Protesta e Thumanës dhe mësimi që duhet të marrë Rama nga etërit e tij

Protesta e Thumanës dhe mësimi që duhet të marrë Rama nga etërit e tij

Nga Dritan Sallaku - 15/08/2024

Protesta e Thumanës që po zhvillohet në këto javë ekstremisht të nxehta të korrik & gushtit, është kryesisht protestë e banorëve të më shumë se 40 fshatrave, të cilat janë pjesë të njësive administrative të Bashkisë Krujë, e konkretisht të: Thumanës, Fushë Krujës, Niklës dhe Bubqit.

Arsyeja kryesore e protestës është përjashtimi që qeveria u ka bërë banorëve të këtyre zonave nga mundësia për të përdorur rrugën e re; “Thumanë-Kashar”.

Në të nesërmen e inagurimit të kësaj rruge, akoma pa u shuajtur mirë hareja dhe festa propagandistike e qeverisë, u përshfaq përjashtimi, pamundësimi dhe izolimi i banorëve në përdorimin e saj.

Në të gjithë botën dhe në të gjitha kohërat, arsyeja e ndërtimit të rrugëve, qoftë edhe atyre të ndërtuara nga pushtuesit, ka qenë lidhja, përfshirja dhe potencimi i zhvillimit të zonave e komuniteteve që ajo lidhte, ndërsa në këtë vendin tonë, në mendësinë e kësaj qeverie, ndërtimi i tyre ka synime nga me të ndryshmet, por vetëm lidhjen dhe përfshirjen e njerëzve jo!

Hapja dhe vënia në përdorim e kësaj rruge, tregoi se Qeveria, me frotën e saj të eunukëve dhe hanëmeve, ishte kujdesur të “llastonte” vetëm koncesionarin dhe nuk kishte menduar asgjë, që rruga të gëzonte, të mbështeste dhe të begatonte,  banorët dhe zonat përmes të cilave ajo kalon, por edhe të zonave e banorëve përtej tyre.

Pasojat dhe efektet e këtij bllokimi, e këtij izolimi, po shfaqën çdo ditë dhe në çdo aktivitet jetësor të banorëve të këtyre zonave.Çdo ditë ata janë më të larguar nga toka dhe më të demotivuar për punën.Bizneset, shërbimet dhe prodhimet e tyre po kërcënohen nga falimentimi dhe bashkë me to mundi, djersa, kursimet dhe sakrifica e shumë e shumë viteve!

Në mënyrë aspak të rastësishme dhe tërësisht abuzuese, segmenti Thumanë-Kashar bashkohet me segmentin  Thumanë-Milot, pjesë e autostradës publike Tiranë-Shkodër që s’mbahet mend kur ka filluar dhe që kjo qeveri s’ka asnjë ndërmendje ta mbarojë. Tashmë qytetarët e Kurbinit, Lezhës, Shkodrës, Mirditës e Kukësit për të hyrë/dalë në Tiranë apo Durrës duhet ti shtojnë biletës së tyre edhe tarifën e koncesionarit. A do jetë bileta 2.1€, 2.5€,2.7€..?, të presim pazarin e radhës së qeverisë me koncesionarin! Pika Qeverisë!

Përtej akuzave të abuzimit,shpërdorimit, mungesës së transparencës, korrupsionit që gëlojnë në opinionin publik për këtë projekt, i papranueshëm e i pështirë është injorimi që qeveria u bën banorëve protestues me shurdhërinë dhe me mos komunikimin e saj. Në vend që të dialogojë dhe të gjejë zgjidhje, qeveria me cinizëm, me arrogacë, me provokim, por njëherazi dhe me frikë “kujdeset” që ndaj protestuesve të ndërsejë trupat policore, në numër dukshëm shproporcional me numrin e protestuesve.

Banorët, kërkesën dhe zemërimin e drejtë të tyre e kanë shprehur përmes protestave, të cilat deri më sot janë organizuar e zhvilluar në mënyrë shumë civile. (Autori i këtij shënimi i ka parë me sytë e tij  protestuesit të ndanin bidonin e ujit me policët). Ata u detyruan të tubuohen në protestë, pasi zëri i tyre nuk u dëgjua e nuk u përfill, pikërisht nga ata që paguhen për t’i qeverisur!

Për ç’farë kjo qeveri nuk denjon të komunikojë  e të dialogojë me banorët? Nuk ka kohë? Nuk i pëlqen veshja e protestuesve?; Nuk i pëlqejnë portretet e protestuesve?; Nuk i pëlqen inteligjenca e tyre; Nuk i pëlqen krahina dhe dialekti i tyre? Por qeveria, përveç se e ka detyrim ligjor të dialogojë e të konsultohet me publikun për të tilla projekte, ajo është “Betuar” dhe ka kërkuar ndihmën e Zotit që të punojë për të mirën dhe begatinë e popullit të saj.

Sjellja e kësisojshme e qeverisë ndaj popullit të vet, e përcakton atë si Qeveria që nuk duhet dhe Qeveria që nuk meritojmë!

Përgjegjshmëria, raporti i drejtë me ligjin dhe betimin për interesin më të mirë të t’qeverisurve janë tipare të qeverive të sojshme. Qeveritë e mira dhe të sojshme nuk mund të dalin kurrë nga oligarkët dhe sojsëzët, por vetëm nga populli dhe vetëm atëherë ato: Punojnë Për popullin dhe Qeverisin Me popullin!

Për zgjidhjen e këtij halli që ka zënë banorët, e udhës është që qeveria të ulet një orë e më parë e të realizojë kërkesat e tyre. Ajo menjëherë duhet të heqë dorë nga sporva e nervave dhe aq më pak e muskujve me popullin. Historia, e hershme dhe e vonë, gjithmonë ka treguar se në kësi sprovash, populli ka qenë kurdoherë Fitimtar. Më të fundit që e kanë provuar këtë të vërtetë të saj, janë parardhësit e qeveritarëve të sotëm!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco