Tragjedia greke dhe komedia himariote e Ramës

Tragjedia greke dhe komedia himariote e Ramës

Nga Flavio Qarri - 27/07/2024

Tanimë është zyrtare, zgjedhjet në Himarë do të mbahen sipas planeve të qeverisë, në datën që do qeveria, me listën që do qeveria. Ende e kompleksuar, opozita duket publikisht jo shumë e qartë se çfarë rrezikohet në Himarë për demokracinë. E kompleksuar nga akuzat pseudo patriotike të shërbëtorëve të qeverisë ajo nuk po arrin të komunikojë qartë versionin e saj.

Le të ndalemi pak pikërisht në thembrën e Akilit të kësaj historie. Nuk ishte greqizma e as shqiptarizma. Ishte thjesht dhe vetëm vota.

Aparati propagandistik qeveritar ia doli të përshkruajë kandidatin e opozitës si një infiltrim grek në tokën e virgjër dhe homogjene të Himarës.

Opozita nuk ia doli të sqarojë publikun kombëtar se atë virgjëri po e përdhunonte me abuzimet që kryente në vetë të parë Kryeministri. Ai kishte vënë në krye të bashkisë një individ po aq shqiptar sa Fredi Beleri e po aq grek sa Fredi Beleri. Madje tanimë po aq në burg sa Fredi Beleri. I vetmi dallim është se kryebashkiaku qeveritar është në burg si hajdut ordiner dhe grabitës, ndërsa Beleri si një eurodeputet i burgosur politik.

Pas gjithë narrativës patriotike, me fjalë kuq e zi, pas angazhimit të çdo budallai pseudoshqiptar, dikush do të priste që Rama të zgjidhte nga fondi i vet shumë i vogël me emra të papërlyer në vjedhje dikë që të kishte identitet të qartë shqiptar. Edhe si vokacion, edhe si forme e si përmbajtje. Por një surprizë që nuk habiti askënd pasoi menjëherë. Vetëvrasja politike e nxori sërish nudo kryeministrin tonë të mësuar me plazhe të zhveshura.

Vangjel Tavo është më grek se kushdo banor i Himarës. Vangjel Tavo është aq grek sa komplekson dhe ata me dyshtetësi në breg. Vangjel Tavo është thjesht një usta i biznesit të politikës e jo i politikës së biznesit si Petro Gjikuria fjala vjen. Por çfarë e detyroi Ramën të vendoste kandidaturën më qesharake në Himarë për ta kthyer këtë luftë 2-vjeçare në një komedi?

Nga njëra anë Rama ka bërë të mundur ta mbështesin nacionalistë sui generis të vetofruar si drejtori arkivave që desh na bindi se Beleri edhe pse nuk kishte shkelur asnjë ligj në 14 maj e kishte vendin në burg si grek i poshtër por Tavo është grek i mirë se shpërndan sufllaqe.

Nga ana tjetër ka detyruar shoqata si Labëria të prezantojë Tavon si nacionalist shqiptar që pa dashje ka thënë që është grek, por ka reflektuar.

E vërteta është që Edi Rama është në hall.

Nëse në Himarë po ndodh një komedi e nënzhanrit të farsës në formën e farsës elektorale, në Tiranë ka tjetër skenar. Është tragjedia greke e kryeministrit tonë. Ai është i qartë që Athina nuk do t’ia falë atë që i bëri marrëdhënieve dypalëshe. Ai e di që Greqia merret pak më seriozisht në Bruksel se atletet e tij të bardha.

Ai do të tentojë të vjedhë Himarën me një grek me shpresën se Greqia nuk do të ketë arsye për shpagim por as xhepat e grekut që ka zgjedhur e as xhepat e tij nuk janë të thellë mjaftueshëm për të zhbërë një përdhunim. Dhe fatkeqësisht pas mijëra viteve bashkëjetesë mes shqiptarësh e grekësh në këto anë që dramës nuk ia përtojnë, grekët kanë mësuar nga ne gjëra jo fort delikate.

Hakmarrje do të jetë në gusht e hakmarrje do të ketë në shtator. Dhe ju e dini që sa më e ftohtë, aq më e mirë.

Fatmirësisht deri tani, opinioni publik i fqinjëve tanë nuk është i mbushur me një qëndrim ndaj Shqipërisë por vetëm ndaj një individi dhe kjo është fitorja e vetme që as Pirro nuk do e ëndërronte dot.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco