Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha lidhje direkte me demokratët e diasporës, nisin anëtarësimet në degën e re të PD Forli

Si e pritëm numrin e parë të RD në një natë të bardhë, si një mesazh gjysmë hyjnor!

Si e pritëm numrin e parë të RD në një natë të bardhë, si një mesazh gjysmë hyjnor!

Nga Sali Berisha - 05/01/2022

Sot, 31-vjetori i fjalës së lirë! Dalja e numrit të parë të gazetës "Rilindja Demokratike".

5 janari i vitit 1991 është për ne shqiptarët dita e fjalës së lirë. Si sot 31 vjet më parë u botua numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, gazetës së fjalës së lirë dhe mendimit të lirë pas pothuaj gjysmë shekulli monizmi total në diktaturën hoxhiste.

Në dallim nga vendet e tjera ish-komuniste në të cilat u tolerua një lloj shtypi klandestin dhe një formë e kufizuar e pluralizmit të mendimit, në Shqipërinë Hoxhiste, e shpallur me Kushtetutë si shteti i diktaturës së proletariatit, fjala e lirë gjer në vitin 1990 po të dilte nga goja, ndëshkohej sipas nenit famëkeq 55 me shumë vite burg.

Kurse, për një trakt të shtypur, autori dënohej dekada burg e madje dhe pushkatim!

Në Shqipëri, pa mohuar një ndikim skajor të glasnostit të Gorbaçovit, pluralizmi i vërtetë i mendimit dhe pluralizmi politik lindën si binjakë të Lëvizjes Studentore - revolucionit demokratik të Dhjetorit 1990.

Kështu, fill pas themelimit të PD-së, Komisioni i saj Nismëtar në njërën nga mbledhjet më të para të tij, në një vendim historik vendosi botimin e gazetës “Rilindja Demokratike” si gazetë e fjalës së lirë, organ i Partisë Demokratike, si dhe miratoi bordin drejtues të përbërë nga gazetarë, publicistë, shkrimtarë, intelektualë të shquar.

Krahas tyre, një grup studentësh aktivë në Lëvizjen e Dhjetorit do të nisnin punën në ekipin e gazetës si dhe intelektualë të shquar të fushave të ndryshme të Tiranës do të ishin bashkëpunëtorë të saj.

Rilindja Demokratike lindi me një mision të madh:

- Si Zë i së vërtetës në mbretërinë e mashtrimit,

- Si Rreze drite në hapësirën e errësirës gjysmë shekullore

- Si Zëdhënëse e fjalës së lirë, anti-censurës por edhe e revolucionit demokratik antikomunist të viteve 1990

- Si Zëdhënëse e interesit dhe çështjes kombëtare, gjer atëherë të tradhtuar

- Si Themeluese e shtypit të lirë, mësonjëtore e tij.

Numrin e saj të parë e pritëm si në ekstazë, në një natë të bardhë, pothuaj si një mesazh gjysmë hyjnor. Ky numër hapej me titujt kushtuar fjalës së lirë, interesit kombëtar si ylli polar i Partisë Demokratike, tregut të lirë dhe kronikat e Lëvizjes Studentore të atyre ditëve që ndanë epokat si dhe veprimtaritë në Tiranë dhe rrethe të Partisë Demokratike.

Fryma e hapur, guximi i ekipit të saj, përmbajtja, vërtetësia, civiliteti i shkrimeve dhe uria gjysmë shekullore e shqiptarëve për fjalën e lirë e bënë Rilindjen Demokratike që në numrat e parë, organ të të vërtetave të ndaluara, të mendimit të lirë, gazetën më të fuqishme, më të lexuar në tërë historinë e shtypit shqiptar.

Në javët dhe muajt në vazhdim, Rilindja Demokratike si një akullthyese do të eksploronte dhe thyente me sukses “akujt” në të gjitha labirintet e territoret e ndaluara të psikologjisë së shoqërisë më moniste të Europës duke çliruar mendjet e ngrira prej dekadash nga tabutë që i mbanin të pushtuara.

Gazeta, që në numrat e parë, përballoi me sukses armiqësinë e egër të Partisë terroriste, nomenklaturës dhe organit të saj “Zëri i Popullit”.

Duke qëndruar zëdhënëse e revolucionit demokratik e antikomunist të viteve ’90, ajo iu rezistoi gjithashtu presioneve të pamerituara partiake për të qëndruar besnike e misionit të saj kryesor, zëdhënëse e fjalës së lirë, zëdhënëse e të vërtetës.

Ajo, me gjithë presionin dhe përpjekjet e muajve të fundit për t’i mbyllur gojën dhe vënë bravë dhe asaj, vjen sot në 31-vjetorin e saj përsëri si organ i së vërtetës, transparencës, anti-Mafies, që përballet me vendosmëri dhe guxim me pushtetin më të korruptuar, më të inkriminuar në Europë, me qeverinë e tij organizatë e vërtetë kriminale.

Me këtë rast le të shprehim nderimin tonë më të madh, mirënjohjen time më të thellë ndaj të gjithë atyre që themeluan, formuan dhe drejtuan e drejtojnë dhe sot, “Rilindjen Demokratike”, si organ i të vërtetave dhe vlerave të mëdha të fjalës dhe mendimit të lirë. Gëzuar!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco