SPAK-u digjet, qeveria krihet...

SPAK-u digjet, qeveria krihet...

Nga Basir Çollaku - 22/07/2024

Ministri Arbian Mazniku dhe deputeti Plarent Ndreca, janë dy taksitë e fund dhe fillimjavës drejt Prokurorisë së Posaçme, duke e bërë tashmë të vështirë të gjesh një qeveritar socialist, qëndror apo vendor, të munguar në hetim, nën akuzë, të pandehur, të dënuar, të arratisur, në azil apo në kërkim.

Dendësia dhe ngarkesa është tej parashikimeve. Të arrestuar, dënuar, në kërkim e hetim, të gjithë kanë një emërues të përbashkët. Korrupsion, vjedhje, shpërdorim detyre, mashtrim, pastrim të produkteve të veprës penale ose pastrim parash, hetim pasuror dhe grupe të strukturuara kriminale. Është e gjithë qeveria. Thjesht kanë data të ndryshme paraqitjeje për të dëshmuar.
Të kallzuar, në hetim, të pandehur, në kërkim, në qeli:

-Edi Rama

Niset me shefin e madh. Nga zgjedhjet e “184-ës” së vitit 2016 në Peshkopi. Për të duhet një SPAK më vete, nuk dalin 20 prokurorët aktual me agjentët e Byrosë së Hetimit. Janë për Charles McGonigal, inceneratorët, invetimet strategjike, Teatrit Kombëtar, këshilltarët e karteleve mafioze të kokainës, italian e rumun, lobingjet, offshoret, call-centerat, rindërtimet e pastërmetit, kriptomonedhat e një numër të madh vendimmarrjesh me firmën dhe porositë e tij.

-Arben Ahmetaj

Ish-zv/kryeministër i Edi Ramës, sot në arrati, në proces azili në Zvicër, i pandehur në dosjen e inceneratorëve dhe dosjes “Buka”, njeriu i financave publike me dijeni sekondash për çdo qindarkë të harxhuar apo dhuruar.

-Sajmir Tahiri

Ish-ministër i Brendshëm dënuar për shpërdorim detyre, në hetim pasuror muajt e fundit dhe kërkesë ende e pambaruar e prokurorisë, për të rikthyer hetimin e akuzën në ngarkim të tij, për trafik ndërkombëtar droge. Për atë kanabizimin masiv, ku ai ishte administrator dhe Rama si pronar i platformës.

-Ilir Beqja

Ish-ministër i Shëndetësisë dhe koordinator projektesh të donatorëve të BE, i arrestuar javë më pare, pas një hetimi të gjatë. Aktualisht në qeli, në hetim për koncensionin e sterilizimit, por edhe projekte të BE, njëherësh në hetim pasuror dhe për lidhjet e bizneseve të tij e familjes në qarkullimin e parave. Ministri për të cilin Gjykata i kërkoi Prokurorisë Speciale afro një vit më parë, masë arresti, por dikush nga pushteti kurdisi akrepat ndryshe.

-Ulsi Manja

Ministër i Drejtësisë, personazhi në hetimet e dosjes së krimit elektoral “184”, i burgjeve ku armët hyjnë më kollaj se uji, ku të dënuar e pandehur drejtojnë institucionet, porosisin vrasje e vënë gjoba… e histori të reja të pritshme nga Franca.

-Fatmir Xhafa

Ish-ministër i Brendshëm me vëllanë e dënuar për trafik ndërkombëtar droge. Një hetim pasuror i filluar e pambaruar. Dhëndrri i tij, vartës i Veliajt tek lejet e ndërtimit, apo Lilo-ndërtuesi-përfitues, miku ku strehohen prokurorë e gjyqtarë.

-Olsi Rama

Rama 2 në një hetim për trafikun ndërkombëtar të kokainës për dosjen "Xibraka" ku gjermanët po sjellin habere të reja të përfshirjes dhe SPAK nuk do shurdhohet, si Krimet e Rënda dje.
-Lefter Koka
Ish-ministër i Mjedisit të qeverisë “Rama”, aktualisht në qeli, dënuar për iceneratorin e Elbasanit, në proces për atë të Tiranës, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës e pastrimit të produkteve të veprës penale, njëherësh në hetim pasuror.

-Erion Veliaj

Në hetim pasuror, pasi më parë kishte hyrë në këtë regjim ligjor i vëllai Arbër Veliaj. Veliaj pas një presioni të madh publik, mediatik e sidomos të opozitës me 17 protesta, është thirrur për të dëshmuar për inceneratorët dhe dosjen “5D”. Gjykata e Apelit, në vendimin e disa ditëve më parë i sugjeronte Prokurorisë së Posaçme të hetonte të pandehurit e dosjes “5D” duke përfshirë edhe titullarin e Bashkisë Tiranë, si grup i strukturuar kriminal, akuzë e zyrtarizuar për një pjesë e në pritje për tjetrën. Vëllai e bashkëshortja e tij, kanë episode të rënda për të zbardhur në prokurori. Më herët janë shumë akuza ku përfshihet titullari, por prokurorët e kanë marrë me ngadalë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shembjen paligjshmërisht të Teatrit Kombëtar nga Bashkia, shkresa e firmosur nga Veliaj, ku merr tagrat e Këshillit Bashkiak për inceneratorët. Lidhjet e dyshimet e shumta për “Eco Tiranën” e lidhjet e ortakëve italianë me Ndranghetën. Dosja e ndërtimeve, prej katër vitesh e regjistruar, pjesë e asaj dosjeje me shumë përgjime të sjellë nga antimafia italiane, ku sërish shfaqet Ndrangheta si prenotuese kullash në Tiranë, me leje të bashkisë…. e shumë të tjera si miliona pemë imagjinare e tendera elektoralë.
Vizitorë në SPAK apo prag të pandehur

-Engjëll Agaçi

Shumë vendime për inceneratorët 17 në një ditë, lidhja me Artur Shehun sipas reportazhit të Rai 3, për sugjerimin e garancinë ndaj gjeneralit të arrestuar e dënuar në Itali, Fabrizio Lisi, për dhuratën e 30.000 metër katror në bregdet gjeneralit hartues të raporteve të Guardia di Finanza, se është asgjësuar cannabis me 99.8 përqind në Shqipëri dhe dijeni për rrethana hetimore. Përfshirjet në çështjen Becchetti ku shqiptarët humbën për tekat e tij, të Veliajt e Ramës, 150 milionë euro e mjaft histori të tjera hetimore.

-Damian Gjiknuri

Udhëtime me Zoto e Mërtiri dhe verifikime të tjera për pagesa hotelesh, për dosje kur ka qenë ministër Infrastrukture, licensa hidrokarburesh për heqjen kompanisë amerikane e hapjes rrugë atyre ruse. Kompania amerikane në Arbitrazh ka fituar një pjesë të rëndësishme të pretendimit ndaj qeverisë sonë, duke na ndëshkuar miliona euro. Për Unazën e re, me 22 milionë euro një kilometër rrugë. Fijet me indianët 800 milionë eurosh, si gjoja emigrant dhe përfshirjen në investime të mëdha në Tiranë e jo vetëm. Guruja indian që e lidhte familjen e tij me një pretendim për një donacion shumë-shifror në një tempull në Frankfurt.

-Niko Peleshi

Ftuar në Prokurori për histori bashkiake e tendera, për të saktësuar rrethana hetimore, kur ka qenë kryetar bashkie në Korçë, por nuk mund të heshtet për shumë tendera në Ministrinë e Mbrojtjes e dijenia e tij është në sitë skanimi.

-Arbian Mazniku

Minsitër i pushtetit vendor, ish-nënkryetar i bashkisë Tiranë, e nisi me tre orë në zyrat e agjentëve të BKH të hënën e 22 korrikut, në cilësinë e personit që ka dijeni për tendera në bashkinë Tiranë, “5D” apo inceneratorët. Megjithatë, bizneset e familjarëve me pushtetarë të tjerë, ku kanë vërshuar para në shuma të mëdha indirekt nga vendimmarrjet e pushtetit janë në investigim prej kohësh.

-Taulant Balla

Denoncuesi i rremë për Berishën e Malltezin, për të cilin Prokuroria nuk nis hetime, me gjithë provat e shumta të depozituara prej tij vet. Personazh ku hetimi ende nuk ka konkluduar për dosjen e “Toyota Yaris” ku transportoheshin miliona euro cash, në skandalin e rëndë të TIMS, në përgjimet e asgjësuara për vrasjet në Elbasan, për hetimet rreth njohjes apo takimeve me Suel Çelën, të kërkuarin e drejtuesit të grupit kriminal të Elbasanit. Mbase edhe për rrethana të reja që kanë sjellë e do të sjellin dosjet nga franko-holandeze e belge, për xhevahiret kriminale të dala nga prodhimet e sky-encros.

-Plarent Ndreca

Deputeti socialist, mandatuar pas largimit të ish-zëvëndëskryeministrit Arben Ahemtaj është thirrur në SPAK, për tenderat e rindërtimit të komisariateve. Afërmendsh prokurorët duhet të marrin dëshminë e tij të munguar për tenderin 28 milionë eurosh të uniformave të policisë, që shkriu vakët në kohën e pandemisë.

-Sandër Lleshi

Thirrur si person me dijeni për tenderin e uniformave të policisë, ku mungon dëshmia dhe hetimi, për ish-sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie aso kohe, Plarent Ndreca, si dhe për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ard Veliu, firmëtari i dakordësisë për specifikimet teknike në tenderin 28 milionë euro, ku u dënuan specialistë të niveleve periferike.

-Olta Xhaçka

Investirorja strategjike bashkë me të shoqin e mbrojtur egërsisht nga Rama, ndonëse Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë heqjes së mandatit të saj. Një procedim penal për bazat detare e tendera në Ministrinë e Mbrojtjes, drejtuar prej saj në kohën e pandemisë, nuk janë histori të mbyllura. Historia e marrëveshjes me detin për zonën ekonomike me Greqinë, si dhe thesare të dosjes “41” të Ministrisë së Jashtme janë një tjetër minë me sahat e pashpërthyer.

-Belinda Balluku

Zëvëndëskryeministrja Balluku, askush nuk kujtohet të hetojë nga Prokuroria e Posaçme anijet amerikane scrap në Vlorë, kontraktuar për energji me prodhim zero, por marrin 90 mijë euro në ditë e zonja Balluku duhet t’u rrëfejë hetuesve të dremitur. Tendera rrugësh e tunelesh në Llogara e në Rrugën e Arbërit, ku abuzimet qindra milionë euroshe ulërasin, por ende nuk shfaqen të pandehurit, duke rrëshkitur me një drejtor rrugësh të arrestuar, thua ai ka firmosur nga Kina e jo nën hyqmin e Ballukut. Një hetim pasuror, gjithashtu është aty, ende pa një përfundim rezultatesh, për ministren e preferuar të kryeministrit.

-Frida Krifca

Ish-ministrja e Bujqësisë, e ka pasur hetimin më elitar. Zyra e hetimit të fondeve të BE, OLAF, solli investigimin për 33 milionë euro qokash për t’u kthyer nga mashtrime e abuzime e ngrirje të 110 milionë eurove të tjera, si projekte ndihme për fermerët. Prokuroria e Posaçme nuk di kë të thërrasë më pare. E zonja e ka një biletë vajtje në këtë institucion për të rrëfyer napolonin e qerasjeve me para të taksapaguesve europianë, shoqnisë së partisë e jo fermerëve të bujqësisë.

-Anila Denaj, Ervin Mete, Ogerta Manastirliu, tre ministra të thirrur për vendime e firmosje në historitë e financave për inceneratorë e koncensione, për dosje të tjera, ku paraja publike është plaçkitur nga kolegët e tyre. Denaj, gjithashtu duhet të mbërrijë të flasë për gjendjen e frikshme të sigurisë ushqimore, ku kallëzimet e rënda të bëra publike, nuk mund të mbeten pa përgjegjës. Gjithashtu, Albana Koçiu, minsitre e Shëndetësisë duhet të kishte mbërritur për të dëshmuar për skandalin e Onkologjikut, për historitë e ilaçeve, mjekimet e të vdekurve e marketin vrasës në mjekësi. Afro 25 bashkiakë janë në një situatë të tillë nga burgjet në të pandehur e në pritje, së paku dy të tillë për tu arrestuar. Kërkohen faqe shumë për të renditur drejtorë administrate e oficerë policie, të çdo niveli, të përfshirë në Krim të Organizuar, ndonëse shumica ende vijojnë nëpër zyra. Çdo Mafie në planet nuk do e besonte se ka qeveri konkurruese me të, në këtë mënyrë rreshtimi kriminal. Por, Shqipëria dhuron këtë model të pahasur askund…
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco