Arben Ahmetaj ndërron status, nga 'i kërkuar' në 'kërkues i Drejtësisë'

Arben Ahmetaj ndërron status, nga 'i kërkuar' në 'kërkues i Drejtësisë'

Nga Alfred Lela - 30/07/2024

Intervista e Arben Ahmetajt, dikur numri 2 i qeverisë Rama, e kthen ish-zyrtarin e lartë nga ‘i kërkuar i drejtësisë’ shqiptare në ‘dëshmitar të mbrojtur’. Paradoksalisht, ndërkohë që Ahmetaj mund të ketë gjëra për të hetuar, ai duket se ka më shumë për të denoncuar dhe zbardhur, pra për të ndihmuar drejtësinë në çrrënjosjen e një sistemi korruptiv, pjesë e të cilit ka qenë edhe vetë deri para 2 vitesh.

Pa bërë këtë ‘kalim’ të Ahmetajt nga ‘i kërkuar i drejtësisë’ në ‘kërkues të drejtësisë’ nuk mund të ketë një lexim të drejtë, të intervistës jo e jo, por as të situatave dhe kontekstit që ish-zv/kryeministri përshkruan me hollësi rrëqethëse.

Qeveria nuk ka ndërmend ta bëjë këtë, siç duket nga heshtja mortore, si e Ramës dhe vartësve të tij, por edhe mediave që u rrinë pranë. Mospasqyrimi i intervistës në pjesën më të madhe të medias nuk e dëmton mesazhin e Ahmetajt, përkundrazi e përforcon atë, dhe ridëshmon se qeveria menaxhon opinionin publik duke përdorur të gjitha mjetet, një pjesë të të cilave ish-zyrtari socialist shpalosi mbrëmë në intervistën për gazetarin Çim Peka.

Fraza “pse nuk reagove atëherë?” drejtuar Ahmetajt si sfidë, nuk mendoj se kërkon thelbin e së vërtetës dhe asaj që ish-zyrtari thotë, por atë që ai është ose do duhej të ishte. Nëse do ishim duke hulumtuar për profilin moral të Ahmetajt, psh si murg françeskan, mund t’ia kërkonim këtë llogari, por një ish-zyrtari në majën e qeverisë Rama, i cili na intereson vetëm për të ditur mbi pushtetin, jo si autoritet moral, nuk e kemi këtë të drejtë, hiq rastin e dëshirës për të shmangur faktet dhe idetë qendrore.

Sistemet e drejtësisë, prej Amerikës deri në Itali, kanë pranuar bashkëpunimin e vrasësve me nam, nga Salvatore “Sammy the Bull” Gravanno e deri te Tomasso Buschetta. Cilatdo qofshin veset dhe shkeljet e Ahmetajt, ato janë më pak se krimet e mafiozëve të famshëm dhe sidomos më pak se të njerëzve që ai denoncon.

Nëse SPAK nuk ndryshon kurs në raport me Ahmetajn, vetëm sa provon tezën kryesore të rrëfimit të ish-zv.kryeministrit, se Rama dhe Dumani janë në agjendë të përbashkët. Ky do të ishte krimi më i madh kundër Republikës, shumë më i rëndë se çdo korruptim financiar. Sepse dëshmon se organi i akuzës, së ngritur për t’i prishur gjumin qeverisë ‘fle’ në shtratin e kreut të qeverisë.

Cilido qoftë ai. Sot ose nesër.

Arben Ahmetaj dhe akuzat e tij nuk largohen me temjan komunikativ, me ndërrime sa për sy e faqe ministrash. Për më shumë, Rama nuk ka si e bën. Do ti kërkonim shumë që të hidhte në degë litarin dhe të ofronte qafën ku të futej ajo kokë ismailkadareqemalase, pa të cilën kombi nuk bën dot.

Kjo është detyrë e SPAK. Nëse nuk e bën, ato që na paraqet si punë janë ‘krime intelektuale’.

Afërmendsh, nuk kemi si t’i besojmë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco