Sot, duke lexuar statusin e një miku virtual

Sot, duke lexuar statusin e një miku virtual

Nga Erion Dasho - 23/07/2024

Problemi i tij/saj: kishte shkuar për të bërë analizat pranë një spitali privat në Tiranë. Së pari e kishin detyruar të paguante edhe vizitën tek mjeku (të cilën nuk e kishte kërkuar).

Së dyti, përgjigja ishte vonuar fillimisht me ditë, e më pas, me javë. Së treti, recepsioni nuk i përgjigjej mesazheve dhe nuk jepte sqarim për vonesën. Së fundi, kur pacienti kërkoi t'i riktheheshin paret e paguara, laboratori printoi një fletë-përgjigje për të cilën pacienti mendon se ishte e sajuar.Ndërkohë në status komentonin të tjerë miq, ndër të cilët veçova.

Komenti i parë: pacienti kishte shkuar të bënte analiza gjaku në një laborator të njohur. Pasi përgjigja vonoi më shumë se një javë, kërkoi me ngulm përgjigjen dhe ja kthyen, por përgjigja ishte për analiza urine.

Komenti i dytë: mjeku në një klinikë private, i sugjeron pacientit që biopsia duhej kryer në një tjetër klinikë private. Kur pacienti refuzon, mjeku pranon ta kryejë dhe pacienti merr rezultatin që fliste për tumor malinj. Pacienti shkon për mendim të dytë në një klinikë jashtë Shqipërisë ku konfirmohet se nuk bëhej fjalë për një problem tumoral.

***

Emëruesi i përbashkët i këtyre tre historive dhe i dhjetëra apo qindrave të tjerave si ato është një sektor shëndetësor privat i cili jo vetëm nuk arriti të zgjidhë problemet e thella të sektorit shëndetësor publik, por ka nisur t'i thellojë më tej ato.

Gjatë pandemisë, testet e COVID-it u ofruan me norma fitimi një mijë përqind, ndërsa pacientët e pranuar në spital paguan tarifa stratosferike. Sot, disa procedura që paradoksalisht kryen vetëm në sektorin privat, ofrohen me çmime disafish më të larta se në vendet e Bashkimit Europian.

Por, mbi të gjitha, problemi i mungesës së kontrollit të cilësisë, mungesës së kontrollit në përgjithësi, mungesa e llogaridhënies ndaj pacientit, etj., janë alarmuese.
Herën e fundit në Shqipëri pata një bisedë shumë interesante me një prej njohësve më të mirë të sistemit shëndetësor shqiptar, që ka qënë rregullisht dashamirës dhe nxitës i sektorit privat.

Një nga problemet më të mëdha që ai ngriti ishte problemi i mungesës së kohezionit, bashkëpunimit dhe punës në ekip në strukturat private. "Pjesa dërrmuese e spitaleve private janë amalgam mjekësh, por në to mungojnë ekipet", ishte shprehja e tij.
Sigurisht që problemi ka edhe dimensione të tjera, po kaq të rëndësishme.

***
Lëvizja e fundit e boratëve për të krijuar një ndarje midis sektorëve publik dhe privat në sistemin shëndetësor shqiptar, sikundër të gjithë "zgjidhjet" që ofron rilindja është e pjesshme, nuk merr parasysh kompleksitetin e problemit, është artificiale dhe thellësisht propagandistike. Ajo vetëm sa do t'i thellojë më tej problemet në të dy sektorët.
Sektori shëndetësor privat sot ka nevojë për një analizë të thellë, për të përcaktuar së pari rolin e tij në ekosistemin shëndetësor si dhe marrëdhënien e ndërsjelltë me sektorin publik, sidomos në raport me financimin.

Kjo nuk mund të realizohet me urdhëra boratësh, por me analiza ekspertësh dhe trajtimin e problemeve të sektorit shëndetësor privat në kuadrin e reformës transformuese të krejt sistemit shëndetësor.

Vetëm atëherë pacientët shqiptarë do të shohin tek sektori shëndetësor privat një sistem plotësues, që adreson problemet e tyre dhe që vendos nevojat e tyre shëndetësore në qendër të sistemit.

Një sistem shumë të ndryshëm nga ky që kanë sot...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco