Drejtësia është e Regjimit - asfare iluzion

Drejtësia është e Regjimit - asfare iluzion

Nga Artan Hoxha - 15/06/2024

Vendimi i Gjykatës së Apelit, që konsakroi të drejtat e ekstra shumicës demokrate, drejtuar nga Sali Berisha, mbi subjektin politik “Partia Demokratike”, krahas rikthimit në vendin e vet të së drejtës së uzurpuar nga ekstra pakica e demokratëve të asaj partie, i dha shtysë teorive të ndryshme konspirative: nga ajo që amerikanët tradhtuan Bashën, tek pakti i fshehtë Basha-Berisha për gjoja konflikt sa për t’i hedhur hi syve amerikanëve, e deri tek ajo më e fundit, pakti Rama – Berisha kundër Drejtësisë së Reformuar nga amerikanët e që nënkupton tradhtinë e Ramës ndaj paktit të tij me Bashën dhe amerikanët gjithashtu. Por meqë të gjitha këto nënkuptojnë se drejtësia është e varur nga të paktën një prej këtyre aktorëve politikë, pra asfare e reformuar për së mbari, nuk ia vlen të merrem me to.

Një tjetër teori thotë se ky vendim tregon më së miri se drejtësia e post-reformuar është e ndershme dhe e pavarur dhe rrëzon kështu të gjitha pretendimet e demokratëve berishistë, ndaj pra edhe arrestimi i Sali Berishës dhe akte të tjera të saj nuk janë marrë mbi motive politike në shërbim të Qeverisë, por vetëm akte juridike të ligjshme e të paanshme, maksimumi gabime pa paramendim e në mirëbesim.

Që nuk është kështu, do të mjaftonte konstatimi se kemi të bëjmë vetëm me një akt të drejtë në morinë e akteve të padrejta, edhe të anshme, edhe politikisht të motivuara, dhe pra, siç pranvera nuk vjen me një dallëndyshe, as drejtësia e vërtetë nuk vjen vetëm me një akt të këtillë. Por, teza meriton më shumë se kaq.

Në fakt edhe analiza e kalvarit të gjyqeve të çështjes “Vula e PD-se”, rrëzon e vetme këtë tezë. Konflikti i brendshëm partiak, edhe ai më i fundit në PD, nuk është ngjarje e rrallë. Konfliktet e brendshme në partitë politike janë e zakonshmja. E veçanta në këtë rast kishte të bënte me atë që pakica, qartësisht e këtillë, tentoi dhe uzurpoi për një kohë shumë të gjate, mbi 2.5 vite, të drejtat ligjore të shumicës, qartësisht e këtille, në atë parti, dhe këtë privilegj, këtë përmbysje të paturp të rendit natyror, ligjor e moral, ia mundësoi drejtësia post-reformiste.

Ndonëse një gjyqtar në shkallën e parë, pasi mori në dorëzim të gjithë dokumentacionin e Kuvendit të jashtëzakonshëm të 11 dhjetorit 2021, i shpalli ato konform statutit dhe ligjit, ky akt u bllokua që të regjistrohej e të shpallej në regjistrin e partive, me kërkesa artificiale dhe futjen si palë në proces të një tjetre që nuk mund të ishte palë (siç dhe u vendos së fundmi), akt ky që u miratua edhe nga shkalla apeluese e drejtësisë post-reformë.

Gjithashtu, në dy procese zgjedhore, në mars 2022 dhe maj 2023, grupimit berishist iu mohuan të gjitha të drejtat elektorale të subjektit politik PD, e këto iu njohën grupimit bashist, vendime këto të marra jo vetëm nga pjesa politiko-administrative e KQZ-së, por edhe nga Kolegji Zgjedhor, një segment ad-hoc e i specializuar për zgjedhjet i Gjykatës së Apelit post-reformist. Kolegji arriti deri në absurdin që njohu shkresën mbi njëvjeçare të Bashës që delegonte përfaqësimin tek Alibeaj – këtij iu vu emri edhe në fletën e votimit - ndërsa nuk njohu shkresën e freskët të Metës që deklaronte se përfaqësuesi i koalicionit ishte Berisha dhe imponoi që në fletën e votimit të ishte emri i Metës e jo i Berishës.

Nëse këtu sjellim në vëmendje edhe raste të tjera vendimesh të drejtësisë post-reformiste të tilla si: i gjithë procesi skandaloz i hetimit të deritanishëm dhe i masave të sigurisë ndaj Sali Berishës tërësisht në shkelje të Kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut; hetimi tendencioz dhe moslejimi i Fredi Belerit as të kryeje betimin (gjatë zgjedhjeve 2023 nga dhjetëra kallëzime të opozitës asnjë hetim i nisur a i bitisur nga SPAK ndërsa kallëzimet e vetë policise rilindase që të gjitha vetëm kundra kandidatëve opozitare dhe stafeve te tyre); hetimet e zellshme ndaj eksponentëve të tjerë opozitarë apo “armiqve” nga radhët e mazhorancës dhe hetimet e vetëfrenuara ndaj të përkëdhelurve të kryeministrit; rastet e turpshme të shkeljes flagrante të lirisë së medias siç ai me portalin Lapsi.al apo gazetarin Qyno; atëherë tabloja e drejtësisë post-reformiste, thekshëm e anshme politikisht, bëhet mëse e qartë, ndaj edhe vendimi i Gjykatës së Apelit për “Vulën e PD-së”, mbetet të jetë një rast përjashtimor që e përforcon tiparin e kësaj Drejtësie si Drejtësi Regjimi, nuk e ndryshon atë asfare në të kundërtën e vet.

Si gota qe mbushet nga shume pika uji, deri tek ky vendim u arrit prej disa shkaqeve e faktorëve.

Së pari, shumica demokrate, drejtuar nga Berisha kishte absolutisht të drejtë edhe në proces, edhe në substancë. Nëse fare pak të mos kishte të drejte vendimi, e sigurt, do kishte qenë ndryshe. Gjithashtu, nëse do të ishte marrë vendimi i kundërt, të njihej pra pjesa bashiste si palë në proces, ky vendim do të përbënte një precedent tejet të rrezikshëm për të drejtat procedurale në të gjitha proceset civile, ndërsa pasoja substanciale e tij do të shkaktonte pasiguri të lartë mbi të drejtat thelbësore civile të çdo shumice në çdo organizatë shoqërore, politike apo biznesi - çdo pakice mund të uzurponte të drejtat e shumicës. Me gjasa, edhe Regjimi, edhe Gjykata e Lartë e tij e bënë këtë bilanc në dhjetor dhe nuk u kuturisën që për “hatër të Lulit” të shkaktonin këto dëme kolosale, për rrjedhoje, Apeli Gjyqësor në qershor zbatoi mot a mot “udhëzimet” e Gjykatës së Lartë.

Së dyti, raportet numerike kanë qenë tejet të qarta. Që në fillim ekstra shumica e demokratëve mbështeti e ndoqi Sali Berishën, ekstra shumica e anëtarëve të strukturave, që nga seksionet e deri tek Kuvendi, mbështeti dhe ndoqi Sali Berishën, po ashtu zgjedhësit në dy palë zgjedhje vendore dhe së fundmi, që nga shtatori 2023, edhe pjesa dërrmuese e deputetëve u bashkuan efektivisht në një grup parlamentar dhe ky realitet politik u njoh fillimisht nga ndërkombëtarët, më pas edhe nga Regjimi.

Së treti, aksioni opozitar i kësaj shumice demokrate erdhi në forcim e zmadhim, denoncimet më të shumta e më të thella, protestat më të shpeshta e më intensive, mitingjet si gjithnjë masive, por me kompaktësi dhe vendosmëri në përshkallëzim lart.

Natyrisht e së katërti duhet llogaritur edhe pragmatizmi i Regjimit që fillimisht “mori peng vulën” dhe me pas, “kur mori peng liderin” e la “të lirë vulën”, qoftë edhe me shpresën se me këtë mund të arrije nga brenda, përmes konfliktesh të mundshme për drejtimin praktik të partisë në mungesë të liderit a për nevojë të tij, atë që nuk e arriti nga jashtë me Bashën.

Ndaj Gjykatat dhe Prokuroritë, të të gjitha llojeve e niveleve, bashkë me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë së reformuar, janë qartësisht të Regjimit dhe për këtë s’ka asfare vend për iluzion. Asnjë ndikim nuk ka opozita në këtë sistem. Zero.

Dhe kur them Regjimi, natyrisht që kuptoj Regjimin Rilindës të Edi Ramës, tashmë me kontroll të personalizuar mbi të gjitha pushtetet e këtij shteti, Regjim që ende gëzon, për arsye që dihen a të tjera që mund të hamendësohen, mbështetjen e një rryme të fuqishme politiko-lobiste edhe amerikane edhe europiane me ndikim përcaktues në qeverisjen e sotme të këtyre vendeve, për rrjedhojë mbështetjen zyrtare edhe të vetë këtyre shteteve.

Se sa do vijojë kjo mbështetje, mbetet për t’u parë, por krisjet kanë filluar të duken – pasojë e zullumit XXXL të këtij regjimi dhe dinamikave të reja politike në Amerikë dhe Europë, krisje këto që po ndikojnë deri edhe zhvillimet e brendshme në Drejtësinë e bindur të Regjimit, por që, me nxitjen e duhur, mund të veprojë një ditë papritur si bishti që vret akrepin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco