Dita e 1.319, pas 1.318 ditëve të SPAK në luftën kundër... anti-korrupsionit

Dita e 1.319, pas 1.318 ditëve të SPAK në luftën kundër... anti-korrupsionit

Nga Nga Gent Strazimiri - 12/07/2024

Ditën e 1.318 të hetimit ndaj Sali Berishës, kryedenoncuesit të korrupsionit të Edi Ramës, Erion Veliajt, Frida Krifcës, Ilir Beqajt, Belinda Ballukut, Lefter Kokës, Damian Gjiknurit etj., SPAK kërkoi edhe 83 ditë të tjera shtesë për ... hetim!?

I kërkoi, megjithëse kishte 1.318 ditë që e hetonte, prej të cilave 193 ditë nën arrest dhe, nuk gjeti dot asnjë provë as sa për të ngritur një akuzë formale ndaj Sali Berishës.

Në këto 1.318 ditë të shpenzuara për të "hetuar" Sali Berishën, SPAK mund t'i kishte kursyer shumë halle e para' këtij populli që nuk po ia del të sigurojë tre vakte për fëmijët e vet.

Mund të kishte parandaluar një mori ngjarjesh kriminale duke nisur nga vrasjet mafioze tek vjedhjet mafioze dhe të pastronte vendin nga disa fëlliqësira mafioze, krejt të njohura e të denoncuara publikisht pothuaj në 100% të rasteve nga... Sali Berisha...

Nga 1 dhjetori i 2020 kur regjistroi brenda orës çështjen për Sali Berishën, SPAK mund të kishte hetuar edhe të mirënjohurin për lidhjet publike kriminale, Taulant Ballën, që u vajti në derë me dokumenta falso si "denoncues" i denoncuesit të vet.

Këto 1.318 ditë, SPAK mund t'i kishte shpenzuar për të hetuar të shumëdenoncuarit, "zhanvalzhanët" e Edi Ramës, Ndokajt e Rrajat, "baronët" e territorit nga "Rana e hedhun" deri në Urë të Tapizës, të cilët për më tepër, po planifikonin se si të vrisnin njëri-tjetrin me vrasës me pagesë të mirënjohur...

Mund të kishte hetuar se nga "e merrte fuqinë" secili nga "investitorët strategjikë" të Shkodrës, "baronët" e drogës e të tenderave ç'kap prej Vermoshi deri tek "Rana e hedhun", të cilët po ashtu po vrisnin njëri-tjetrin me prita e besëprerje, menjëherë pas, apo fill para se të takonin Edi Ramën, Spiropalin apo Beqen...

Mund të kishte gjetur e arrestuar pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, mega-aferës korruptive të shekullit, që do ia kishte zili edhe çdo territor afrikan nën sundimin e diktatorit më "piktoresk" të radhës...

Mund të kishte hetuar deklaratat e Arben Ahmetajt i cili, për fat ishte nën hetim dhe, të kishte arrestuar personin mbi zëvendëskryeministrin që e ka pushtetin të mbledhë 17 herë Këshillin e Ministrave për të miratuar 17 VKM brenda 24 orëve, për të vjedhur 420 milionë euro...?!

Mund të kishte hetuar dhe vënë pas hekurave mafiozët që nxorën online çdo të dhënë sekrete të këtij shteti, përfshi databazën e spiunëve dhe hyrje-daljet e mafiozëve, madje menjëherë pasi Taulant Balla, "denoncuesi" i Sali Berishës, vuri këmbë në Ministrinë e Brendëshme..

Mund ta kishte bërë por nuk e bëri! Kështu e zgjodhi vetë!

Zgjodhi të shpenzojë paret tona duke "hetuar" e arrestuar jo krimin e korrupsionin, por anti-korrupsionin, anti-krimin, kryedenoncuesin e të gjithë sa më sipër... Sali Berishën!

Nëse disa prej të sipërpërmendurve sot janë në burg, është ekskluzivisht si rezultat i denoncimeve zyrtare, me prova e fakte, të opozitës së drejtuar nga Sali Berisha, ose të materialeve të ardhura të gatëshme nga partnerët evropianë.

Në asnjë rast "kryesisht" apo për shkak të "punës hetimore të SPAK".

I vetmi "kontribut" i SPAK, është njoftimi i fëlliqësirave të mirënjohura si bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, e kësisoj implikues të Edi Ramës që të largohen...

E ka bërë po ashtu publikisht, përmes "mjerove" të studiove televizive që kanë "burime në SPAK" e që gjithmonë dalin të vërteta...?!

Ata i kanë njoftuar live, që të marrin masat e të largohen se "po përgatitet një mega-operacion që nuk shmanget" dot se materialet i ka kopsitur prokuroria gjermane, a belge, a franceze... me standard euro-atlantik...

Ky është bilanci i këtyre 1.318 ditëve që nuk mjaftuan për të mbledhur "prova" mjaftueshëm as sa për të marrë "të pandehur"... Sali Berishën...

Këto 1.318 ditë treguan se ndryshe nga 1.319 ditë më parë, korrupsioni tashmë zotëron edhe "drejtësinë", totalisht!

Përmes saj, e kryesisht përmes SPAK e GJKKO, korrupsioni po dëshmon se organizimi kriminal është në nivel politiko - mafioz, madje në shkallën më të lartë të mundëshme, atë transnacionale.

Në thelb, nuk janë 1.318 ditë të shpenzuara krejt kot, sepse janë prova e gjallë e faktit që aspirata euro-atlantike e kësaj shoqërie për "një shtet të drejtuar nga ligjet e jo nga individët", është më e largët se kurrë.

Por, ditën e 1.319, bulevardi "Dëshmorët e Kombit" i tejmbushur me qytetarë të lirë, rikonfirmoi se Sali Berisha nuk është vetëm përballë mafies me pistoletë, stilograf apo me frak e papijon;

Se Sali Berisha nuk ka dashur, nuk është e nuk ka qenë kurrë mbi ligjin, e për këtë arsye qëndron i pathyeshëm mbi çdo individ, sado i fuqishëm e i pushtetshëm të jetë;

Se Sali Berisha është tashmë pika fokale e materializimit të fuqisë më të papërballueshme në historinë e njerëzimit:

* të fuqisë së bashkimit të të pafuqishmëve.

Ky është lajmi i mirë, për nesër e në vazhdim!

Të tjerat janë telepallavra pensionistësh politikë e jo politikë, të rinj e të vjetër në moshë që i lidh vetëm një diagnozë: impotenca, e shkaktuar nga moskurajoja për të mbrojtur një kauzë publike pa marrë paraprakisht një përfitim me një pazar personal!

 

Kaq!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco