‘Puna’ e dy anonimëve të rinj të Boratit

‘Puna’ e dy anonimëve të rinj të Boratit

Nga Erion Dasho - 01/08/2024

Të sapoulur të kolltukët ministrorë, dy ministrat e rinj të Boratit nisën menjëherë nga "puna". Kuptohet se në Shqipërinë e Boratit, "punë" quhet propaganda e dalë boje, përfshirja në skenarët e manipulimit me dukjen, por aspak adresimi i problemeve thelbësore të vendit.

Ministri i mbrojtjes në shoqërinë e një prefekti dhe një gjenerali u shfaq në Luzat, aty ku ishte shuar një zjarr pranë një shtëpie. Në një vend normal me një "fitore" të tillë mburret zjarrfikësi i fshatit, maksimumi ndonjë kapter ushtrie, dhe ngjarja nuk lajmërohet as në gazetën e fshatit.

Në Shqipërinë e Boratit, vendin e vetëm të NATO-s ku ushtria nuk ka asnjë avion, asnjë tank, madje as edhe një top, në vendin ku për të shuar zjarret në Shëngjin, avionët erdhën deri nga Kanadaja e përtejoqeanit, ministri i ri bën prezantimin e parë në publik nëpërmjet një shfaqjeje propagande dylekëshe.

Nga ana tjetër, ministri i rendit u tregua më "institucional" duke mbledhur një turmë vatësish në ceremoninë e kalimit të detyrës. Në prezantimin e parë, ministri u angazhua për "reformë gjithëpërfshirëse në zinxhirin drejtues të policisë", a thua se nuk bëhet fjalë për ministrin e caktuar të mbyllë muajt e fundit të mandatit të qeverisë më të dështuar në historinë e shtetit shqiptar.

Media nuk raportoi ndonjë zotim të ministrit për luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit që ka kapur çdo qelizë të shtetit. Por ndoshta këtu nuk ka dashur të ofendojë paraardhësin e vet që ishte prezent në ceremoni. Në fund të fundit, nuk flitet për litar në shtëpinë e të varurit.

***

Dy ministrat e rinj të Boratit, dy anonimët që drejtojnë ministritë që në çdo vend serioz janë institucionet më prestigjioze të shtetit, e treguan që ditën e parë në detyrë se me ç'mision janë sjellë në karriget ministrore përkatëse.

Ata nevojiten thjesht për propagandë të shpëlarë, për "like" facebooku dhe instagrami, për premtime boshe dhe për t'u hedhur hi syve shqiptarëve. Më vonë edhe për të marrë përsipër faje të qena dhe të paqena, për t'u bërë koka turku sipas tekave të Boratit dhe nevojave të spin doctors të rilindjes.

Ata kanë nisur tashmë të kepërdoren si manekinë të një komedie sa qesharake aq edhe tragjike që po luhet me shqiptarët. Këta të fundit sot drejtohen nga një qeveri ku emra shumë më të njohur se ministri i mbrojtjes dhe ai i rendit, janë narkotrafikantët dhe vrasësit me pagesë që arrestohen çdo ditë në çdo cep të globit.

Uroj që situata si këto të shënojnë edhe pikën e fundit të ujit që mbush kupën e durimit të shqiptarëve. Nëse Borati dhe boratët e vet nuk ndëshkohen sa më parë, fillimisht me protesta dhe më pas me votë, ditë akoma më të këqija do t'i presin shqiptarët.

Pavarësisht nga gabimet që kanë bërë këta 11 vjet në përzgjedhjen e qeveritarëve të tyre, shqiptarët nuk e meritojnë këtë gjendje. Në fakt, asnjë popull nuk e meriton atë...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco