Lajmi i fundit

SPAK konfirmon arrestimin e Ilir Beqajt/ Ja dy të arrestuarit e tjerë

Spiunët amerikanë po luftojnë sërish luftën e fundit

Spiunët amerikanë po luftojnë sërish luftën e fundit

Nga Amy Zegart - 09/09/2021

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, komuniteti i inteligjencës dështoi të përshtatej. Sot përballet me një sfidë të ngjashme

Njëzet vjet më parë, rrëmbyesit e al-Qaedës kryen sulmin më të madh të kryer ndonjëherë në tokën amerikane, duke vrarë rreth 3000 të pafajshëm, terrorizuar vendin e duke ndryshuar përgjithmonë kursin e historisë – me nisjen e luftërave të Amerikës në Afganistan e Irak.

E megjithatë, 11 Shtatori ishte diçka tjetër: dështimi më i keq i zbulimit tonë në më tepër se një gjysmë shekulli. Ishte një sulm i befasishëm që nuk duhej të kishte qenë befasi. E vërteta e hidhur është që agjencitë inteligjente amerikane e panë rrezikun tek vinte por dështuan në parandalimin e tij sepse atyre u kishte mbetur ora te një lloj tjetër armiku nga një kohë e shkuar. Kërkimi im zbuloi që me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe me zhvendosjen e kërcënimeve në vitet ’90, komuniteti i inteligjencës amerikane nuk arriti të përshtatej.

Sot përballemi me një sfidë të ngjashme. Që nga 11 Shtatori, spiunët janë aftësuar në kundërvënien al Qaedës, por al Qaeda nk është më problemi akut që ishte dikur. Peizazhi global i kërcënimeve është bërë më i ngjeshur e kompleks, me përshkallëzimin e sulmeve kibernetike, rritjen e agresionit kinez e rus, programin bërthamor të Iranit e Koresë së Veriut, mosmarrëveshjet për ndryshimet klimatike, e të tjera. Dhe përsëri, agjencitë e spiunëve po vuajnë për të mbajtur hapin.

Ashtu si gjeneralët, oficerët e inteligjencës shpesh mbeten duke luftuar luftën e fundit edhe kur në horizont shfaqen rreziqe të reja. Pse? Sepse pavarësisht asaj që thonë politikanët dhe drejtorët e agjencive, pavarësisht se sa qartë duken armiqtë e rinj, agjencitë qeveritare janë “qepur” për të luftuar armikun që njohin. Burokracitë janë dizenjuar për të zgjatur, jo për t’u përshtatur. Bizneset bien nëse falimentojnë, por agjencitë qeveritare nuk vdesin pothuajse kurrë. Përkundrazi, me kalimin e kohës organizatat forcohen, buxhetet fryhen, kapacitetet e kulturat zënë rrënjë. Novacionet e hershme vjetërohen. Edhe kur bëhen raporte, paralajmërime e kur njerëz kurajozë këmbëngulin për aksion, ndryshimet janë të avashta. Mënyrat e vjetra rezistojnë. Ndërkaq, kundërshtarët forcohen dhe vendi mbetet sërish i brishtë.

Gjatë gjithë viteve ‘90, edhe kur agjencitë spiune të Amerikës paralajmëronin për rrezikun në rritje të al-Qaedës, këto institucione kishin ngecur në Luftën e Ftohtë. Paratë derdheshin në platforma teknologjike që mund të numëronin mbushjet bërthamore sovjetike që nga hapësira në vend që të shkonin për përpjekjet e inteligjencës njerëzore më të përshtatshme për penetrimin në grupet terroriste në terren. George Tenet, drejtori i CIA-s më 11 shtator, u përpoq por nuk arriti të përmirësonte kapacitetet anti-terroriste të agjencisë së tij dhe të koordinonte më mirë inteligjencën anti-terror në qeverinë amerikane. Megjithëse FBI formalisht e deklaroi terrorizmin prioritetin e saj kryesor para 11 shtatorit, më 2001 vetëm 6% e personelit të saj punonin me çështjet e kundër-terrorizmit dhe agjentët specialë të FBI-së shpenzonin më tepër kohë me pushime se sa me trajnimin kundër terrorizmit. Një përpjekje e madhe për të reformuar kapacitetet anti-terror të FBI-së në gjithë vendin përfundoi në katastrofë: Pak javë para 11 Shtatorit, një raport i brendshëm i vlerësoi me notë pakaluese të 56 oficerët e trajnuar. Vlerësimi u konsiderua aq i sikletshëm saqë u mbajt top secret dhe vetëm disa kopje të tij u printuan.

Unë kam zbuluar që dobësitë në organizim bën që CIA dhe FBI të humbisnin 23 mundësi për të penetruar e ndoshta për të parandaluar sulmet e 11 Shtatorit. Midis tyre janë faktet që oficerët e CIA-s kishin identifikuar dy të dyshuar si terrorisë që ndiqnin takimet e al Qaedës në Malajzi, mësuan emrat e plotë të tyre, dhe zbuluan se njëri kishte një vizë amerikane ndërsa tjetri kishte qenë në SHBA. Mbi 50 oficerë të CIA-s kishin akses te ky informacion, e megjithatë askush nuk i tha gjë Departamentit të Shtetit apo FBI-së për më tepër se një vit. Deri në 11 shtator, nuk kishte trajnim formal, as proces të qartë dhe as përparësi për paralajmërimet e bëra nga agjencitë e tjera qeveritare për terroristë të rrezikshëm që mund të hynin në SHBA. Kur CIA më në fund i tregoi FBI-së, 19 ditë para 11 Shtatorit, byroja e dizenjoi gjurmimin e dy terroristëve të dyshuar si “rutinë”, niveli më i ulët i përparësisë, dhe ia caktoi një agjenti special që kishte vetëm një vit në punë. As ky veprim nuk ishte gabim: për FBI, kapja e autorëve të krimeve të kaluar kishte qenë gjithmonë shumë më e rëndësishme se sa mbledhja e informacionit për të parandaluar një sulm terrorist të mundshëm.

Dyshja e terroristëve nuk duhej të ishte e vështirë për t’u gjetur. Ata fshiheshin në SHBA, duke përdorur emrat e vërtetë në dokumente të tilla si kontratat e qirasë apo kartat e kreditit. Njëri madje ishte i listuar në skedarin telefonik në San Diego. Dhe ndërsa jetonin në Sam Diego, ata kontaktonin me disa objektiva të hetimeve anti-terrorizëm të FBI-së, në një periudhë madje jetonin me një informator të FBI-së.

Dy operativët përplasën American Airlines Flight 77 në Pentagon. Nuk patën nevojë për identitete sekretë apo skema të zgjuara për të pasur sukses. Thjesht iu duhej që CIA dhe FBI të operonin në mënyrën e tyre të zakonshme.

Në 20 vjetër që nga 11 Shtatori, agjencitë inteligjente amerikane janë ripajisur e reformuar për të luftuar terrorizmin. Reformat përfshijnë caktimin e një drejtori të inteligjencës kombëtare, krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër-terrorizëm dhe Departamentin e Sigurisë së Brendshme (Homeland) – pra ristrukturimi më i madh i inteligjencës amerikane që më 1947. Buxheti shkoi në qiell dhe integrimi midis inteligjencës dhe operacioneve ushtarake ka arritur nivele të reja, duke dhënë rezultate mahnitëse, përfshirë operacionin kundër ideatorit të 11 Shtatorit, Osama bin Laden.

Por hasmi nuk fle kurrë. Sot agjencitë inteligjente amerikane përballen me një tjetër moment që kërkon përshtatje të shpejtë. Këtë herë rreziku vjen nga teknologjia. Teknologji të tilla si inteligjenca artificiale, interneti, bioteknologjia dhe zvogëlimi i satelitëve po e ndryshojnë thellësisht ekonominë dhe politikën globale, duke fuqizuar kundërshtarë të vjetër, krijuar kërcënime të reja dhe duke sfiduar çdo aspekt të biznesit të inteligjencës.

Dikur, fuqia dhe gjeografia e mbronin Amerikën. Por jo më. Hapësira kibernetike iu hep mundësi kundërshtarëve të na sulmojnë nga distanca të largët pa shkrepur asnjë armë, duke hakuar makinat dhe mendjet. Kina ka kryer një fushatë të suksesshme vjedhjesh të pronës intelektuale amerikane për avantazhe ekonomike dhe ushtarake. Rusia përdor informacionin e mundësuar nga kibernetika për të ndërhyrë në zgjedhje dhe minuar nga brenda demokracitë. Grupet kriminale kryejnë sulme me ransomware (software që bllokon kompjuterët në kërkim të parave) kundër qyteteve amerikane, furnizuesve të energjisë dhe infrastrukturave të tjera thelbësore. Gama e kërcënimeve që përball vendi nuk ka qenë kurrë më e gjerë sepse hapësira kibernetike fuqizon të dobëtit dhe dobëson të fortët. Demokracitë e përparuara industriale janë veçanërisht të brishta përballë thyerjeve kibernetike të çdo lloji sepse ato janë më të lidhurat në mënyrë dixhitale dhe sepse liria e tyre e shprehjes u mundëson aktorëve djallëzorë të mashtrojnë në shkallë të gjerë.

Teknologjia po pengon edhe aftësinë e agjencive inteligjente amerikane të jenë koherente. Inteligjenca ka qenë gjithmonë akti i gjetjes së gjilpërave në kashtë për të nxjerrë konkluzione. Tani kashta është kudo dhe shtohet me shpejtësi sepse sasia e të dhënave në Tokë dyfishohet në pothuajse çdo dy vjet. Teknologjitë ndërlidhëse kryesojnë këtë mbingarkesë të dhënash të cilave nuk iu duket syri në horizont.

Komuniteti i inteligjencës së SHBA ka nevojë për një riformulim radikal për të pasur sukses në erën e re. Në të kaluarën, avantazhet vinin nga vjedhja e sekreteve. Sekretet ende kanë rëndësi, por avantazhi gjithmonë e më tepër vjen kontrolli i informacionit të hapur që është në dispozicion të kujtdo, dhe nga mendimi njerëzor, i fuqizuar nga makineri që gërmojnë mes sasive të mëdha të dhënash për të gjetur modele të fshehur.

Suksesi kërkon tre përbërës kyç. I pari është krijimi i një agjencie të re të pavarur inteligjence të dedikuar inteligjencës së burimeve të hapura. CIA, NSA dhe elementë të tjerë të komunitetit të inteligjencës kanë duke bërë përpjekje për informacionin e hapur, por agjencitë sekrete gjithmonë do të favorizojnë sekretet. SHBA nuk do të jetë kurrë në gjendje të fitojë garën në kapacitetin për të kuptuar gjërat për sa kohë që inteligjenca e burimit të hapur mbetet në kurthin brenda agjencive që besojnë më tepër në misionet e tyre sekrete.

Përbërësi i dytë i nevojshëm është talenti. Komuniteti ynë i inteligjencës është dizenjuar për një erë kur oficerët e zbulimit pritej ta kalonin gjithë karrierën profesionale në atë fushë. Sot, më të mirët e më të përgatiturit zakonisht ndryshojnë punë shumë herë gjatë karrierës. Për më tepër, nevojat tona më të mëdha për talente janë në shkencë e teknologji, saktësisht në fushat me konkurrencën më të madhe nga sektori privat. Tërheqja e forcës punëtore të duhur për erën dixhitale nis duke iu mundësuar teknologëve të lëvizin më lehtë brenda e jashtë qeverisë në të gjitha fazat e karrierës së tyre.

Përbërësi i tretë është strategjia. Ne duhet të rimendojmë çfarë është inteligjenca dhe kujt i shërbne. Sot, politikëbërësit që kanë nevojë për inteligjencën për të mbrojtur vendin nuk jetojnë vetëm në Washington dhe kanë akses në çështje sigurie. Ata përfshijnë shefa ekzekutivë, kompanitë e të cilave zotërojnë dhe operojnë 85% të infrastrukturës thelbësore amerikane – shumë prej së cilës është e brishtë përballë sulmeve kibernetike – dhe liderë teknologjikë platformat e të cilëve janë shndërruar në autostrada disinformacioni.

Navigimi në erën e kërcënimeve dixhitale nuk do të jetë i lehtë. Sektori privat iu përgjigjet aksionerëve globalë, jo votuesve amerikanë. Siguria jonë kombëtare nuk qëndron në duart e qeverisë si dikur. Mbrojtja e vendit nga sulmi tjetër i befasishëm kërkon veprim më të shpejtë dhe transformim të gjithanshëm të inteligjencës.

Marrë nga The Atlantic-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco