Kronikë për kriteret e Borës dhe platformën që të bën deputet!

Kronikë për kriteret e Borës dhe platformën që të bën deputet!

Nga Agron Gjekmarkaj - 01/08/2024

Bora tanimë po gëzon më në fund famen e merituar. Babo e ka vënë  shefe të platformes “deputeti që duam”,dhe të atyre që nuk do, të caktojë kriteret, të mbledhe video e cv, të dhëna e lajme, ëndrra e vizione, derte e brënga, psheretima e lutje, qarje e të qeshura, romuze e këngë, thagma e maksima.

Ajo është bërë më e heshtur dhe rri siç ja kërkon sëra. Majde të martën Shalsi e cili e ka patur keshilltare ndaj është aq strategjik qerratai, i foli me mendjelehtësi e confidence, por ajo me të drejtë nuk i dha të njohur dhe i ndënji rëndë. Ai u zverdh e u mpak u bë si limon i harruar në degë.

Mamicushi Tao se do bëjë punën e Mamicës ndaj mësohuni me këtë togfjalësh  hoqi dorë nga e folura kur pa se ç’ndodhi, boll gjëma kam patur këto ditë mendoi. Qortimi i saj do të ishte shumë më i rëndë se degdisjet e Babos që e ktheu të bëjë gaveten.

Çudira e lajme kontraditore po vinë nga çdo anë.

Majko paskësh bërë një video, me fustanellë veshur duke kënduar një këngë partizane “në ato maja rripa rripa , zbrit nga kali se të mbyta” madje dhe cv-në e kishte nomatisur me shkrim dore që të dukej origjinal. Bora kishte kafshuar buzën. “Je dobët i kishte thënë, këndon shkel e shko pa pathos, ke aluzione të dëmshme, shko puno me veten dhe kënga të jetë nga aktualiteti me temë tunelin e Llogarasë”.

Mimi di Puccini e kishte ndarë në tre pjesë  regjistrimin “një pasazh nga Ferri i Dantes, një virtuozitet me qemane dhe një gatim allafrënga makaronash si dhe një prezantim të vetes jam kjo e jam ajo”.

Bora kishte humbur durimin, ja kishte kthyer mrapsht “ merr “Kurbanin,” ç’janë këto rrangalla, mos na e ço kohën dëm, jo Rilindja europiane jo gjepura me bisht, mos më bëj të të akuzoj për mosmirnjohje”. Mimia kishte replikur duke i rrëfyer se me atë po punon Ciu por ajo hazërxhevap “aty ka lëndë të parë per të gjithë pa rënë në përsëritje’. Kodheli kishte ikur e mpirë dhe kokëulur.

Toni kishte provuar me interpretimin e Ungjillit sipas Lukës. Këtu Bora ishte nxehur dhe me hakërrim i kishte bërë me dije nëse do bësh prokopi analizo fjalimin e Mamicës kur u bë Kryetare dhe gjej për kë e ka patur atë kafe e ujë për opoziten eja këtu ta recitosh, dhe ik nashi”. Qielli i errej këmbët i dridheshin. Zoti nuk po e shihte.

Damua shkoi me sportivitet si pas palestre “ ja i tha kam bërë diçka të veçantë, vrap 100 meter për të demostruar, shpejtësi, ritëm, qellim e cak”. Leri more dokrrat ju kthye Bora le ta shohim. Pa shkuar në gjysëm e fiku. Me kaq shpejtësi djalo s’ke gjë në terezi , kaq vrapon dhe Baftua. Nuk ta mbush syrin ti.

Tezja kishte filmuar një valle libohovite, një iso me Termenë dhe një dolli me putir në një lëndinë. Ishte e sigurtë që kishte qëlluar në shënjë, por Bora e zhgënjeu. “Nuk ka pasion, as ritëm, nuk tundet dheu dhe oshetijnë zabelet, ka monotoni, shko përsërite, pastaj po bini të gjithë në folklorizem”! Murretimi i Tezes u bë re.

Çuçi kishte realizuar një spot duke bërë not dhe e mbyllte me nënshkrimin në zyren e zhveshur që i la Ermua “ne lahemi në detin e Babos , perpjekja ka rëndesi jo komoditeti”. Këtu Bora u vu në mendime. Do ta shoh prapë më vonë i tha kij besim.

Anila Denaj e kishte çuar kameren në një vathë me dhen dhe ajo e ulur në shtrungë i milte, një nga një, qumshtin e kullonte, e zinte djath,  e bënte  kos e gjizë, gjalp e  ajkë ! Herë pas herë blegerinte vete që gjëja e gjallë ti afrohej natyrshem”. Këtë bukolizem e thjeshtësi Bora e vlersoi me plus.

Klosi ishte veshur si bari me brucë të zezë kraheve, me qeleshe dhe një kerrabë rrethuar me dele në një monopat ku I binte fyellit . Në vend të cv-së shkruante kjo na pret nëse Babo na vë vizen. Edhe këtë Bora e mori seriozisht.

Braçja po zinte bretkoca në Divjakë dhe poshte tek cv shenojë këtë fat kemi dhe ne në pjaten  e Babos dhe rrjeten e Bores. Bora e mori si provokim dhe e nxorri jashtë.Ça ke mi , ça ke mi degjohej ankimi i Erit.

Ismet Beqiri i cili në fillim e kishte marrë me neglizhencë por nursesllëku i Borës e kishte ndihmuar shumë për reflektim. Ai kishte rjepur një cjap varur në një frashër dhe tek letra e rekomandimit  zoografiste më mirë të na rjepë Babo me dorën e vet sesa të bëhemi si Ditmiri.

Kjo thjeshtësi njerzore e preku Borën madje i bëri dhe një kafe.

Dilos përsëri nuk i shkoi mbarë! Nuk më pëlqen ti i tha, je shumë i kuq në fytyrë, shko abronxohu pastaj shohim e bëjmë.

Çyrbes po ashtu, kaq ezmer ske ku shkon, ik zbardhu. Po ti shiko performacën i tha Jurgysi me zë të mekur . Ajo jo jo fshati që duket nuk do kallauz.

Bujari i Lushnjes kishte imituar Tahir Baçovën duke zbutur një arushë teksa Blerina i binte dajres. Ata ndanin mendimin se çdo urdhër i Babos duhet pritur me ritmin e arushës.

Arben Pëllumbi i bindur që pas prezantimit që i bëri ‘Kronika’ herën tjetër do e gjente derën hapur tek Bora shkoi atje duke vërshëllyer. Jam Arben Pëllumbi i tha , qofsh shëndoshë ja kthen, ku e kam dëgjuar këtë emer? Arbeni u pre pak në fytyrë po se dha veten, jam djali i Servet Pellumbit i tha…. ! A poooo i tha Bora e njoh ka qënë futbollist i kombëtares, sulmues, ti do jesh bërë portier , kemi nevojë për njerëz që na mbrojnë portën …eja!

Etilda nuk e ka dorëzuar ënde por mendonte të shfaqej në një punishte bletësh , me devizën në jemi bletët punëtore  në kosheren e Babos mjaltin e ha populli !

Platforma ngjan me kombinatin “Çeliku i Partisë’ në Bradashesh , punohet natë e ditë, del tym e flakë. Në vazhdim do ju mbajmë të informuar gjatë gjithë Gushtit. Na e bëni hallall se për sot kaq informacion patëm.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco