Si u kalua 'rubikoni' i vulës

Si u kalua 'rubikoni' i vulës

Nga Nga Ndriçim Kulla - 13/06/2024

Nuk dua të bëj kompetentin, sepse nuk është se kam ndonjë eksperiencë partiake kushedi në këtë drejtim, as ndonjë eksperiencë në fushën juridike. Por instikti dhe logjika më shpie në një përfundim tjetër nga sa përflitet. Rikthimi i vulës së grabitur sipas mendimit tim nuk është fitore, që ka të bëjë me vendimin  e gjykatës . Jo.

Sigurisht që gjykata formalisht bëri çertifikimin e detyruar, por nuk duhet të kemi iluzione se në këtë drejtësi ka “ishuj drejtësie”. Ky sistem është nën regjim dhe nën një regjim nuk ka kurajë që të dalë  me vendime kundër politikave të tij.

Historia e drejtësisë për vulën është një histori e gjatë dhe e lidhur me stërkëmbësha të tjerë që ka prodhuar regjimi, të cilat koha do t’i nxjerrë në shesh një nga një, atëherë kur dielli i së vërtetës do të bjerë dhe do t’i ndriçojë të gjitha skutat që ka krijuar regjimi i bijve të etërve, për t’u hakmarrë dhe për të sunduar gjatë.

Nuk është e pavërtetë të thuash se ka edhe gjykatës që duan të japin drejtësi sot në këtë vend, por pushteti nuk e toleron më drejtësinë dhe atë e vlerëson sipas rastit, nga këndvështrimi i jetëgjatësisë së tij.

Pse unë them dhe  mendoj se vendimin për vulën nuk e ka dhënë vetëm gjykata?

Është bërë një betejë kolosale nga faktorët opozitarë për bllokimin e pluralizmit në Shqipëri nga monarku që sundon, me një pjesë të faktorit ndërkombëtar të korruptuar me në krye ish-ambasadoren emblematike Yuri Kim , ambasadorët Filip Riker, Mattheu Palmer dhe Gabriel Escobar. Ata dirigjuan një politikë me axhendë personale në raport me shumë telashe që i krijuan opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri.

Ata, në bashkëpunim të errët me regjimin, me instrumentet më ilegjitime të mundshme, ushtruan presion në të gjitha shkallët e gjyqësorit në mënyrë  që vula e PD-së të mos binte më në dorën e kryetarit të saj Sali Berisha.

Është një histori moderne e demokracisë, që i ngjan një filmi triller dhe që na dëshmon se çfarë fatkeqësie ndodh me fatet e  popujt të vegjël, të cilët, kur fuqia iu shkon në dorë pushtetarëve si Antony Blinken, Sekretar i Departamentit të Shtetit, i kthejnë në tragjedi të mëdha. Tashmë  të gjithë e dimë sagën e demokratëve të Shqipërisë dhe të drejtuesit kryesor të saj, Dr. Sali Berishës, që sot është në burg politik si pasojë e zgjatimit të këtyre politikave.

Po si u kalua rubikoni i padrejtësisë së vulës?

Përsëri mendoj se është e pamundur që tërë gjykatësit e sistemit të drejtësisë të jenë të prirur të mos japin drejtësi. Është e kundërta. Shumica duan të bëjnë këtë. Por reforma famëkeqe sorosiane që bëri regjimi, është strukturuar në një mënyrë të tillë që interesat e pushtetit të mbeten aty të pa lëvizura.

Atëherë, çfarë ndodhi ?

Ka një të vërtetë të heshtur, e cila po ta ndjekësh me kujdes të shpie tek vendimi final i ngjarjeve të fshehta përmes analeve të vendimeve .

Nuk flas për një hamendësim. Flas për një të vërtet të fshehur, që po shkatërron shoqërinë. Me këtë gjendje represioni që po kalon shoqëria shqiptare, nuk mund të pretendosh që drejtësia të japë drejtësi për problemet e koklavitura si vula, të cilat shteti i pështjelloi vetë me dorën e tij  me një skenar të mirë menduar.

Nga burime konfidenciale të mirë besuara që unë kam, çështja e vulës së forcës më të madhe opozitare ishte kthyer në një shqetësim edhe për faktorin politik ndërkombëtarë dhe sidomos OSBE-në, e cila është edhe institucioni më i madh shumëkombësh, që mbikqyr dhe asiston problemet e demokracisë, zgjedhjeve dhe rregullave në shoqëritë pluraliste dhe gjysmë pluraliste.

Për hir të së vërtetës, OSBE, në tallazet e luftës së padrejtë që u bë ndaj opozitës  gjatë këtyre 3 vjetëve, mbeti institucioni më i pandikueshëm dhe gjithmonë ushtroi kompetencat e saj duke mbetur për fat të mirë, institucioni më i besueshëm.

Në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal në Shqipëri, OSBE bëri detyrën e saj me korrektësi , duke bërë një raport që ishte i standartit të zgjedhjeve që bëjnë vetëm diktaturat.

Ajo, përveç raportit zyrtar  të bërë publik ,në kancelaritë perëndimore la edhe një raport konfidencial, ku bën prezente pavlefshërinë reale të këtyre zgjedhjeve të karakterizuar nga shpërthime bombash, blerje masive votash dhe një repesion, që e kishte të shkruar fitoren pesë me zero.

Ambasadorja Glover, një veterane e palëkundur në këtë organizëm, më se njëherë publikisht kapërceu edhe statusin e saj diplomatik duke bërë thirrje për zgjedhje normale.

Pushteti, i tërbuar nga shkelja e syrit prej administratës Blinken, bëri çfarë deshi me këto zgjedhje të tmerrshme.

Zgjedhjet u vodhën fund e krye, por gjurmët shkatërruese të demokracisë në Shqipëri mbetën dhe ato po zbardhen përditë e më shumë.

Denoncimet  energjike të opozitës dhe dëshmitë institucionale të OSBE-së, kanë bërë efektin e tyre imponues tek të gjithë faktorët ndërkombëtarë, por sidomos në Departamentin Amerikan të Shtetit. Skandali Charles McGonigal dhe mjaft skandale të tjera, që po denoncohen përditë , u kanë vrarë veshët vendimmarrësve amerikanë dhe evropianë, të kuptojnë qartësisht se qasja koniukturale ndaj opozitës shqiptare ka qenë jo vetëm e gabuar por edhe fatale.

Vetë Sekretari i Shtetit, Blinken, kur vizitoi Tiranën pak kohë më parë, pavarësisht se kreun e regjimit e quajti udhëheqës të shquar, siç ia  ka kërkuar Sorosi i Ri sigurisht, dha mesazhin, mes shumë protokolleve të anashkaluara , se “krushqit janë të ngrirë”.

Në konteks të kësaj përmbysjeje, pavarësisht një inercie anemike që vazhdon për politesë dhe që pret kohën e saj për reagim të prerë ndaj regjimit të drogës, unë shikoj në rrënjë edhe zgjidhjen e vulës.

Për vulën, faktorë vendimtarë kanë  qenë ndërkombëtarët e turpëruar.

Në dijeninë time, nga burime konfidenciale, në Gjykatën e Lartë është bërë një takim  me ndërkombëtarët që janë prezent në Tiranë, së bashku me OSBE-në, ku është shprehur shqetësimi  arbitrar  i një gjykimi të gabuar, ku i ankuari nuk është palë. Skandal i paprecedentë! . 

Mjafton ky qëndrim, që procesi i montuar nga regjimi, të dilte nga skenari dhe për vetëm këtë rast, t’i kthehet normalitetit në gjykim, çfarë rezultoi me atë që duhej të ishte bërë tre vjet parë.

Mesazhi  im nëpërmjet këtij opinioni është se lufta  e opozitës në raport me ndërkombëtarët duhet të fitojë një ridimensionim të ri, sidomos për problemin e liderit të opozitës të burgosur politik, pa akuzë.

Opozita duhet të buçasë në këto momente , se mbështet një kauzë sipërore.

Të buçasë pa u lodhur, që të vërtetën ta bëj më të qartë, jo vetëm me retorikë, por sidomos me letra dhe dëshmi, në të gjitha institucionet ,në të gjitha kancelaritë perëndimore.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco