Rithemelim, deri në fund!

Rithemelim, deri në fund!

Nga Akil Kraja - 12/06/2024

“Sikur 1000 të mbesin, do të mbetem njëri prej jush; sikur 100 të mbeten, do mbetem një prej jush; sikur vetëm një të mbesë, do të mbetem njëri prej jush.” Profetik Berisha teksa shprehte këto fjalë në Kuvendin Kombëtar të PD të vitit 2016. 

Dhe vertetë, pesë vite më pas, Berisha mbeti i vetëm. I tillë përballë departamentit të shtetit, qeverisë shqiptare, mediave kombëtare e ndërkombëtare, por dhe përballë partisë së tij. I vetëm, filloi një betejë e cila në thelb vendoste një standard themelor për shtetin e të drejtës në Shqipëri. Ai kërkonte drejtësi. Asnjë qytetar, pavarësisht statusit social a politik, nuk mund të dënohet pa kaluar një proçes të drejtë, transparent dhe të paanshëm gjykimi. Kështu lindi preçedenti i kauzës ‘Berisha’. 

Në kohën e vetingut dhe të vlerësimeve jo-gjyqësore nëse dikush është i ‘korruptuar’ ose jo, preçedenti i kauzës Berisha është një gurthemel mbi të ardhmen e demokracisë shqiptare. Vetingu, i gjyqtarëve dje, i policëve sot, apo i politikanëve nesër, nuk mund të jetë një proçes okult si ky që është ndjekur deri më tani. Lufta ndaj korrupsionit është përdorur si një justifikim për ta mbrojtur atë. Edi Rama është përfituesi kryesor, financiar dhe politik, i këtij konfuzioni të qëllimtë që ka instaluar në shqipëri narko-shtetin e parë në Europë.

Shifrat krahasimore mbi rezultatet ndër vite të luftës kundra korrupsionit dhe krimit të organizuar tregojnë që reforma është ende ‘work in progress’. Një gjyqtare me tre emra kalon vetingun me sukses. Një nga organet kryesore të reformës refuzon të zbatojë një vendim gjykate për të bërë transparencë mbi një sponsorizim të fshehur. Me një impakt të jashtëzakonshem buxhetor, ligjor e fiskal për shtetin shqiptar, gjyqi për forcën politike kryesore opozitare u zvarrit për dy vite qëllimisht. Janë dhjetëra mijëra dosjet që presin drejtësi me kosto të pallogaritshme morale, njerëzore e financiare për qytetarët dhe ekonominë shqiptare. Drejtësia e vonuar, nuk është drejtësi e mohuar. Ajo është padrejtësi.

Dhe kështu filloi foltorja. Berisha kërkonte transparencë, ballafaqim ligjor dhe akses në një proçes ku i akuzuari të kishte lirinë themelore për t’u mbrojtur. Në Paris, në Londër e në Tiranë, si asnjëherë më parë, preçedenti Berisha u bë përjashtimi që justifikoi rregullin. Askush më parë nuk kishte guxuar të sfidonte sistemin për të kërkuar drejtësi si ai. Disa e pëqafuan këtë betejë parimore. Të tjerë u mjaftuan me pamundësinë e gabimit të autorëve që kishin publikuar këto akuza. Nga një betejë drejtësie, regjistri kaloi në atë politik. Dhe ky rezultoi dimensioni i dytë madhor i preçedentit Berisha.

Me një energji e këmbëngulje herkuliane, ai arriti që vetminë e tij ta kthente në forcën e kauzës së tij duke mbledhur rreth vetes në fillim, 10, pastaj 500, për të vijuar me 5000 firmat e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Profecia e vitit 2016 u ekuilibrua nga anti-teza e saj : të gjithë u bashkuan rreth tij. Çka zyrtarizohet dhe nga vendimi i djeshëm i apelit i cili i jep Shqipërisë më në fund një opozitë realisht përfaqësuese, të ligjshme dhe të lirë nga çdo influencë kriminale e korruptive. Një opozitë perëndimore dhe euro-atlantike, e cila kërkon të largojë korruptuesin e Charles McGonigal, por dhe të ndonjë politikani tjetër në Europë. 

Foltorja solli rithemelimin. Fjala e lirë e saj, çliroi garën e lirë. Katër votime të njëpasnjëshme, si kurrë ndonjëherë, dëshmuan potencialin e primareve brënda Partisë Demokratike. Kurajo për të garuar fuqizoi dhe më tej kurajon për të denoncuar. Sot, krimi i organizuar, qoftë ai i rrugës apo i zyrave 5D, ndihet i sfiduar përballë të vërtetave dhe transparencës së promovuar nga çdo figurë demokrate. Ky është roli i një opozite të shëndetshme. Të mbrojë interesin publik duke vendosur para përgjegjisë çdokënd dhe çdo institucion që abuzon me ligjin. Përfshi dhe SPAK-un, i cili në shumicën e rasteve ka qënë shumë mbrapa intensitetit të denoncimeve të opozitës. “Check & balance” do të thotë pikërisht këtë gjë, asnjë pushtet mbi të tjerët por vendosja e një ekuilibri mes një ekzekutivi llogaridhënës, një gjyqësori të pavarur e një legjislativi pluralist. Në Shqipëri, akumulimi i pushtetit të Ramës është gjithçka përpos një ekuilibri demokratik të tillë.

Kjo kulturë e re politike dhe transparence promovuar nga opozita, u zbatua gjithashtu mbi kauzat e saj të brëndshme. Preçedenti ‘Berisha’ është modeli me të cilin do të matet tani e tutje çdo politikan që do të vendoset përballë akuzave për korrupsion. Nëse akuzohesh, ose mbrohu ose largohu. Krahasoni frekuencën e konferencave mediatike, detajin e dokumentave dhe pedagogjinë shteruese të mbrojtjes Berisha në dosjen Partizani, me heshtjen e dyshes Rama/Veliaj për dosjen e inceneratorit e atë 5D. Falë kësaj transparence, sot, çdo shqiptar e ka mëse të qartë qe në dosjen Partizani, firmat janë të Edi Ramës por në arrest shtëpie është Sali Berisha, ndaj të cilit nuk ka ende një akuzë. Cikli i padrejtësive ndaj opozitës shqiptare, nuk mund të përmbyllet pa vendosur drejtësi dhe mbi liderin e saj. Elmar Brok, një personalitet i diplomacisë Europiane, e cilësoi Berishën si të fundit të arrestuar politik në Europë. Berisha duhet të lirohet një minutë e më parë. 

Marrë së bashku, mënyra si u shtjellua ky tre-vjeçar bën që preçedenti i kauzës Berisha t’a ketë tejkaluar kufirin e personales, madje dhe atë të PD-së. Tanimë bëhet fjalë për një betejë për një Shqipëri më të drejtë, në rrafshin ligjor, ekonomik e të vlerave njerëzore. Ndaj dhe rithemelimi, duhet të shkojë deri në fund. Rradha është e programit dhe ekipit qeverisës të cilët po shpalosen hap pas hapi, me risi të pakontestueshme dhe duke vendosur familjen shqiptare në zemër të tyre. Rithemelimi duhet të prekë çdo nivel të ofertës politike sot, ashtu si dhe të modelit qeverisës nesër. Kujtojmë se pas proçesit të ‘Mani pulite’ në Itali, ndoqi ajo që quhet ‘republika e dytë. Diçka e ngjashme mund të ndodhë dhe në Shqipëri pavarësisht tradhëtisë së majit 2017. Modeli republikan shqiptar dhe ekuilibri mes tre(katër) pushteteve kërkon një përditësim përballë goditjes së rëndë nga narko-regjimi Rama. Vendi ka nevojë për një hapësirë komb të rithemeluar që t’u shërbeje njëherazi qytetarëve të këtushëm, bashkombasve në rajon, ashtu si dhe diasporës të kudogjëndur. Shekulli shqiptar i Ballkanit është i mundur dhe Partia Demokratike duhet të jetë gati ta jetësojë atë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco