Lajmi i fundit

Po ndodh/ Zjarri përhapet pranë resorteve në Shëngjin, tmerrohen turistët

11 korriku, protesta për ata andej dhe këtej Tunelit të Llogarasë

11 korriku, protesta për ata andej dhe këtej Tunelit të Llogarasë

Nga Alfred Lela - 11/07/2024

Sot në ora 20.00 Partia Demokratike dhe aleatët e saj në opozitë, thërrasin një protestë kombëtare e cila, për vëmendjen neutrale politike është “një protestë në radhën e të tjerave”. Por nuk është kështu.

Si fillim, kjo është protesta e parë kombëtare pas burgosjes, qartësisht politike dhe të porositur, të shefit të opozitës, Doktor Berishës. Edhe pse protesta nuk thirret për këtë motiv, është e pashmangshme pesha e këtij kufizimi të padrejtë politik që i bëhet Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi.

Së dyti, protesta mblidhet për herë të parë nën skeptrin e një Partie Demokratike e cila nuk është më në ‘ilegalitet’, siç ishte për thuajse dy vjet, e gjysmuar, e dyzuar, e nëpërkëmbur nga një vullnet i mbrapshtë i qeverisë, segmenteve të drejtësisë dhe ‘grupimit Basha’, që i dha kosto jo vetëm demokratëve, por shoqërisë dhe balancave të saj. 11 korriku është rrjedhimisht një kthim i flamurit, simboleve, legalitetit të PD-së, më të madhes në opozitë dhe shenjueses më shembullore të paskomunizmit shqiptar.

Nuk pritet dhe nuk duhet të jetë një kremtim, por demokratët dhe të gjithë ata që besojnë se vendi nuk mund dhe nuk duhet të ketë një parti-shtet, e meritojnë një buzëqeshje që u vjen nga historia dhe e ardhmja.

Së treti, protesta e 11 korrikut mblidhet në Tiranën e asfiksuar, jo vetëm nga vala afrikane e të nxehtit, por edhe nga furrnalta e disa skandaleve të Rilindjes. Mund t’ia fillosh po të duash nga makabriteti i Onkologjikut, që është ndoshta shenja më spektakolare dhe e errët e dështimit në shëndetësi të Edi Ramës dhe premtimit të tij të pabesë për ‘shëndetësi falas’. Ose të zgjedhësh një dramë që shpërfaq mijëra drama, atë të Pal Trashajt, lezhjanit 63-vjeçar, që u sakrifikua në dyert e SPAK i përndjekur nga përmbaruesit dhe i padëgjuar nga drejtësia dhe shoqëria, për një borxh minimal që u kthye në një mal peshës së të cilit i shpëtoi vetëm me anë të vetëflijimit.

Si mundet që protesta e 11 korrikut të mos jetë edhe lumi që bashkon përrenjtë e 15 javëve tubime energjike dhe qëndrestare para Bashkisë së Tiranës, nën të nxehtin e një vere që s’të fal dhe trysninë e një policie që është më e vendosur përballë shqiptarëve të zakonshëm se kriminelëve të jashtëzakonshëm të këtij vendi. Për një skandal që përfshin gjithë strukturën drejtuese të Bashkisë dhe qindra miliona euro të një skeme që e kalon vjedhjen nga 20 përqindshi klasik në 100 përqind, dhe përbën qartësisht, siç edhe një gjyqtar me guxim e vendosi ‘punën e një grupi të strukturuar kriminal”?!.

Si mund të mos jetë 11 korriku edhe alarmi i fundosjes së shoqërisë shqiptare në anën e këtejme të peshores, ku populli peshon 200 gramë dhe të pasurit e resorteve 200 tonë? Ku shqiptarëve të thjeshtë nga Tirana në Dibër, dhe bashkatdhetarëve përtej kufirit verimaqedon, iu zvarritet e mohohet “Rruga e Arbrit” prej 11 vitesh, ndërkohë që një grushti macesh të dhjamura në Palasë e Dhërmi u jepet dhuratë një tunel 180 milion euro, që e shkurton kohën me 15 minuta, ka kosto stratosferike në raport me përfitimin turistik, nxjerr jashtë loje biznesin e vogël në Qafë të Llogarasë dhe shkakton shëmti dhe ndotje mjedisore në luginën e mrekullueshme të Orikum-Dukatit?!

Kjo është Shqipëria e Edi Ramës në një snapshot (fotoçast). Mund të shkohet thellë te incineratorët, gjysma e qeverisë në burg, implikimi në narkotrafik i Policisë, siç e dëshmojnë dosjet e shërbimeve të huaja, një drejtësi luksi që arreston shefin e opozitës dhe ‘kompenson’ me ata që hanë kumbulla pas shpinës së Mbretit, ndërkohë që vargmale me dosje, pengje, dhe jetë shqiptarësh të zakonshëm (mijëra Pal Trashaj) zënë pluhur në gjykatat e pezulluara të Shqipërisë?

Mund të gërmohet thellë në këto 11 vite të mbrapshta të Rilindjes, por siç thotë Bibla, ditës së sotme i mjafton pikëllimi i vet.

Ja pse 11 korriku nuk është një protestë si të tjerat. Do të dëgjoni, andej-këtej përroskës mediatike, se nuk është kështu, por vini re se kush e thotë. Janë tifozët dhe përdoruesit e tunelit të Llogarasë. Protesta nuk është për ta, por për mbi 51 përqind të shqiptarëve që, sipas statistikave zyrtare, nuk bëjnë fare pushime verore… sepse nuk kanë mundësi.

Këta janë shqiptarët e 11 korrikut. Ata të tjerët kanë 4 korrikun, datëlindjen e Mbretit, festë kombëtare. Për nder të saj t’lagin me shampanjë në Palasë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco