Rama, Parlament pas Kongresit dhe 'Ahmetaj'

Rama, Parlament pas Kongresit dhe 'Ahmetaj'

Nga Basir Çollaku - 27/07/2024

Parlamenti do të ketë seancë të jashtëzakonshme javën e parë të gushtit. Deputetët janë porositur të mos hallakaten larg. Qeveria ka nevojë të rivotojë emra të ndryshëm. Rama do të bëjë makiazhin qeveri-parti-SPAK. Do të lëshojë e mbajë. E diela e fundit e korrikut, 28-a, e kongresit socialist, sa elektoral aq edhe vullkanik në tentativë, nuk do të jetë rehati prag-pushimesh për mazhorancën. Sëmundja e beftë e Nikollës, largimi të premten e 26 korrikut, në seancën teorikisht të fundit, përtej shkaqeve mjekësore, ka ende mister të pazbardhur. Disi konfuze, pa asnjë shenjë të mëparshme, ajo shfaqi pamundësi të kryerjes së detyrës si kryeparlamentare për shkaqe shëndeti, por jo mungesë mundësie shërbimi ndaj zgjedhësve.

E hëna e pas-kongresit, ka vëmendje të përqëndruar absolute në rrëfimin e ish-zëvëndëskryeministrit Arben Ahmetaj, ku priten "sëmundje" të reja, më të rënda se covidi, në qeveri e Partinë Socialsite. Rama do të kërkojë me çdo kusht të mos mbajë opinionin të mbërthyer te deklarimet e zëvëndësit të tij, të larguar pas një urdhërarresti, për një vepër të bërë nga ata që janë ende në liri, kryesuar nga Rama, Veliaj, Agaçi e të tjerë plot. Pohimet e Ahmetajt si në intervistën e parë, duhej të ishin hetuar kryesisht nga Prokuroria e Posaçme, e cila mund t'i bashkojë intervistat e të gërmojë thellë akuzave që kanë baza reale. Kujtojmë qëndrimet për cannabis, reformën në drejtësi dhe vettingun me sms, kanosjen për jetën, investimet e Eco Park ku familja e Edi Ramës ka firmën e qeveritarit Rama dhe përfitimin e familjes Rama. Shkresat nuk mungojnë. Këtë do të kërkojë ta zhbëjë kryeministri duke prodhuar ngjarje të përafërta të forta për opinionin, por edhe duke turbulluar institucionet tashmë të gjithë të varura. Për ta hequr efektin "Ahmetaj" serial i hapur gjithnjë me telashe serioze Edi Rama do të prodhojë ngjarje të forta. Janë disa ministra në ankth, pasi pa i pyetur askush, ashtu siç ka ndodhur kur janë emëruar, me gjasë do të gjenden nëpër korridore, nga lajm-shakerkimi i Ramës.


Ministrat ndryshe do hyjnë e ndryshe do dalin nga Kongresi, ku katër apo pesë prej tyre janë me dije se do marrin lëmosha politike, për ekipet zgjedhore, pas largimeve. Ulsi Mania e Taulant Balla mund të jenë kurbanët e lajmëruar, sepse partnerët nuk kanë heshtur as me dosje as me refuzime. Të tjerë janë në ankth jo krejt pa shkak. Kryepritshmëri është edhe heqja e gradave politike të Tiranës, Erion Veliajt, duke grishur me porosi SPAK për të shkuar te masa arrestit e munguar. Balluku e Gjiknuri mund të jenë rivalë ose konsensualë për post-Veliajn në Parti, apo një Gonxhe hershmërisë së Ramës si përpjekje për bashki. Do të zëvëndësojë në krye të Kuvendit edhe Nikollën e urdhër-larguar, me ndonjë Spiropal apo Xhaçkë, për t'u dhënë mbrojtje, sepse janë të ekspozuara nga episode hetimesh. Rama po shfaq dhunshëm edhe ndikimin ndaj Prokurorisë e drejtësisë. Nëse do të kishte pavarësi të sistemit të drejtësisë, zgjedhjet e parakohshme, do të ndodhnin brenda vitit. Nëpër burgje ka ministra si Beqja, e zyrtarë të tjerë, të cilët me çfarë mund të thonë, sepse kanë luhatje të rënda nga trysnia e hekurave, mund të mbushin qelitë me kolegë dhe eprorët e tyre.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco