Plaçkitja e paraqitur si ‘krim intelektual’

Plaçkitja e paraqitur si ‘krim intelektual’

Nga Alfred Lela - 17/07/2024

Në fillim duhet anashkaluar miti që një pjesë e medias, komentariatit politik dhe politikës vetë ka ndërtuar për SPAK si një organizatë me shpatën e drejtësisë dhe të pagabueshmërisë. Janë disa prova të mëdha që e kundërshtojnë këtë. SPAK nuk duhet të ‘shenjtërohet’ si lopa në Indi, kafshë që bredh rrugëve me më pak kufizime se njerëzit dhe makinat. Nëse lopët në Indi pengojnë pamjen dhe qarkullimin, një vështrim i SPAK si ‘i paqortueshmi’, mjegullon logjikën.

Kështuqë, le të jetë SPAK, si çdo institucion tjetër i kritikueshëm dhe të shihet si i gabueshëm.

Pjesë e ndërtimit të mitit të SPAK, ndër më kryesorët, kanë qenë sondazhet televizive ku Prokuroria e Posaçme 'shkëlqen' me rreth 70 përqind të besimit të shqiptarëve.

Ndërkohë që mund të jetë kështu, pyetja e parë që duhet bërë është: pse e beson populli SPAK, se sheh drejtësinë e bërë, apo sepse argëtohet nga spektakli, argëtimi dhe shpagimi? Pra, nëse po dënohen dhe burgosen disa vetë në vend-sa mirë, oh, ç’u kënaqëm!- a po vendoset vërtetë drejtësia? Miratimi popullor për dënimet e SPAK është si ndeshjet e përgjakshme të gladiatorëve në Romën e lashtë, ku populli kërkonte dënimin duke ulur gishtin poshtë apo faljen me gishtin lart.

Është pra një pjesëmarrje në linçim më shumë se vendosje e balancës në peshoren e drejtësisë.

Nuk është vetëm linja logjike që lidh apo ndan gjërat, që e përmbys aprovimin me 70 përqind për SPAK-më së pari si amatorizëm-por edhe vetë ‘gjuha’ dhe ‘gjuha e trupit’ të shefit të SPAK, Dumani.

Në përballjen me deputetët në raportimin vjetor të veprimtarisë së institucionit, z.Dumani nuk u soll për asnjë moment si shefi i një ‘partie’ që ka 70 përqind, por sikur nuk përfaqësonte më shumë se 0.7 përqind. Mund të ketë në këtë rast një shpjegim të tipit: nuk ka përvojë publike dhe është i intimiduar nga skena e madhe, ndërkohë që ata përballë tij kanë një apo dy dekada në përplasje politike.

Nuk është kjo, sepse gjuha e trupit komandohet nga ‘kode’ të brendshme, jo ndikime të jashtme, dhe mimika e Dumanit nuk ishte e një rishtari në përplasje, por e një të kompleksuari apo të dikujt që sikletoset kur ajo që thotë dhe ajo që din janë në kontradiktë. Si kur u pyet për arrestimin e Berishës, si për incineratorët, si për ‘vijën e kuqe’, shefi i SPAK përçoi këtë kontradiktë.

Në këtë mënyrë ai kontradiktoi edhe sondazhet ‘miqësore’.

Cilido qoftë ‘besimi popullor’ për SPAK, e vërteta është e thjeshtë: Prokuroria e Posaçme ende nuk ‘ka hedhur në erë’ asnjë prej çështjeve të mëdha të korrupsionit ekonnomik dhe politik. I ka trajtuar po, shterruar jo.

Të fshehurit e mos-suksesit pas shprehjes se ‘krimi është intelektual’ dhe si i tillë i sofistikuar dhe i vështirë për t’u zbuluar, është një fyerje më vete (jo për popullin, por për publikun). Vjedhje më të trasha se këto të dekadës socialiste nuk mbahen mend në Shqipëri që nga viti 1913 kur nëpër atdhe poshtepërpjetnin disa ushtri të huaja e qindra banda plaçkitësish vendas.

Plaçkitja nuk është ‘krim intelektual’, është një marrje me forcë në sy të të gjithëve, shoqëruar me parajamërimin: mos e hap gojën!

Te arsyet e mos-hapjes së gojës mund të gjenden edhe ngërçet në gjuhën e trupit të z. Dumani.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco