Cilësia e lartë e shkollimit - rruga kryesore për të tërhequr maturantët në universitetet tona

Cilësia e lartë e shkollimit - rruga kryesore për të tërhequr maturantët në universitetet tona

Nga Myqerem Tafaj - 25/07/2024

Në këto ditë para fillimit të përzgjedhjes së programeve, universitetet dhe shkollat tona të larta po përpiqen të bindin maturantët të zgjedhin programet e tyre. Nga një vështrim i shpejtë bie në sy se në të gjithë këtë fushatë marketingu më shpesh dëgjon tarifat konkurruese, shanse për punësim, etj. Shumë pak dëgjon argumentet cilësi e lartë dhe standarde internacionale të studimeve universitare, pedagogë me formim, kualifikime dhe përvojë internacionale, metoda didaktike mësimdhënie moderne, mundësi për studime jashtë për një apo dy semestra, cikle leksionesh nga profesorë të universiteteve partnere të huaja,  mundësi për kërkime fillestare shkencore, auditorë e laboratorë moderne, digjitalizim bashkëkohor të mësimdhënies, biblioteka të pasura me literaturë në letër dhe digjitale 24 orë të hapura për studentë, pa folur për kurrikulë suplementare për studentët e talentuar për diplomë Bachelor apo Master "Honors", kushte për zhvillimin e jetës studentore dhe përmbushjen e rolit të tyre në veprimtarinë e universitetit të tyre, mundësi për studentët familjarë, dhe të tjera tipare të një universiteti modern të këtij shekulli. 

Zhvillimi demografik i vendit tonë nuk është fare optimist. Vendi ka pësuar një shpopullim të vërtetë në dekadën e fundit, edhe pse Censusi i fundit u përpoq të fsheh përmasat e vërteta të tij. Por, është fakt, se këtë vit në klasën e parë fillore, numri fëmijëve që regjistrohen është afërsisht sa gjysma e atyre që janë regjistruar para 15 viteve. Kjo do të thotë se, pas 15 viteve, edhe numri i studentëve në sistemin e arsimit të lartë të vendit tonëdo të jetë shumë më i ulet, madje edhe të përgjysmohet. Por ky reduktim i numrit të studentëve mund të ndodhë edhe më shpejt, në qoftë se vazhdon të rritet akoma numri i të rinjve që largohen për studime jashtë vendit apo që vendosin të mos vijojnë studimet e larta. Unë mendoj se ky fluks i studentëve që zgjedhin universitetet e vendeve të tjera do të vazhdoj të rritet, nëse ata nuk do të kenë besim tek niveli i programeve të studimeve që afrojnë universitetet e vendit tonë. Nuk duhet të harrojmë se ky grup studentësh janë më të mirët dhe që kanë arritur një nivel të formimit plotësisht konkurrues me studentët e universiteteve prestigjioze të Evropës dhe më gjerë. Kjo është e mirënjohur sot, sepse studentët shqiptarë në universitetet e huaja kanë një përparim të mirë, madje, shumë prej tyre, shquhen si studentë ekselentë në studimet universitare dhe pasuniversitare në universitete prestigjioze.

Kjo do të thotë se studentët që do të mbeten të studiojnë në universitetet tona do të jenë grupi që vijnë nga shtresa e varfër dhe nuk kanë asnjë mundësi financiare dhe një grup tjetër studentësh, të cilët kanë përfunduar Maturën me rezultate mediokër dhe nuk janë të motivuar për të arritur një nivel të mirë formimi në studimet universitare, edhe pse mund të kenë mbështetje të mirë financiare nga familjet e tyre. Fatkeqësisht, sot, ky grupi i studentëve mediokër të pamotivuar po rritet, duke u bërë një faktor shumë negativ, i cili tërheq poshtë gjithë veprimtarinë mësimore në universitete dhe penalizon rëndë grupin e studentëve më të motivuar dhe më cilësor, pa folur për studentët e talentuar, të cilët, praktikisht, nuk gjejnë as mjedis dhe as vëmendje për të zhvilluar e shpalosur plotësisht talentin e tyre. 

Kjo dinamikë e reduktimit të numrit të studentëve në vendin tonë do të diktojë një ndryshim shumë të shpejt të gjithe sistemit tonë të arsimit të lartë. Është e kuptueshme që sistemi i sotëm me mbi 100 mijë studentë nuk mund të mbetet i njëjtë kur numri i studentëve do arrij rreth 70 mijë studentë apo akoma më pak. Nëse nuk do ndërmerret një reformë e thellë e sistemit, do të vazhdojnë të mbyllen programe studimi, cka do të sjellë, si pasojë, mbyllje departamentesh e fakultetesh dhe pastaj edhe mbyllje të universiteteve dhe shkollave të larta.

Zhvillimi demografik jo optimist, rritja e vazhdueshme e fluksit të maturantëve dhe studentëve më të mirë që largohen për studime jashtë vendit, emigrimi masiv i të rinjve që pas përfundimit të arsimit të detyruar, cilësia e ulët në të gjithë nivelet e arsimit, investimi i ulët publik për arsimin në tërësi dhe atë të lartë në veçanti, oferta e vjetruar akademike dhe kërkimi shkencor tejet i dobët, dhe shumë faktorë të tjerë, bëjnë që sistemi ynë i arsimit të lartë të mos jetë në gjendje të përballet me kërkesat e sotme dhe të dekadës që vjen, për të formuar studentë me dije, aftësi dhe kompetenca që u duhen atyre për të qenë të suksesshëm në garën e dijes dhe të tregut të punës. Këtu nuk po përmendim fare aftësinë e sistemit tonë të arsimit të lartë për tu përballur me sfidat e sotme dhe dekadës që vjen, në kërkimin shkencor, inovacionin dhe transferimin e njohurive.  

Ky kontekst bën të domosdoshme një reformim të thellë të sistemit, jo thjesht në aspekte formale, por, më së pari, një reformë e thellë tërësore që përfshin modelin e organizimit institucional e vetëqeverisjes së universitetit, përmbajtjen e ofertës akademike, veprimtarinë e kërkimit shkencor e inovacionit, digjitalizimin, modernizimin administrativ, internacionalizimin për një integrim real të universiteteve tona në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë, ndryshim radikal të trajtimi të studentëve për ta bërë universitetin "shtëpinë e dytë" për ta, ku ata jo vetëm mësojnë, por edhe zhvillojnë gjithë jetën e tyre kulturore, sportive, madje edhe veprimtaritë e tyre shoqërore. Por, kjo reformë është afatgjatë, detyrë, para së gjithash, e politikës. Për rëndësinë e saj jo duhet të jetë një reformë konsensuale, një pakt kombëtar përtej vijave ndarëse të programeve të partive politike. Kjo do ta bënte këtë reformë të qëndrueshme. Megjithatë, kjo reformë është ajo që i duhet vendit në nivelin makro dhe kërkon më shumë kohë.

Problemi është çfarë mund të bëjnë vetëuniversitetet dhe shkollat tona të larta, publike ose jo publike. Praktikisht ata vetë duhet të jenë më të interesuarit dhe iniciatorët e reformimit të vetvetes. Unë mendoj se, edhe në kontekstin aktual ligjor, universitetet kanë mundësi të zhvillojnë strategji realiste dhe të hartojnë projekte konkrete reformimi, në mënyrë që të jenë tërheqës për studentët dhe të jenë konkurrues të paktën në hapësirën e arsimit të lartë shqiptar. Kjo kërkon, më së pari, një vetëdijesim të vetë universiteteve, jo vetëm të drejtuesve të tyre, por, ajo që është më e rëndësishme, edhe të trupës akademike të tyre. Nëse arrihet kjo shkallë ndërgjegjësimi atëherë mund të gjenden edhe resurset e nevojshme financiare. Aktualisht ekzistojnë disa iniciativa të tilla reformuese, si në arsimin e lartë publik ashtu edhe në atë jo publik. Programet e BE afrojmë mundësi të mëdha edhe për projekte të tilla reformuese. Megjithatë, është e domosdoshme që qeveria të afrojë mbështetje të mjaftueshme financiare për projekte të reformimit të universiteteve, duke vendosur kritere që garantojnë rezultate reale që transformojnë realisht ofertën akademike, zhvillojnë veprimtarinë shkencore dhe modernizojnë realisht universitetin, në mënyrë që shkollimi për studentët të jetë cilësor dhe plotësisht i përafruar me standardet internacionale. Universitetet dhe shkollat e larta jo publike kanë mundësi akoma më të mëdha për një vetëreformim modernizues. Atyre u duhet vizion, strategji realiste modernizimi. Qeveria nëse nuk i mbështet dot projektet e tyre reformuese, thjesht nuk duhet ti pengojë. Vetëm një reformim i thellë modernizues i universiteteve tona do t‘i bënte ato konkurrues në rajon dhe më gjerë, çka duhet të vlerësohet përmes pjesëmarrjes në rankimet internacionale të universiteteve. Vetëm kështu do të arrihej cilësi e lartë e studimeve universitare, e cila, sipas mendimit tim, është rruga kryesore e tërheqjes së të rinjve tanë në universitetet dhe shkollat tona të larta.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco