Strehuan në banesë vrasësin Andrew Bode, Apeli lë në burg dy pjesëtarë të fisit Kalemi

Strehuan në banesë vrasësin Andrew Bode, Apeli lë në burg dy pjesëtarë të fisit Kalemi

14:13, 04/10/2024
A+ Aa A-

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” dy shtetas, të cilët ishin arrestuar nga Policia, pasi kishin strehuar në banesën e tyre një person të shpallur në kërkim për “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit”.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga Gjyqtare Arta Duka, vendosi të lerë në fuqi masat e sigurisë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë ndaj shtetasve Adriatik Kalemi dhe Julain Kalemi që kishin strehuar në banesë shtetasin Andrew Bode, të shpallur në kërkim për vrasje.

Bode u kap në Memaliaj, ku gjatë kontrollit në banesën e Kalemit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Vrasja e Aleksandër Sadikajt, nipit të Kalemit, duket se është zanafilla e një sage hakmarrjeje mes fisit Kalemi dhe Papa. Vetë Adriatik Kalemi i ka shpëtuar dy atentateve në Greqi. Fillimisht ai i shpëtoi një atentati ishullin Paksos ku ishte me pushime.

Atentati i dytë ndodhi në momentin që Kalemi po përgatitej të linte burgun për të fituar lirinë, pasi u ndalua për shkak të problemeve që kishte me drejtësinë. Ai u qëllua me thikë nga një i burgosur nga Egjipti.

Njoftimi nga Gjykata e Apelit

Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në kuadër të marrjes dhe zbatimit të masave për personat të cilët janë të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, për kryerjen e veprave penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion në rrugë operative se, në banesat e personave nën hetim A (A) alias S. K, dhe J.K strehohet shtetasi me iniciale A.B, person ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurimit me karakter shtrëngues personal “arrest në burg”, pasi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit”.

Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj:

(I) personit nën hetim me iniciale A (A) alias S. K, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyesë dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë penale”, parashikuar nga nenet 278/3 dhe 4, 280, si dhe 287/1 të Kodit Penal.
(II) personit nën hetim me iniciale J.K, i dyshuar për kryerjen e vepraës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal.

I. Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me vendimin nr. 349, datë 29.08.2024, ka vendosur:

– Vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë datë 28.08.2024, ndaj personit nën hetim A (A) alias S. K, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyesë dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë penale”, parashikuar nga nenet 278/3 dhe 4, 280, si dhe 287/1 të Kodit Penal.
– Caktimin ndaj personit nën hetim A (A) alias S. K, masën e sigurimit personal shtrëngues atë të “arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale A (A) alias S. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e paligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit më të butë se “arresti në burg”.

II. Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me vendimin nr. 348, datë 29.08.2024, ka vendosur:

– Vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë datë 28.08.2024, ndaj personit nën hetim J.K, i dyshuar për kryerjen e vepraës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal.
– Caktimin ndaj personit nën hetim J.K masën e sigurimit personal shtrëngues atë të “arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale J.K i cili kërkoi ndryshimin pjesërisht të vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë se ajo e “arresti në burg”.

Në përfundim të gjykimit, më datë 04.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga Gjyqtare znj. Arta Duka, vendosi:

1. Miratimin e vendimit nr. 349, datë 29.08.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

2. Miratimin e vendimit nr. 348, datë 29.08.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco