funksione të tjera vitale ekonomike e shoqërore.

Kimikatet e braktisura apo të vendosura në fuçi që rrjedhin janë një rrezik i madh për ujërat nëntokësore. Kur ne të ndërgjegjësohemi mbi dëmin e bërë, përllogaritja e kostove të pastrimit do jetë e papërballueshme.

A mendojmë për qytetarët kur nuk zbatojmë lejen mjedisore e cila i detyron kompanitë të instalojnë impiante për kapjen dhe trajtimin e ujërave teknologjike dhe vendos një sërë parametrash për shkarkimet e lëngëta në mjedis. A i shërbejmë qytetarëve kuraktivitetet nuk monitorohen, kur legjislacioni shqipëtar i cili përcakton objektiva konkrete për reduktimin e emetimeve në ajër, të cilat synojnë të arrijnë parandalimin dhe reduktimin ambicioz të emetimeve, veçanërisht përmes përdorimit të të ashtuquajturave Teknikat më të Mira të Mundshme (TMM), nuk zbatohen?

Me gjithë fokusin në një tranzicion energjitik mbarëbotëror, në qytetin e Elbasanit ora ka ngelur prapa. 
 

Do ishte më e lehtë nëse do zgjidheshin profesionistë më të përkushtuar dhe me përvojë të cilët do sillnin më shumë ndryshime dhe më shumë sukses. Planet mbi ruajtjen e nivelit standart të gazeve ndotës por edhe për mbetjet e ngurta dhe të lëngta zbatohen duke frenuar mungesën e autoritetit ligjor si dhe duke mbështetur stafin e karrierës.

Kjo nënkupton transformin real të Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit me një rol të fuqishëm në shoqërinë shqiptare që nga detyrimi i aktiviteteve industriale e transportit rrugor kontribues në reduktimin e smogut dhe pse jo te kontrolli i përdorimit të pesticideve si dhe reduktimi i gazeve serrë nga aktivitetet industriale dhe makinat duke krijuar mundësi për heqjen graduale të makinave me djegje të brëndshme e subvencionimin drejt përdorimit të modeleve elektrike e cila do ndikonte në krijimin e një mjedisi pa ndotje dhe një popullate më të shëndetshme jo vetëm në zonat urbane por edhe rurale.  

A duhet të bëjmë vazhdimisht, të njëjtat gabime, përsëri e përsëri, duke shfaqur skepticizëm të thellë ndaj rregullimit mjedisor dhe forcimit të strukturave rregullatore pa standarte të rrepta dhe objektiva, ndërkohë që qytetari vuan pasojat e këtij mosveprimi?

Siç ka thënë Abraham Lincoln, sistemi qeverisës duhet t’i drejtohet popullit dhe t’i shërbejë popullit. Por, qytetarët elbasanas nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse të jetojnë nën tymin ndotës karcerogjen dhe duke parë mjedisin të masakrohet në mënyrë të pakthyeshme.

A ka dëshmi më flagrante të mospërfilljes së tyre sesa ngritja e inceneratorit, me teknologji të vjetër, me nivele 4-6 herë më të larta të ndotjes së ajrit dhe me hiret kancerogjene nga djegja, të cilat në vend që të izolohen, një pjesë derdhen pranë lumit Shkumbin dhe një pjesë shpërndahen në landfill?

Dhe si përfundim; çdo të ndodhë me ndotjen në Elbasan?- është një pyetje që duhet t’i jepet përgjigje.

Do bashkëjetojmë me të siç bashkëjetojmë me korrupsionin, siç bashkëjetojmë me mungesën e efiçensës së ekonomisë, me rënien drastike të Arsimit, me efiçensën rastësore të Shëndetësisë, me emigrimin masiv...?

Prof. Asoc Edlira Pajenga është profesore pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Elbasanit “A.Xhuvani”

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco