Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Dosja 'Partizani' dhe 'Partizanët' në SPAK

Albin Kurti e sodit në heshtje, protestën e Berishës kundër ‘Ballkanit të Hapur’

Albin Kurti e sodit në heshtje, protestën e Berishës kundër ‘Ballkanit të Hapur’

Nga Syri.net Kosova - 20/12/2021

Në Shqipëri për herë të parë opozita do të protestojë kundër ‘Ballkanit të Hapur’, të hënën kur të mbërrijë në Tiranë partneri i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç. Protestës do t’i prijë lideri historik i demokratëve Sali Berisha, pas ringjalljes së PD-së përmes një mobilizimi të anëtarësisë së harruar e të mashtruar nga kryetari i shkarkuar Lulzim Basha.

Ky i fundit, tetë vjet në opozitë e ngrohu kolltukun e tij, por nuk qe në gjëndje t’i printe një proteste deri në fund. Basha ka dalë kundër protestës, si aleat i hapur i Ramës, në skenarin e Serbisë, që delegjitimon shqiptarët dhe Kosovën në veçanti.

Protesta  kundër ‘Ballkanit të Hapur, mbi të gjitha është në dobi të mbrojtjes së interesave të Kosovës. Por, pak orë para ngjarjes, ende nuk është bërë i gjallë Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës që dikur e shkarkuan sepse, siç tha ai, nuk mund ta nënshkruante ndarjen e Kosovës "të gatuar" nga Vuçiç - Thaçi - Rama, po vazhdon të heshtë ndaj këtij zhvillimi të ri në politikën shqiptare. Ai e di mirë rolin pozitiv që ka luajtur Berisha në demaskimin dhe kundërshtimin me forcë të ndarjes së Kosovës, që prodhoi edhe një kosto jo të lehtë për liderin demokrat dhe të djathtën në Shqipëri.

Çdo reagim i tillë kundër një nisme anti-kombëtare si "Ballkani i Hapur" do të duhej ta kishte vëmendjen e lidershipit kosovar, pozitë e opozitë. Ku janë Vjosa Osmani, Albin Kurti, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj….?

Nëse paska pasur vend që të bëjë fushatë për një copë pushtet në Shqipëri, a nuk paska disa orë në dispozicion kryeministri kosovar që t’I bashkohet protestës më të rëndësishme prej kohësh, që mbron kauzën e Kosovës sovrane e të pavarur?

Edi Rama mirëpret në Tiranë ish-bashkëpunëtorin e ngushtë të Sllobodan Milosheviçit, presidentin e Serbisë që e lufton me ashpërsi pavarësinë e Kosovës dhe tallet me masakrat që i bëri regjimi i kasapit të Ballkanit në Kosovë.

Protesta e inicuar nga Berisha, e rikthen shpresën se në politikën shqiptare, më në fund do të ketë një kundërshtim të fuqishëm ndaj flirtit të rrezikshëm Rama-Vuçiç. Të punosh sipas ideve të Ppresidentit serb, do të thotë të çosh ujë në mullirin e Rusisë, që po përpiqet ta shtrijë sa më thellë ndikimin në rajon.

Duke e mbështetur ‘Ballkanin e Hapur’, ku mungojnë disa shtete ballkanike, Rama po i bëhet një argat i turpshëm Vuçiçit në jetësimin e ‘Serbisë së Madhe’, një projekt i vjetër i Beogradit, në kurriz të shqiptarëve.

Organizimi i kësaj proteste, është reagimi i duhur këtë fillim jave dhe shqiptarët e Kosovës, do të duhej t’i bashkoheshin Berishës. Partitë kosovare dhe liderët shtetërorë e politikë, po heshtin edhe më tutje, por kjo indiferencë, po nxjerr në pah një hipokrizi të madhe. Sidomos te kryeministri Albin Kurti, por edhe presidentja Vjosa Osmani, që para se të vinin në pushtet, me aq zell e pasion, e kundërshtonin me forcë, partneritetin Rama - Vuçiç në funksion të ‘Ballkanit të Hapur’.

Por, përderisa liderët, siç e dëshmoi rasti "Basha", bien nga "provimi" për interesa të caktuara, shqiptarët e kanë treguar se nuk shkelin mbi dinjitetin e tyre. Protesta kundër "Ballkanit të Hapur" është mbrojtje e dinjitetit kombëtar, prandaj, të hënën, bashkojuni një nisme të re, në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco