Qytetarë të pambrojtur përballë horrave të pushtetit!

Qytetarë të pambrojtur përballë horrave të pushtetit!

Nga Erion Dasho - 15/08/2024

Dje, lexova një deklaratë të motrës së Egli Progës. Së bashku me dhimbjen dhe zotimin për vendosjen e drejtësisë, motra shprehej edhe se "nuk dëshiron të politizohet vdekja e tij".

Duken respektuar dhimbjen e një prej njerëzve më të afërt të Eglit, duke u lutur për të ndjerin dhe duke uruar e shpresuar në vendosjen e drejtësisë, mendoj se ky qëndrim nuk është i drejtë.

E kam dëgjuar frazën, "të mos politizohet problemi" shumë herë dhe pothuajse në çdo rast e kam gjykuar atë të gabuar.

Së pari, sepse krimet që ndodhin në Shqipëri, përfshi krimin që kulmoi me vrasjen e Egli Progës, janë në thelb krime politike!

Po, po! Krime politike!

Personat që janë akuzuar për vrasjen e Progës, janë përshkruar si të fortët e një qyteti që nuk është njohur ndonjëherë për këtë lloj force. Ata akuzohen se u është hapur shtegu për të vendosur gjoba e bërë të fortin pikërisht nga lidhjet politike, nga qenia patronazhistë.

Së dyti, krimi politik ndaj Egli Progës nuk është i veçuar. Krimet politike në Shqipërinë e rilindjes janë një ndodhi e vazhdueshme.

A mund të thotë kush se vrasja e Arditit nuk ishte krim politik? A mund të thotë kush se vrasjet me pagesë që ua kanë kaluar edhe filmave me fantazi të shfrenuar të Hollivudit, nuk janë krime politike?!

Po vjedhjet dhe grabitjet? Incineratorët, koncesionet e shëndetësisë, koncesionet e rrugëve, porti i Durrësit, Teatri, trafiku i drogës, etj., a nuk janë krime politike?! Po 20,000 vrasjet e qytetarëve gjatë pandemisë, a nuk janë krime politike?!

Të gjithë këto krime i bashkon si një fill i tmerrshëm frymëzimi dhe mbështetja që politika kriminale e rilindësve u jep ministrave të vet gllabërues, drejtorëve të vet hajdutë, patronazhistëve të vet të babëzitur dhe kriminelëve të vet grabitës votash.

Për këtë arsye të gjithë këto janë krime politike.

Së fundi, qytetarët duhet të kuptojnë se mbrojtësi i tyre më i fortë përballë abuzivitetit dhe agresivitetit të pushtetit është opozita. Kur opozita kalon në pushtet, rolet ndërrohen. Kjo është ligjësia e demokracisë.

Opozita sigurisht e sulmon pushtetin me synimin për ta diskretituar, për të provuar gabimet, fajet dhe krimet e tij dhe, në fund, për ta mundur atë në zgjedhje. A punon opozita për interesin e vet? Sigurisht që po! Vetëm se paralelisht ajo punon edhe për interesin e publikut dhe ky është një shërbim i paçmuar, i pazëvendësueshëm.

Kauzat shoqërore, mbrojtësit e të cilave kanë refuzuar me forcë politikën, janë shuar të parat. Sepse duhet investim social i jashtëzakonshëm për të mbajtur gjallë një kauzë për muaj e vite të tërë. E vetmja që e ka kapitalin njerëzor dhe politik të gatshëm është opozita politike.

***

Shqiptarët duhet ta mbajnë mend tronditjen që i kanë dhënë qeverisë protestat e studentëve. Janë të vetmet ndaj të cilave qeveria ka reaguar në panik, madje është tërhequr dhe ka bërë lëshime jo pak të rëndësishme.

Shprehja e preferuar e Boratit dhe boratëve gjatë këtyre protestave ka qënë, "të mos politizohen" ato.

Sepse Borati e di mirë!

Ishin studentët që sollën pluralizmin politik! Ishin studentët që përmbysën shtatoren e babait shpirtëror të tij, kryekriminelit Hoxha! Janë sërish studentët që do të kenë një rol kyç edhe në përmbysjen e bijve hajdutë e kriminelë të etërve gjakësorë.

Le ta lëmë opozitën të bëjë punën e vet dhe ta mbështetim kur ofron shërbimin e saj si avokate e të drejtave të njerëzve të thjeshtë. Të atyre që po të lihen të vetëm përballë pushtetit, mund të thyhen prej tij si fije kashte.

Duke patur në krah opozitën, motra e Eglit do të ketë gjithmonë garancinë se dikush do ta përmendë vëllanë e saj të ndjerë, se dikush do të flasë nesër nëse gjyqi nuk do të zhvillohet i drejtë dhe i ndershëm, ose, së paku, se asaj vetë do t'i ofrohet një mikrofon për t'ju dëgjuar fjala!

Vetëm nëpërmjet aleancës së natyrshme midis qytetarëve dhe opozitarëve, vjen dita kur kokoroçët, hajdutët dhe kriminelët e pushtetit nisin të japin llogari për zullumet e bëra.

Për Boratin dhe rilindësit kjo kohë ka kaluar prej vitesh! Për ta është tashmë koha e llogaridhënies...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco