Dhjetë ditë në plazhin bosh

Dhjetë ditë në plazhin bosh

Nga Agim Xhafka - 22/07/2024

Nuk është punë çmimi. Është shkak varfërimi i shqiptarëve që plazhet janë thuajse bosh. Dhe po sjell një shembull nga Pogradeci. U bënë dy javë që çdo ditë udhëtoj nga Korça drejt gjolit. Kam gjetur një plazh të këndshëm midis vilave të qeverisë dhe Volorekës. Në këmbë të një hoteli të vogël,por me një lulishte para mbushur me gjelbërim,trëndafila dhe pemë pa fund. Si një pyll norvegjez. Sa mbërrij më del para një djalosh dhe më tregon ku të parkoj.

-Sa kushton?

-Pa leka,bre!-më thotë.

Afrohem te çadrat e nga që vij herët kam fatin të zgjedh një te rreshti i parë. Shoh që dyshekët janë të pastër si drita,shezlongët e drurit të lyer me ngjyrën e gjolit. Gjithë qejf bëhem gati të shtrihem e të ftoj rrezet e diellit mbi trupin tim.

-Sa kushtojnë dy shezlongë?-pyes sërish çunin.

-Tremijë,bre!

E ka me të vjetra. Në këtë zallamahi çmimesh më duket shumë i ulët. Ndaj e pyes përsëri e ai përsëri:

-Po tremijë bre. Tremijë.

Kaloj orë atje. Mes freskisë,notit,diellit e më pas shoh i çuditur që jam veç unë në plazhin e vogël. Majtas-djathtas askush. Më vjen çudi e me rroba banje gjoja shëtis bregut. Që të shoh plazhet ngjitur. Të bukur,të pastër,por njerëz me kokrra. Në drekë vendos të drekoj aty. Belushka si ta do zemra. Perime të avullit a zgarës. Shija e gatimit si poezia e Lasgushit. Dhe në fund për dy persona:

-Sa është fatura?

-Po njëzetmijë lekë,bre!-më thotë një çun që me siguri sa ka hyrë në gjimnaz,ama përdor lekun e vjetër kur flet.

Kaloj ditë kaq të bukura,me kaq pak shpenzime,me kaq aktivitet sa më shtrenjtë më shkon jeta në shtëpi se në plazh. Po pse nuk ka njerëz xhanëm? Pse? Se korçari është varfëruar. Ka ikur jashtë për punë dhe ata që ngelën i shkretoi rënia e euros. Me 200-300 euro të fëmijëve dhe guxonte të vinte ndonjë ditë në Pogradec. Tani me aq lekë nuk blen dot ilaçet. Gjoli aty është. Pret e pret njerëz… Do dhe ai britma fëmijësh e të rriturish. Dikur te ato valë pagëzoheshin të sapo martuarit. Tani rrotull nuk sheh as pleq. Se dasma s’ka më. Nga varfëria tani ka lindur bashkëjetesa,që po aplikohet masivisht. Gjoli rri e pret. Nuk mërzitet,pret…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco