Duaje Shqipërinë edhe kur atë e drejtojnë hajdutët e ‘Rilindjes’

Duaje Shqipërinë edhe kur atë e drejtojnë hajdutët e ‘Rilindjes’

Nga Kim Mehmeti - 19/07/2024

Duaje Shqipërinë edhe atëherë kur treqind kilometrat nga Shkupi deri në Milot i kalon për tre orë, e njëzet kilometrat nga Miloti deri në Lezhë për dy orë, sepse atë e drejtojnë njerëz që nuk e kanë kuptuar se rrugët janë ‘damarët’ e tokës. Dhe se kur ato mbyllen, siç ndodhë shpesh në Shqipëri, atëherë shteti përjeton ‘infarkt’.

Vazhdo ta duash Shqipërinë edhe kur e dinë se gjysma e qeveritarëve të saj janë në burg. Dhe mos ia dëshiro zvogëlimin e numrit të pushuesve as kur e dinë se në bregdetin e saj jugorë ndërtojnë hotele e shtëpi luksoze edhe narko-mafiozët dhe hajdutët e Bashkisë së Tiranës, edhe atë jo pse duan ta zhvillojnë turizmin, por që t’i pastrojnë parat e pista dhe t’i fshehin ato që ia kanë vjedhur popullit.

Shqipërinë duhet dashur edhe më shumë sot kur ajo ka elita mjerane të pandjeshme ndaj fatit kolektiv të shqiptarëve. Pra sot  kur ‘mendimtarët” e saj të 'pavarur' i kalojnë pushimet në jug, ku japin nga njëqind euro për një shezllon, ngaqë Piktori ua paguan shtrenjtë heshtjen e të vërtetave si dhe, rolin e ‘vajtojcave’ të shtirura të përnatshme nëpër ekranet televizive.  

Duaje pa kushte Shqipërinë edhe kur nuk mund të pushosh në bregdetin e saj jugorë, por në Velipojë, aty ku nuk të shoqërojnë djemtë me makina të shtrenjta që ua kanë blerë baballarët hajdutë, e as bukuroshet që në trup kanë më shumë silikon e botoksë se sa muskuj. 
Pra Shqipërinë duhet dashur gjithmonë, edhe kur pushon mes   gjyshërve 'skamnorë' që asaj ia kanë dhuruar rininë, e që tani kujdesen për nipërit e mbesat e tyre si dhe, mes djemve e vajzave që i mbajnë për dore prindërit e tyre pleq, e të cilët nuk i freskon gjithaq uji i detit, sa kujdesi dhe dashuria e pasardhësve të tyre.

Duaje dhe ndihmoje edhe më shumë Shqipërinë e sotme, këtë që e drejtojnë hajdutët e ‘Rilindjes”, e të cilët ndaj saj sillen si piratët ndaj anijes që u ka rënë në duar: pasi ta plaçkitin, të duan edhe ta fundosin. Që kurrë as ata vetë të mos e marrin vesh se cili prej tyre çka dhe sa ka vjedhur prej saj. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco