Durrësi në errësirë, banorët: Kemi mbetur pa ujë e pa marrë pensionet

10:35, 09/10/2024
A+ Aa A-

Prej ditësh, Durrësi po përballet me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, duke lënë banorët në kushte të vështira dhe duke paralizuar aktivitetet e përditshme.

Një prej banorëve tha: “Para një jave, ndejtëm 3 ditë pa energji, tani thuhet se do të qëndrojmë pa drita për 3 ditë – dje, sot dhe nesër – por nuk jemi të sigurt.”

Mungesa e energjisë po shkakton pasoja të rënda në sektorët kyç të jetës publike dhe private. Një tjetër qytetar raportoi: “Jemi dy javë pa drita. Shkova të marr pensionin, më thanë ‘s’ka drita’. Shkoj në spital për analizat, më thonë nuk kanë ardhur, se nuk ka energji.”

Banorët ndihen të bllokuar, me shërbimet thelbësore të ndërprera, duke mos pasur qasje as në shërbime shëndetësore as financiare.

Një banore tjetër tregoi se mungesa e energjisë po ndikon rëndë në jetesën e tyre: “Kemi një javë pa drita, fëmijët i kemi jashtë shtetit. Ushqimet po na prishen në frigorifer, jemi pa ujë dhe pa mundësi të lahemi. Kam shkuar tre herë për të marrë pensionin dhe ende nuk e kam marrë.”

Kjo situatë po rëndon ndjeshëm mbi banorët, të cilët ndihen të braktisur nga institucionet. Ndërsa problemet vazhdojnë, qeveria dhe institucionet përkatëse duket se nuk po ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme. Banorët ndihen të zhgënjyer nga mungesa e reagimit, ndërsa jeta e tyre e përditshme po bëhet gjithnjë e më e vështirë, duke kërkuar veprime konkrete për të dalë nga kjo krizë e energjisë dhe shërbimeve bazë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco