'Çeçenët' e PS dhe ata të Rilindjes

'Çeçenët' e PS dhe ata të Rilindjes

Nga Alfred Lela - 14/08/2024

Dy medalje bronzi të marra nga ekipi shqiptar në Lojërat Olimpike të Parisit janë kthyer në një rast tjetër të artë për narrativën publike të qeverisë.

Edi Rama, ashtu si mbreti Mida u paraqit si ai që e kthen në ar çdo gjë që prek. Ashtu si me Europianin e parë dhe të dytin të Kombëtares, në një përrallë të dalë nga mjerimi, kryeministri është i pari në radhë për të lidhur edhe arritjet më modeste me erën e re të qeverisjes së tij.

Ky sukses modest, më poshtë edhe se Kosova, një shtet fringo i ri, jo vetëm që nuk është i politikave qeverisëse, por më shumë se kaq shpjegon mungesat e tyre.

Rama, ministrat e tij dhe kryebashkiaku i Tiranës kanë qenë më së pari të interesuar që çdo sukses të sportistëve shqiptarë ta kalojnë poshtë dafinave qeveritare. Gjithë interesimi i qeverisë për sportistët me performancë kombëtare apo ndërkombëtare, ka nisur dhe është mbyllur me një photo opp (një foto publiciteti).

Edhe një nismë ‘shpërblyese’ për sportistët fitues medaljesh, Rama e mori në imitim të modelit grek, duke ofruar grada ushtarake. Kësisoj, Rama i ktheu sportistët e paktë me rekorde të Shqipërisë në vartës të tij, në vitrinë politike, në mjet propagande.

Në një lëvizje djallëzore ai arriti t’i kontrollojë dy herë: së pari duke i parakaluar në kamera si shtojca propagande qeveritare, dhe së dyti duke i futur në rresht.

Pikërisht ata djem dhe vajza që kanë si qëlllim karriere të arrijnë të parët, KM i zhvendosi në vend të dytë. Në fillim mbërrin ai vetë, ai është rekordmeni.

Ky tundim i thellë për të kthyer në propagandë çdo gjë që ndodh në Shqipëri, na ka shërbyer edhe një paradoks: dy sportistë çeçenë/rusë janë kolonelë të ushtrisë shqiptare, një vendi të NATO-s.

Duhet vetëm të lutemi që të mos dalin dylqinjat e tij dhe të na thonë se Edi, perveç sukseseve të tjera, arriti edhe më të paimagjinueshmin: anëtarësoi Rusinë në NATO!

Këto janë, sigurisht, asgjë më shumë se simbolika, por nuk ka gjë më të rrezikshme se një qeveri që shqetësohet më shumë për lustrat e simbolikes se sa për politikat e rritjes së vendit.

Fakti që dëgjojmë prej një viti më shumë për numrin e artë 10 milion turistë, dhe asgje për tunxhin e realitetit të industrisë së turizmit në Shqipëri, është një rast i freskët i kësaj filozofie.

Por e majta shqiptare, që nga “vullnetarët e Enverit” dhe deri tek ata të Edit (patronazhistët), projekton te lustra e së tashmes edhe ndryshkun moral të së shkuarës.

Kur i dëgjon sot të kthyer në filoçeçenë, të kujtohet fobia e tyre e dikurshme për “çeçenët”.

Më saktë, bashkatdhetarët e tyre nga veriu i Shqipërisë, të ngulitur në periferitë e Tiranës, kryesisht në zonën përreth Kamzës. Emri denigrues për këta ‘atletë të lëvizjes së lirë’ në vendin e tyre, ishte pikërisht ai qe sot lavdojne. Në këtë term, “çeçenët”, paketohehsin dy kundërshtarë politikë. Njëri i brendshëm, kryetari i opozitës anti-komuniste (më vonë presidenti Sali Berisha), dhe një i jashtëm, populli i krahinës së Ceçenisë që, në vitet ’90, ne luftën për pavarësi u bë një kundërshtar i rreptë i Rusisë.

Për të majtën e Tiranës, e lindur nga jugosllavizmi dhe ushqyer nga stalinizmi, kundërshtarët e Rusisë nuk mund të meritonin veçse një emër pezhorativ. Kështu termi çeçen u bë një mjet përbuzjeje për të shpjeguar, jo vetëm rivendikimin e brendshëm pas rënies së kastes komuniste, por edhe nostalgjinë post-sovjetike në planin e jashtëm.

Sot termi “çeçen” është sheqerosur, nga nevoja e të kompleksuarit për të lustruar për veten një vend në kronikën e ditës.

Historia nuk ka rëndësi.   

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco