Himara, këmbëzbathura

Himara, këmbëzbathura

Nga Alfred Lela - 07/08/2024

Poeti Xhevahir Spahiu ka një varg: “këmbëzbathur ullinjtë, brigjeve vetmojnë”. M’u kujtua tek shihja kryeministrin e vendit tënë, këmbëzbathur dhe çapraz, që u ka hyrë ullinjve dhe brigjeve, për t’i zëvendësuar me beton-armenë e rezorteve; në atë rrip aq të bukur të atdheut, ku nuk do vetmohet më asnjë sekondë, dhe falë kësaj ndërhyrjeje, deti do të dalë leshrandërkryer, brigjeve ku qëmoti kishte ullinj e tani pishina.

Ky do jetë, fatkeqësisht, epitafi mbi sarkofagun e Himarës dhe të gjithë bregut, tani kur, për fitoren e Ramës polifonikët e internetit po thurin këngë që u ngjethin mishtë edhe guroreve të ‘investitorëve strategjikë’. Është ngulmimi i një klike ekonomiko-politiko-mediatike, që do të shkulë dhe ndryshojë gjithçka në emër të fitimit, duke mos kuptuar se atdheu është mozaiku, sidomos i vendeve ku shkohet për pelegrinazh, jo për plazh, jo për të fituar apo argëtuar.

Ta gëzojnë edhe Himarën këtë piratë të postmodernizuar, të cilët iman kanë lekun e shpejtë dhe din shqiptarin që ikën dhe i këndon fisit, o nga shtëpitë e barit në Angli, o nga sallat e urgjencës në Gjermani.

Fakti që Rama futet në Jug me një ‘grek’ të vetin, duke zëvendësuar ‘dallkaukun’ e Doktorit me një tip që është me PhD në dallkaukëri, vjen si tallje e ftohtë me isombajtësit. Të tijtë dhe të atyre që, pasi bukosën Tiranën me ndërtime, u zhvendosën në Breg. Kur ta shëmtojnë edhe atë do të nguliten në Itali dhe Greqi dhe nga brigjet përballë do të na qeshin.

Këtu do të mbeten vetëm ata që kanë duruar prishjen, dhe janë prishur mendsh duke dëgjuar e pranuar se kjo nuk është prishje, por modernitet, rruga e duhur, i vetmi drejtim, Shqipëria 2030.

Ka, sigurisht, shumë mënyra për ta parë humbjen e opozitës në Himarë dhe triumfin e qeverisë. Më e para është se, nuk ka as humbje dhe as triumf. Palët janë kapur në remi-në torturues, në të cilin sipas Y.N. Hararit “nuk ka më asnjë ideologji”. Derisa të formësohet një e re, do të vazhdojë ky hutim pa ideal. Edi Rama mbahet ende te gënjeshtrat e vjetra, aq të mëdha sa ende nuk janë konsumuar, si p.sh. shëndetësia falas. Sali Berisha është i ngecur në “missionary position”, me barrën e një misioni në një kohë si kjo e jona, e cila nuk njeh dhe as pranon asnjë mision, dhe të vetmin mision ka… të mos sipërmarrë asnjë të tillë.

Paradoksalisht, atë që liberalët ekonomikë (jo socialë, se mos nxehet Goxhaj, gonxhja e vetme e konservatorzimit randian në Shqipëri) e kërkuan me dekada, laissez faire-in e famshëm, ka kaluar nga sferat e ekonomikes në ato të shpirtërores. Nuk ka gjë që depërton në një shpirt që kërkon të zhdukë çdo pezm dhe vuajtje, dhe të jetojë në amëshimin bosh të premtimit që gjarpri i bëri Evës në kopshtin biblik.

Alas, ne mund të jemi aq biblikë sa na lejon Himara. Ky rrip toke mbushur plot me kinse kacafytje greke në tokë shqiptare. Pasi përzumë një grek si Beleri, që doli nga barku i gomarit të Trojës që kish futur Agamemnoni-Doktori dmth-nëpërmjet Odise Vangjelit (Jo Lencit, por Dules), Rama solli evangelistin e vet, pjekur dhe ai në tavë greke.

Të luftojmë për shqiptarinë me grekun tonë dmth. Ose: “My feta cheese is better than yours” (and it brings all the boys - the strategic ones- to the yard).

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco