Ç’tregon 4 gushti për zgjedhjet e ardhshme

Ç’tregon 4 gushti për zgjedhjet e ardhshme

Nga Andi Bushati - 09/07/2024

Shpallja e beftë e garës elektorale për Himarën, në 4 gusht, përbën provën më të mirë për të kuptuar se çfarë zgjedhjesh të përgjithshme farsë do të kemi në pranverën e ardhshme.

Ajo që pati ndodhur deri më tani përbënte më vete një skandal. Edi Rama përdori një polici që fabrikon prova, të mbështetur nga një dyzinë delenxhinsh në SPAK dhe në GJKKO, për të shndërruar në nul verdiktin e votuesve të 14 majit.

Në këtë kalvar 14 mujor, ne pamë të sfilonin dëshmitarë të rremë si Arsen Rama, kryepolicë me mendësinë e KGB-së, si Ermal Hajdini, procesverbale të fallcifikuara përgjimesh, prova të marra në mënyrë ilegale, para blerjesh votash nga të cilat ishin “zhdukur” gjurmët e paguesit, çertifikata penaliteti të fallcifikuara, vendime gjykatash për dëshmitarin e rremë që u mbajtën të fshehura.

Ky zinxhir manipulimesh, që është shumë më i gjatë, përmban brenda vetes një konkluzion të thjeshtë: zgjedhjet, vota e lirë, loja demokratike kanë vlerë, vetëm nëse përfituesi prej tyre i pëlqen Edi Ramës. Nëse është e kundërta, në vend që të gëzojë mandatin e popullit, ai përfundon në burg. Prandaj, prej kësaj fabule ngrihet pyetja se, ç’vlerë ka të hysh në garë, jo thjeshtë kundër kandidatit të rilindjes, por edhe kundër oligarkëve që e financojnë, gazetarëve që e zbukurojnë, banditëve që e trimërojnë, bashibozukëve të policisë që punojnë për të, mercenarëve të SPAK-ut që i shërbejnë dhe nëse ndodh mrekullia që mund të ngjajë një herë në njëqind raste, pra nëse arrin ta mundësh këtë koalicion të murmë, në fund ta zerojnë gjithçka duke të hedhur prangat. 

Mjafton edhe kaq për të kuptuar farsën e votimeve tona. Por procesi Beleri nuk rresht së na surprizuari. Shpënia me këmbëngulje e planit të eleminimit politik të tij njollosi ditët e fundit edhe institucione të tjera. Ndërkohë që mandatin si kryebashkiak, pasi dënimi i tij mori formë të prerë, ligjërisht duhet ta ndërpriste kryeministri, ky i fundit i shkoi deri në fund lojës së atij që hedh gurin e fsheh dorën. Ai ia la në derë KQZ-së. Dhe me kokën ulur e rrokjet që me zi i dilnin Ilirian Celibashi, përdori trukun e ligjit të dekriminalizimit për ta marrë ai përsipër mbi vete këtë barë. Por, sado i zellshëm të tregohet ish ministri i Ramës që tani bën arbitrin e zgjedhjeve, ligji parashikon që i dëmtuari të ketë kohë për ankimim. Por meqë Rama i donte se s’bën zgjedhjet në 4 gusht, për ti kapur rivalët të papërgatitur, për të shfrytëzuar një kohë kur vëmendja ndërkombëtare është e ulët, në lojën e shërbëtorit u thirr ushtar Begaj.

Presidenti i Republikës pa u konsultuar me kërkënd, sikurse ia kërkon posti, pa pritur afatet e ankimimit të Belerit, e mori të mirqenë djegjen e mandatit të tij dhe i shpalli zgjedhjet fiks në ditën që e urdhëruan. Pra shkurt, zinxhirit të “institucioneve të pavarura”, si policia, SPAK e GJKKO, që në garën e Himarës treguan se u bënë palë, i’u shtuan së fundi edhe KQZ e Presidenca. Ai që do të vendosë të konkurojë kundër rilindjes në 4 gusht, do ti ketë të gjitha këto kundër, duke u lutur që të humbasë, për ti shpëtuar më të keqes…burgut.  

Natyrisht, fati i tij është i paracaktuar, por ai na shërben për të kuptuar një gjë: farsën gjithnjë e më të lexueshme të zgjedhjeve tona. Në këtë këndvështrim, Himara e 4 gushtit, është prova gjenerale e garës së 2025, kur kush do të tentojë të dalë kundër Ramës, do të ketë përballë gjithë shtetin e tij të presonalizuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco