Lajmi i fundit

LIVE/ Mblidhet forumi për të ardhmen e Shqipërisë, organizata 'Albanian Policy Center'

As vetë Edi Rama nuk di nga i vijnë paret!

As vetë Edi Rama nuk di nga i vijnë paret!

Nga Ndriçim Kulla - 12/08/2024

Projekti i kullave në Shqipëri është egoja e një ëndrre të madhe, që ndoshta do të plotësojë boshllëkun e krijimit të tij artistik, që nuk e shkrepi dot kurrë. Kullat e Tiranës, të cilat po ndërtohen në terr dhe mister, për të cilat nuk u përfol kurrë në publik, tashmë që po mbijnë një nga një si kërpudhat mbas shiut, po na japin pamjen e plotë të një projekti të errët të dizenjuar nga një mendje edhe më e errët.

T’mos ishte nëna, mediton kryeministri ynë, në çaste stepjeje para një kompleksi kullash si projekt katërdimensional, do të isha bërë vërtet piktor i madh. Tani s’di ç’jam! Homles? Edhe mundet. Jam vesh e mbath si në katakombet e Parisit. Kostumi shik, dhuratë nga një grua që s’di nga erdhi, këpucët i kam blerë në Milano me paret që mua rastësisht më gjenden nëpër xhepa (duket është kryevepër e ndihmësve të mi të shkëlqyer dhe miqëve oligarkë!). Se pikturat e mia nuk shiten. (zgërdhihet.) Pastaj, unë nuk shes piktura. As unë nuk di më nga më vijnë paret! Hapur fare. 

Më hapur se kaq nuk flitet. Mirëpo në raste të tilla gjyqtarët nuk ta quajnë dëshmi! Sos se jam një Karavaxhio. Unë nuk jam as Kazanova i grave të pikturuara në kanavacat e blera shtrenjtë, se nuk i bëj dot pikturat ndryshe. Këmishët, një duzinë i pata dhuratë nga Berlini (ule zërin), vetëm për gazin që shkaktova me liderët evropianë. E quajnë marre, u vjen turp, u skuqen faqet e u meket zëri. Ta dinin këtë mbrapshti s’kishin për të më pranuar. E kisha keq me ca prej tyre, por gratë më përpinin, të dëlirat e vonuara! Po, unë e bëra atë gastrole, i pikturova të qeshurat e tyre, po edhe mekjen, shtirjen, gjithçka! A jam artist? I një vendi që as 1.4 milionë s’i kanë mbetur, por ne bëjmë shaka dhe themi 1,4 milionë që i takojnë 80 deputetë dhe jo 140. Kjo duhej bërë. Zot, kam harruar! E kujt i duhen aq?...

Kryeministri qesh me mahi, nën pamjen ala Ismail Qemal, me një dukje prej dashnori klasik të operave evropiane. Në zyrë mungon një fener antik. Mungon vërtet, po megjithatë s’ndjehet. Ai pikturon natë e ditë nëpër zyra. Mbi tryezën e gjatë pamjet katërdimensionale të kullave. Një ëndërr kaq e gjatë. 

Ai pah i ndritshëm dhe ajo terratisje e imtë që krijohet mbi ato pamje e ngacmojnë thellë, shpikur nga përsosmëria dhe ideali poetik, që të lenë një mbresë të çuditshme, hem të pëlqen si formë, hem ndjen zili, se nuk e ndesh aq shpesh në jetë. Kjo ndjehet në tërë atmosferën e zyrës dhe në sarajet e Surrelit, në faqet e mureve mbushur përplot me piktura. O zot, nuk kam parë askund një dyndje të tillë të këtyre që m’i quajnë kundërshtarët, armiqtë e mi, shkarravina, nga tavani gjer poshtë në dysheme. Mbi një mijë a më shumë piktura, një botë e trazuar, një kaos gazmor, ku një betejë të Skënderbeut (që e thotë ai, por që është pa Skënderbe!) i jep hir të çuditshëm një madone si kukull e Kelmendit (edhe kjo e thënë prej tij!), rrugica që i sjellin paqe, me format nazike që nuk i fshehin dot. Betejat epike dhe gratë e shëndetshme, peizazhet baritore dhe portretet krejt shqiptare, që nuk duken, sepse vijnë me gjuhë hieroglifësh, nëpërmjet konceptit të lashtësisë, e që mbushin me një muzikë pagane sarajet dhe zyrat këndshëm si një melodi e ashpër fantastike që ndjehet (ashtu e ndiej unë, se unë jam i vetmi kryeministër artist!) gjer në skutat e padukshme të lëna enkas.

Një sy kureshtar shikon me çudi se pas dyerve rreshtohen dhjetëra piktura të tjera, po ato shkarravina të pakuptueshme natyrisht, të sapoardhura nga Nju Jorku, të cilave ende nuk u është paguar qiraja marramendëse, që duhet të dalin me faturë tatimore nga qeveria me paret e taksapaguesve shqiptarë. Mbi tryezat e kryeministrisë kullave tona famëmëdha ku pastrohen paratë e pista nga ku të munden, ndien një dhembje therëse dhe gjithë Tirana dëgjon një thirrje përmbytëse për një kohë të gjatë. Por Tirana ulërin për vete e gjora, me tërë ato vjedhje gjigante që po i bëhen përditë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco