Piktori leksion vlonjatëve: Gjuetia e turistëve

Piktori leksion vlonjatëve: Gjuetia e turistëve

- 20/07/2024

Pranvera Shehaj:

Po cilët të shqetësuam vallë që përpëliteshe në nervat e mosgjetjes së një shtegu ku ta lije fajin? Ç’të pabërë të bëmë ne vlonjatët ty piktor, ty që sa herë na troket në derë në prag fushatash ta hapim derën me sofrën plot, herë me iso e herë pa iso, si ta kesh midenë zotrote. Cilët të shqetësuam pra? Polakët, çekët, gjermanët, ndonjë hollandez sporadik apo miqtë italianë të përtej detit? Faj të rëndë shumë duhet të mbajmë mbi supe që ta prishëm terezinë në këto kohëra kur kështjellën e rërës për turizmin, me plot miq e gazetarë me dhe pa flokë, aq lart e kishe ngritur. Dhe tak! Si qoftëlarg të dolëm ne të pabindurit e të prishëm punë. Hidhe pas krahëvepiktor,ndodh që nëpër të meta të bëjmë gabime edhe ne vlonjatët.

U kërkove llogari vlonjatëve piktor, se kinse të paskan shkërrmoqur reputacionin e Shqipërisëe të kërcënojnë tërheqjen mbrapsht të 10 milionë turistëve. Çmimet, normale a të përçartura qofshin kanë vite që janë po aq, e vite kanë edhe vlonjatët që akoma gjurmojnë ndonjë gur të lirë në gjiret e bukura të perlës që u ka rënë për hise. Por ti nuk u mërzite për ta piktor! Hotelet, resortet, plazhet private me luksi-resortet, që as e kanë ulur as e kanë rritur stekën, nga ne vlonjatët kanë vite që shihen me dylbitë e përtej detit, e shpesh mbushen vetëm me shqiptarët e Shqipërisë së mesme e të Veriut, që mirëpritjen na e kthenin duke na e mohuar edhe emrin e qytetit, e duke na quajtur thjesht “Jug”. Me kokëfortësinë labe, po njësoj po ua kthej edhe unë. E shejtanllëku që na karakterizon nga pak ne “jugorëve“ të Vlorës seç na rrëfen në vesh se është terminologji e qëllimshme që e ngjizi pushteti yt me kërkesë të pronarëve të luksit, për ta grupuar e diferencuar nga pjesa tjetër e vendit, me qëllim profilizimin e saj vetëm për turizëm elitar. Saherë na e fshinin emrin, nga hyrja e qytetit deri në Himarë, ti nuk u mërzite piktor.

Vlonjatët e kanë parë turizmin qoftë vendas a me turistë të huaj, shumë përpara se qytete të tjera të Shqipërisë të kuptonin vlerat që mund t‘i hapnin drejt turistëve. Zilia mos plastë se është me fat e jo me inat, por turizmin si bëhet e si kollandriset nuk dimë më kujt t‘ia mësojmë piktor, ndaj vështirë se i përfillim këshillat në këtë drejtim. E megjithatë megalomania dhe përpëlitja për ta shkarkuar fajin e nisjes së shkërrmoqjes së kështjellës së rërës, t’i stimuloi tonet e ashpra përkundrejt nesh. Pse kaq mosmirënjohës piktor? Ne na zë turpi e sikleti të ta trazojmë gjumin edhe pse na i shkërmoq mundësitë e punës kur çdo gropë të mundshme dhe andrra asfalti i hap si varre në çdo cep të qytetit në mesin e sezonit turistik. Ne nuk ta trazojmë mbretërimin ndërsa ti përpin si lugat imortal çdo centimetër tokë të lirë të vijës bregdetare dhe pështyn pacipësisht mbi premtimin që u dhe vlonjatëve për lirimin e detit. E rrëfenjat e fëmijërisë duhet të ta kenë dëftuar mirë ku nis e ku mbaron bekimi detar i vlonjatëve me sytë e bukur jo të një, por dy detëve qëndisur me dy xhevahirë malesh në mes. Ndaj dhe ti, i zoti siç je për të marrë gjithçka nuk të përket, ia kolonizove Vlorës çdo xhevahir të saj, ama hiç s‘ke faj, është xhevahir fund e krye në fakt, kanë qenë më burra e nuk i kanë rezistuar dot. Pse kaq mosmirënjohës piktor? Nuk kanë kaluar as shtatë a tetë cikle hëne e dielli mbi det, nga dita kur ta bëmë zakonin e të respektuam kur na urdhërove prej alla-metropolit në Llogara për të na dhënë sihariqin se pakse hapur një tunel që çon vlonjatët nga Vlora në Vlorë, më saktë nga Vlora qytet në një fshat të bregut të saj (prapë për qartësi terminologjie). Llogaritë e kësaj vepre të rilindur t’i kanë bërë të tjerë e mua më mbetet veç të të kujtoj se si e shkretove me një të rënë të lapsit, sërish në mes të sezonit, tërësinë e bizneseve të ngritura prej fillim-viteve 90‘ në parkun e Llogarasë, se të qan zemra vetëm për pronarët e rilindur me ty si zenginë të perlave të vlonjatëve të bregut. 

Pse kaq mosmirënjohës piktor? Kur ti shkarkoje demek milionat e turistëve në Vlorë,  ne rregulloheshim mes vetes dhe ta ruanim fytyrën ty e shtetit tënd turistik pa asnjë infrastrukturë në ndihmë të zhvillimit të turizmit. Nuk numëroj sa herë më është dashur e na është dashur të transportojmë turistë të huaj në pika të ndryshme të qytetit tonë e drejt brigjeve të tij, të mjaftuar vetëm me mirënjohjen e tyre.

Më mirë se kushdo e di ti piktor, se herët ose vonë padijes tënde prej plangprishëri se tokë e kujt ishte Kosova, ti e shteti që drejton do t‘ia vuante peshën. Kot rrekesh e ngërdheshesh ndaj vlonjatëve piktor. Shqiptarët e Kosovës e kanë detyrë fëmijërie ta vizitojnë shtëpinë e flamurit shumë më shumë se ata të Shqipërisë, ndaj këtë vit nuk lanë Vlorën, por kështjellën tënde shtetare prej rëre, tradhëtinë tënde politike, në këmbim të mundësisë që patën si tokë e lirë shqiptarësh të lëvizin të lirë.

Na qartëso së paku piktor se na e ke trazuar gjumin e mirë është t’i rindërtojmë urat pa vonesa se kalojnë shpejt muajt, e ti do na bujtësh për ekzibicionizmin e fushatës duke kërkuar ta bësh kraharorin po aq gropë sa tonin teksa thua sa të këputet zemereku për Vlorën. A nuk doje turizëm elitar piktor? Gabim stratego-teknik paske bërë. Megjithatë, merre një këshillë vlonjate: përzgjidh turistët siç ke përzgjedhur cila elitë do zaptojë çfarë e do të ndërtojë ku piktor. Turizmi elitar do elitë piktor, andaj përvishi mëngët e nis rekrutimin.

E për t’i thënë dy fjalë të fundit: Unë e di se fakti që bejlerët e anëve tona kanë firmosur edhe ligjet edhe shtetin që sot aksidentalisht ti e spërkat me bojërat e tua, të ka e ju ka ngulitur në mendje se durojmë e jemi trima. E megjithatë, tjetër herë jo aq lart tonin e zërit piktor, njerëz deti jemi, bën vaki edhe trembemi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco