Pse nuk i besoj censusit të Ramës?

Pse nuk i besoj censusit të Ramës?

Nga Agim Xhafka - 28/06/2024

Se në pallatin tim tani jetojnë thuajse gjysma e banorëve të dikurshëm. Çdo muaj largohen fqinjët e mij.

Se më parë iknin një e nga një, dy e nga dy tani marrin rrugët komplet me fis e familje.

Se drejtuesit e ujësjellësit e thonë hapur; tani harxhohen miliona e miliona metër kub ujë më pak krahasuar me një-dy-tre vite më parë.

Se aeroporti pret miliona turistë sipas qeverisë, por dhe përcjell përditë mijëra shqiptarë. Me biletë veç ikje.

Se ndërsa janë pakësuar shqiptarët, INSTAT guxon e thotë që qenkan shtuar 400 mijë banesa. Mbase janë shtuar dhe më shumë se tani po ndodh që një individ ble një pallat të tërë, me dhjetë kate. Kështu bën pastrim gjigant dhe pastrim ekspres parash nga që koha për trafikantët është vërtet flori.

Se berberi i lagjes qahet për kokat e qethura. Shumë më pak se vjet, thotë ai.

Se shitësi i bulmetit nuk nxjerr as lekët e korrentit.

Se fermeri ka kohë që ruan dhitë e grekut. Në fshat mungon edhe gjeli. S’ka nevojë të bëjë zgjimin e dikujt, nuk ka frymor në dhjetë fshatra bashkë.

Se në Ersekë u ndërtua një pedonale, por nuk po gjenin banorë të ecnin te ajo. Të paktën sa për ditën e përurimit.

Se në zonat urbane s’ka më as ambulanca e as spitale. Si kamxhik dëbimi për banorët e fundit.

Se maturantë sivjet qenë gjysma e atyre që jepnin provim para ca vitesh.

Dhe për shumë të tjera nuk e besoj INSTAT. Që me sa duket punon sipas sloganit të diktaturës: "Nën udhëheqjen e Edi Ramës, Shqipëria marshon nga fitorja në fitorje”.

Dje u shpall rezultati i Censusit 2023. Kuptohet ashiqare që u shpall sipas një sms-je që kryeministri ia dërgoi INSTAT-it.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco