‘Ata të vuajturit gjer në dhimbje, të urtët gjer në madhështi’

‘Ata të vuajturit gjer në dhimbje, të urtët gjer në madhështi’

Nga Agim Xhafka - 17/07/2024

Kioskat ku ndahen pensionet më duken si barakat e kampeve të përqendrimit që kam parë në filma. Ngaqë ulur te dera presin plot fytyra të vrara, të lodhura, të trishtuara. Fiks si portretet e vendosura në ballinat e varreve. Që nuk mbajnë mend vitin kur kanë qeshur siç gati e kanë harruar kohën kur kanë fjetur të ngopur.

Rrinë te ajo barakë dhe mbas hekurave, një gocë e lyer dhe e spërkatur me humor, u hedh ca para që mbarohen sapo ata hedhin këmbën e parë jashtë. Firojnë sikur fluturojnë lart. Pleqtë e ngratë kur dalin nga ai krematorium u rëndohet më shumë kurrizi. Ecin gati përulur me tokën. Dhe bëjnë llogari. Sa para ikin për ilaçe, sa për dritat, sa për një pulë dhe aty ngecin. Nuk vazhdojnë dot më tej numërimin se janë mbaruar qindarkat që shoqëria ua jep me bezdi ndonëse ua ka mbledhur me forcë për vite e vite.

Kështu çapiten drejt shtëpive ndërsa nga televizionet e lokaleve dëgjojnë:

-Qeveria u jep pension special.... te gjithë atyre që ende punojnë, që dhëmbët i rreshtojnë mbi implante, që bëjnë masazhe në salla dhe not çdo ditë në pishina.

E nuk marrin inat, nuk flasin, nuk mallkojnë. Ecin dhe bëjnë prapë llogari. Sikur të heq ilaçet një muaj, vetëm një muaj, mbase nuk vdes. Dhe me ato para të ble një palë këpucë, apo gruaja të lyejë flokët se u bë viti që nuk ka hyrë në parukeri. Ndaloi se nga nxitimi iu mor fryma dhe gati i dolën protezat e dhëmbëve. Dorën e mbante në xhep. Nuk ishte ftohtë, por ruante ato të paktat lekë që mori te barakja. Se qoftë larg sikur t’ia vidhnin. Mbase nuk do vdiste, por infarktin e kishte të sigurt.

Trokiti te dera.

-Pse nuk i bie ziles?- i tha e shoqja.

-Harxhon korrent e flamosura.

Pleqve të barakave u shkojnë vargjet e Kadaresë:

“Ata të vuajturit gjer në dhimbje,

Të urtët gjer në madhështi...”

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco