Shembeni atë mur 'non-grata'!

Shembeni atë mur 'non-grata'!

Nga Arian Starova - 13/06/2024

Kur tre vjet më parë iu drej tova Sekretarit Anthony Blinken me një letër të hapur duke e cilësuar të gabuar përcaktimin e Zotit Sali Berisha si “non-grata”, ende nuk kishin dalë në dritë disa të vërteta që sot vështrohen si fakte të zakonshëm.

Unë i mbështesja arsyetimet e mia vetëm në përvojën time të drejtpërdrejtë mbi veprimtarinë politike të zotit Berisha dhe në kontrastin e thellë të kësaj veprimtarie me atë të kryeministrit të tanishëm Rama. Isha i vetëdijshëm edhe për gabimet e zotit Berisha, por ato ishin pakrahasueshmërisht të parëndësishme kundrejt bëmave madhore të korrupsionit të qeverisë Rama. Pra, Zoti Berisha nuk e meritonte aspak cilësimin si “non-grata”.

Sot, këtyre arsyetimeve të para tre vjetëve u janë shtuar shumë argumente të rinj [superafera korruptuese e inceneratorëve, shpërdorimi korruptues i agjentit të FBI-së, McGonigal, për të dhënë informacione të rremë në dobi të luftës së “rilindjes” socialiste kundër PD-së, Opozitës dhe Zotit Berisha, vjedhja tejet shqetësuese e zgjedhjeve parlamentare të majit 2021 sipas raportit të OSBE/ODIHR-it, rritja e shqetësimeve të argumentuar të raporteve ndërkombëtarë dhe të mediave të huaja mbi “narkoshtetin” shqiptar, zgjerimi i rrethit të hetimeve zyrtarë mbi korrupsionin e qeverisë shqiptare, etj., etj.].

Paradoksi i atëhershëm i cilësimit të Zotit Berisha si “non-grata” dhe i heshtjes ndaj korrupsionit të qeverisë Rama, tashmë është bërë krejt i dukshëm edhe për njerëzit më të painteresuar ndaj problemeve të Shqipërisë. Fatkeqësisht, pesha e këtij paradoksi që atëherë peshonte jo për mirë mbi mendimin e shumë shqiptarëve mbi demokracinë amerikane, sot është rritur edhe më.

Rrjedhojë e cilësimit amerikan të zotit Berisha si “non-grata”, ka qenë përjashtimi i tij krejt i paarsyeshëm dhe i pandershëm nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike [nëpërmjet një vendimi vetiak të ish-kryetarit të PD-së Lulzim Basha] dhe përçarja e kësaj të fundit duke goditur rëndë betejën politike të Partisë Demokratike dhe të Opozitës kundër korrupsionit qeveritar të “rilindjes” socialiste. Dhe pse jo, duke goditur rëndë edhe vlerat demokratike të Shqipërisë.

Edhe tre vjet më parë [kur u lëshua e ashtuquajtura “non-grata”], në kundërshtim me informacionet e gënjeshtërt që shkonin në institucionet e Sh.B.A.-së, nëpërmjet McGonigalit dhe shërbyesve të tij shqiptarë të “rilindjes” socialiste, zoti Berisha ka gëzuar një mbështetje shumë të gjerë në radhët e shqiptarëve. Tani, kjo mbështetje është shumë më e gjerë duke përfshirë brenda saj edhe shumë mbështetës të së majtës, të cilët nuk e kanë pranuar kurrë korrupsionin e socialistëve të sotëm qeverisës.

Kështu, vijmë dashur-padashur te pyetjet: A ishte i drejtë cilësimi i zotit Berisha si “non-grata”? Si u përdor e pavërteta e cilësimit “non-grata” pandershmërisht brenda PD-së dhe në bashkërendim me klanin qeverisës të kryeministrit Rama për të luftuar opozitën shqiptare në emër të një gjoja bashkëqeverisjeje e cila tingëllonte bukur për veshët e atyre ndërkombëtarëve që nuk i kuptonin mirë problemet e qeverisjes dhe të demokracisë së Shqipërisë dhe besonin gënjeshtrat e klanit qeverisës Rama?

A ka shërbyer hija e rëndë e atij cilësimi të gabuar “non-grata” për të ushtruar trysni [politike] edhe mbi drejtësinë shqiptare [gjoja të reformuar], përderisa zoti Berisha, deputet dhe kryetar i Partisë Demokratike mbahet në arrest shtëpie pa asnjë akuzë dhe pa asnjë hetim, përgjatë rreth gjashtë muajve?

Si është e mundur që një qeveri e kaq keqnjollosur sa ajo e “rilindjes” socialiste, ende vazhdon të gënjejë jashtë vendit duke përzier copërat e një gjoja Shqipërie turistike me ahengje patriotikë, ndërkohë që të rinjtë shqiptarë duan fort të largohen prej vendit ?

A ka shërbyer cilësimi “non-grata” si alibi e heshtur dhe e hapur për të goditur demokracinë shqiptare?

A ka ndonjë përgjegjës për cilësimin e gabuar të Zotit Berisha si “non-grata”, apo duhet menduar se i madhi nuk gabon asnjëherë edhe kur dëmet janë shumë të mëdhenj për vlerat demokratike të vendit dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me aleatin tonë strategjik, Sh.B.A.-në?

Natyrisht, nuk më përket mua t‘i kërkoj ata përgjegjës. Mua më përket vetëm të arsyetoj duke respektuar vetëm të vërtetat dhe pa pranuar asnjëherë të ashtuquajturat “të vërteta për shkak të fuqisë, ose autoritetit qofshin edhe kur vijnë nga SH.B.A.

Të nderuar kolegë amerikanë!

Është koha për t’i pranuar të vërtetat e pamohueshme dhe për ta rrëzuar murin “non-grata” që ka dëmtuar rëndë demokracinë e re dhe të brishtë të Shqipërisë!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco