Europa e bëri përmbysjen, po ne shqiptarët?

Europa e bëri përmbysjen, po ne shqiptarët?

Nga Ndriçim Kulla - 10/06/2024

Emmanuel Macron menjëherë deklaroi se s’mund t’i mbyllte më sytë. Etika e lartë e një presidenti evropian e shtyu menjëherë të merrte vendimin e prerë për të shpallur zgjedhjet e reja të parakohshme në Francë.

Gabimet e mëdha të qeverisjes gjeneruan një konsumim të parakohshëm dhe votuesit me zgjedhjet e Parlamentit Evropian, dhanë mesazhin e qartë se rotacioni është vendimi i duhur për rritjen e mirëqenies dhe korrigjimin e gabimeve të demokracisë.

Fitorja e së djathtës në Francë, me gjasa që të jetë shumë shpejt në pushtet, me siguri që është një sfidë e madhe dhe kjo pret për t’u provuar në vijim, por nuk besoj të rezultojë një fatalitet sipas gogolit që kanë krijuar të majtët.

Në Evropën Perëndimore po shpaloset edhe njëherë triumfalisht se demokracia është vitale dhe ka fuqi të madhe, që në çdo hap të gabuar të kthejë ndryshimin.

Me një situatë të tillë kemi të bëjmë edhe në jetën politike të Belgjikës frëngjishtfolëse. Është përafërsisht e njëjta kulturë edhe në demokraci dhe sigurisht standartet nuk ndryshojnë. Kryeministri dha dorëheqjen me lot në sy duke pranuar burrërisht  arsyet e humbjes.

Janë përafërsisht të njëjtat arsye që përcollën tërmetin e përmbysjes në të gjitha demokracitë evropiane. Ekonomia , siguria, bujqësia, gjeopolitika, edukimi por dhe demokracia. Këto janë pikat kryesore të problemeve, kur qeveritë shpesh u futën dhe vazhduan rrugët qorre. Evropa shpesh u tregua e pavëmendshme dhe tejet burokratike, duke nënvleftësuar shfaqien e autoritarizmit në Evropë dhe duke rikthyer burgun politik, siç po ndodh aktualisht në Shqipëri.

Sali Berisha, kryetari i opozitës shqiptare dhe Fredi Beleri, kryetar i bashkisë Himarë, vazhdojnë të jenë të burgosur politikë me vendim të regjimit dhe Evropa e djeshme  bëri zërin e humbur dhe nuk u tregoi si duhet vendin, diktaturave.

Nuk dihet ende reflektimi i saktë, që do të jetë në demokracinë më të madhe europiane, Gjermani, pas kësaj lëkundjeje të madhe sizmike, që ndodhi në tërë kontinentin politik. Edhe Gjermania tashti do të ketë një strukturë tjetër ku mozaiku i dikurshëm politik  është prishur dhe perspektiva sinjalizon një rënie drastike të të gjithë partive të koalicionit qeveritar dhe një rikthim të konservatorëve me në krye demokristianët në pushtet.

Këto zgjedhje po na sjellin edhe njëherë të gjithëve shijen e veçantë që ka demokracia.

Demokracia është mbi gjithçka, mbi çdo interes, mbi çdo prioritet. Demokracia është besim, ripërtëritje,  guxim dhe liri.  Kishim mbi një dekadë që  nuk kishim përjetuar më një situatë si kjo, kur populli i zemëruar nga gabimet e mëdha të klasës  politike të bënte kthesën historike i zemëruar. Këto zhvillime dramatike  ndryshimi , që i dhanë fund një periudhe të gjatë të kompromentuar, po na japin edhe një besim tjetër të ri , që kishim kohë që  e kishim humbur.

E kishim të nevojshëm një mesazh të tillë  dhe erdhi ndoshta në kohën e duhur.

Nuk kam më asnjë ndjeshmëri se çfarë mesazhi mund të ketë marrë kapadaiu ynë i regjimit nga prova demokratike e këtyre zgjedhjeve. Të gjitha i kemi konsumuar me të. Me siguri ka frikën e presionit, me të cilin duhet të përballet në të ardhmen, për çfarë i ka punuar demokracisë dhe lirisë së pluralizmit në Shqipëri.

Ndoshta sipas filozofisë tij po bën gati thesin e peshqesheve për vendimmarrësit e rinj evropianë, që do të jenë të djathtë, si dikur në Romën e lashtë kur guvernatorët kompromentonin senatorët me xhevahire. Këtë ai di që ta bëjë mirë.

Evropianët e bënë përmbysjen historike dhe e çliruan Evropën nga ngërçi. Po ne shqiptarët, çfarë duhet të bëjmë?

Korrupsioni, droga, krimi i organizuar, skandalet marramendëse të hajnisë me të cilat po përballemi përditë janë historike.

Thirrja poetike e Konicës 100 vjet më parë - ”Zemërohuni në herë!“ - i shkon shumë këtij çasti historik , si një thirrje zgjuese.

Vetëm zemërimi ynë i vërtetë mund t’ia bëj varrin kësaj diktature të leckosur.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco