Moti sot dhe parashikimi për nesër

Moti sot dhe parashikimi për nesër

Nga Lutfi Dervishi - 22/07/2024

Mbi vendin tonë do vijojnë të mbizotërojnë temperaturat e larta të shoqëruara me shpërthime të ç’rregullta tritoli, një fenomen atmosferik që disa meteorologë lokalë e kanë pagëzuar “mot i larjes hesapeve”.

Shpërthimet do të jenë të përqendruara kryesisht në zonat urbane, me intensitet të lartë në Fushë-Krujë, Durrës, Vlorë dhe Fier. Banorët këshillohen të mbajnë me vete jelek antiplumb dhe maska kundergazi.

Makina të djegura do të gjenden në periferi të këtyre zonave, duke krijuar atë që parashikuesit e motit e quajnë “stuhia e veturave”. Policia do të kapë viktimat dhe pas një kontrolli të imtësishëm do të konstatojë se kufomat nuk kanë para në xhep dhe nuk kanë humbur asgjë tjetër veç jetës.

Zjarret do të jenë të përqendruara në lartësitë mbi 500 metra mbi nivelin e detit, duke ofruar një panoramë spektakolare për turistët me prirje masokiste.

Avionë nga Greqia, Italia dhe Turqia do të fluturojnë mbi vatrat e zjarrit në Macukull, Himarë, Llogara dhe Gjallicë. Në një përpjekje heroike për të shpëtuar atë që s’mund të shpëtohet, uniformat ushtarake do të luftojnë flakët me thupra, duke dhënë një shfaqje të shkëlqyer për audiencën ndërkombëtare.

Zjarret në koshat e plehrave do të veteshuhen, ndërsa tymi dhe era do të rrisin presionin atmosferik pranë qendrave të banuara, duke sjellë atë që meteorologët e quajnë “sindromi i saunës urbane”.

Era (e gropave septike) do të fryjë lehtë në ultësirën perëndimore dhe jugore, duke sjellë një freski dhe aromë të veçantë për banorët dhe turistët sezonal.

Për shkak të shpejtësisë pritet rritje graduale e numrit të aksidenteve e shoqëria me rritje të shpejtë të postimeve të ministrisë së Brendshme në rrjetet sociale. Kujdes, ndjekësit në Instagram të Ministrisë së Brendshme mund të përjetojnë “goditje emocionale”.

Shpërndarja e ujit për turistët do të vijojë rregullisht kryesisht në pikat kufitare të ultësirës perëndimore dhe në aeroportin Nënë Tereza.

Euro do të pësojë tronditje të forta, veçanërisht në javën e parë të muajit gusht, si rezultat i prurjeve të bollshme me origjinë nga Veriu dhe Perëndimi i kontinentit tonë, duke krijuar një valë ekonomike të ngjashme me cunamin financiar.

Veprimtaria agjenturore me bazë në Greqi, Serbi, Rusi, Kinë dhe Mal të Zi do të vijojë me rritjen e çmimit të shezlongëve, çadrave, dhomave, ushqimeve, dhe të gjitha llojet e pijeve, me përjashtim të fotoksinës, e cila këtë javë është në ofertë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco