Shkolla e shejtanit - 'Si të heqim përgjegjësinë nga krimet në shëndetësi'

Shkolla e shejtanit - 'Si të heqim përgjegjësinë nga krimet në shëndetësi'

Nga Erion Dasho - 03/07/2024

Kushdo që mendon se Borati nuk ka mësuar asgjë prej Mamaqit në atë përvojën e shkurtër si aktor i dalëboje, gabohet rëndë. Ditët e fundit, Borati dhe manipuluesit e vet të oponionit publik kanë vënë në jetë një skenar të cilin do t'ua kishin zili edhe regjisorët e sprovuar të Hollivudit.

Filmi titullohet "Si të heqim përgjegjësinë nga krimet në shëndetësi", me Boratin dhe Boraten e vet të shëndetësisë që tashmë luajnë role protagonistësh, disa mjekë fatkeqë dhe gjyqtarë të telekomanduar që luajnë role mbështetëse, ndërkohë që si figurantë janë ftuar të luajnë gjithë profesorati dhe elitat e shërbimit shëndetësor shqiptar.

Le ta nisin analizën e këtij produksioni famëkeq nga klishetë.

***
Klisheja e parë është ajo e nevojës për një armik. Sa më të keq! Por kur armiku mungon, sillet ndërmend përvoja e baballarëve shpirtërorë të cilët kishin aftësinë djallëzore të shpiknin armiq sipas nevojës.

Mjaftonte një minifund për të nxjerrë grup armiqësor në kulturë, një tankist për të nxjerrë armiq në ushtri dhe një roje nate i firepsur për të nxjerrë armiq dhe sabotatorë në naftë dhe ekonomi.

Në këtë rast kemi pesë armiq që kanë bërë krimin e "referimit të pacientit në spitalet private". Duke qenë se këtë "krim" e bëjnë çdo ditë me qindra mjekë, atëherë le të shpiken edhe "gjynahe" të tjera për kriminelët.

Përse kanë dashur këta "armiq" të shkojnë në parajsat kapitaliste të Hauait apo Maldiveve me paratë e krimit? Përse kanë toleruar ata një burim radioaktiv në korridoret e spitalit? Përse kanë vjedhur ata medikamente nga kimioterapitë e pacientëve?

Sa për sqarim, skandali i pajisjes radioaktive dhe ai i medikamenteve rezultuan totalisht pa lidhje me rastin në fjalë dhe doli qartë se u përmendën vetëm për të nxitur imagjinatën dhe ndjeshmërinë e publikut.

Në përfundim, kjo klishe rezultoi aq e suksesshme, sa që sot ka një zemërim pothuajse universal ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor. Ata janë sharë, anatemuar, mallkuar jo vetëm nga pacientët dhe publiku, por edhe nga kolegët e tyre, shoqatat, urdhërat, etj.

***

Klisheja e dytë është ajo e policit të mirë dhe policit të keq. Në atë që mund të përkufizohet si skena masive e filmit, u mblodhën disa dhjetëra profesorë e drejtues të QSUT-së për të dëgjuar broçkullat e dy boratëve.

Ministrja e shëndetësisë në rolin e policit të keq, foli për ndëshkime dhe raprezalje, gjoba, heqje license, heqje të drejte për të ushtruar profesionin, komisione ndëshkuese, etj. Borati nga ana e vet mori rolin e babait të rreptë, i cili u përmendi pjesëmarrësve të mirat që u kishte sjellë partia, si spitale të rinj, rroga të larta, medikamente me shumicë, pajisje, etj.

Nga një "skëterrë" para 11 vjetësh, QSUT-ja sipas Boratit na qenka kthyer në parajsë në sajë të dorës së ngrohtë dhe kujdesit të partisë. Madje goja e ndyrë e Boratit përfoli edhe një profesor të nderuar të cilit i veshi djallëzisht autorësinë e frazës së paturpshme "QSUT tani nuk ka asnjë ndryshim nga spitalet europiane".

Këtë skenë të filmit personalisht e kam quajtur të rrezikshme, kobzezë, sepse evokon praktikën dhjetëra vjeçare të sistemit komunist, ku për të mbuluar dështimet, varfërinë e tejskajshme, krijoheshin modele terrori që populli të mendonte "bukë nuk kemi, po të paktën jemi gjallë".

Fati për ata mjekë e etiketuar si "grup kriminal", "vatër infeksioni", "kancer i sistemit", që jetojnë sot dhe jo 40 vjet më parë, pasi me siguri ndonjë prej tyre do ta kishim parë para togës së pushkatimit.

***
Borat dhe boratë!

Çfarëdo që të bëni dhe sado mjeshtër të djallëzisë të jeni, shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë se jeni ju ata që:

》vratë 20 mijë shqiptarë gjatë pandemisë!
》vodhët 500 milionë euro me koncesionet hajdute!
》manipuluat miliona shqiptarë me mashtrimin e sistemit shëndetësor anglez dhe shëndetësinë falas!
》shkatërruat me themel sistemin shëndetësor duke e qeverisur me klarinetistë, kimistë, informaticienë të dështuar dhe balerina!
》vendosët QSUT-në dhe eminencat e mjeksisë shqiptare nën hyqmin e patronazhistëve halldupë të quajtur koordinatorë!
》thatë financat e shëndetësisë duke detyruar pacientët të shesin shtëpinë për të blerë kimioterapinë e fëmijëve me kancer!
》vendosët 60% të barrës së financimit të shëndetësisë në xhepat e shqiptarëve!

Ata të cilëve po u shfaqni paturpësisht filmin "Nuk jam unë fajtori" nuk janë spektatorë, por viktima të sistemit shëndetësor vrasës që ju keni ngritur!

Po! Ju nuk jeni thjesht fajtorë për shkatërrimin e sistemit shëndetësor, ju jeni vrasës të shëndetit dhe jetës së shqiptarëve!

***

Pavarësisht nga tisi holivudian, skenari i filmit të fundit të Boratit mbetet një film kryekëput i Kinostudios "Shqipëria e Re". Ai u kujton shqiptarëve se sot kanë në krye bijtë e etërve të dikurshëm, po aq djallëzorë, po aq mizorë, po aq intrigantë!

Boratët mund të kenë bërë në kinematografi shkollën e Mamaqit, por në politikë kanë bërë shkollën e shejtanit ose më saktë të kukudhit Enver që edhe sot pas 40 vjetëve del nga ferri për t'ju rishfaqur shqiptarëve me metodat e veta të shtypjes, represionit dhe terrorit.

U kam rekomanduar miqve dhe ndjekësve në median sociale të dëgjojnë fjalën e dy boratëve (madje e kam vendosur linkun edhe më poshtë në koment), sepse ata duhet të kuptojnë se tashmë Shqipëria ka shkarë në një diktaturë po aq të rrezikshme sa ajo komuniste.

Nëse nuk reagohet sot duke u bërë pjesë e protestave të përnatshme të opozitës, duke u bërë pjesë e protestave masive si ajo e 11 korrikut, duke pështyrë Boratin dhe boratët sa herë t'i shohin në publik, duke u bashkuar me opozitën në kërkesën legjitime për zgjedhje dhe qeveri teknike, e ardhmja është e zymtë.

Zgjidhja sot është në dorën e shqiptarëve!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco