SYRI TV/ Raporti i barometrit të ballkanit 2024, 33% e shqiptarëve s’blejnë ilaçet pa rimbursim

12:50, 26/09/2024
A+ Aa A-

33% e shqiptarëve nuk përballojnë dot kostot e ilaçeve që janë jashtë skemës së sigurimeve, duke shënuar numrin më të lartë në rajon. Të dhënat tronditëse dolën nga anketa e Barometrit të Ballkanit për vitin 2024, ku nga 1 mijë qytetarë të intervistuar, 330 prej tyre u shprehën se kanë pasur vështirësi për blerjen e barnave farmaceutike. Kjo situatë vjen për shkak të fondit të ulët që qeveria shqiptare jep për rimbursimin e barnave.

SYRI TV

Shqipëria ka përqindjen më të madhe të njerëzve në rajon që përballen me vështirësi për blerjen e barnave dhe shërbimeve shëndetësore që nuk mbulohen nga skema e Sigurimeve Shëndetësore. Këto të dhëna u gjetën nga anketa e Barometrit të Ballkanit, e cila është realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. 33% e 1000 personave të pyetur në Shqipëri pohuan se gjatë vitit të fundit, familja e tyre ishte përballur të paktën një herë me vështirësi për të blerë barnat e referuara që nuk ishin mbuluar nga skema e sigurimeve.

Pra nga 1 mijë persona të anketuar, 330 shqiptarë nuk përballojnë dot kostot e ilaçeve të cilat janë jashtë skemës së sigurimeve, duke nxjerrë shifra tronditëse për shëndetësinë shqiptare. Shqetësimet e qytetarëve për kostot e barnave, thotë Revista Monitor, vijnë në raport të drejtë me fondet që japin qeveritë për rimbursimin e barnave, duke theksuar se qeveria shqiptare jep nivelin më të ulët të fondeve për rimbursimin e barnave në rang europian, sipas statistikave të OBSH. Në listat e rimbursimit është një gamë e ulët e produkteve farmaceutike dhe qytetarët shpesh përdorin fondet e veta për blerjen e medikamenteve. Ndërkohë, problematikat me skemën e rimbursimit të barnave u pranuan edhe nga ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, e cila ishte ftuar në emisionin "Kafe Shqeto" në Syri TV. Ajo tha se qytetarët ankohen se barnat e rimbursueshme nuk kanë efektivitet, ndërkohë që qeveria nuk merr masa për këtë.

Ndërkohë, probleme me blerjen e ilaçeve, pas Shqipërisë, renditet Maqedonia e Veriut me 31% dhe Mali i Zi me 25%. Situata paraqitet më e mirë në Kosovë, ku vetëm 13% e qytetarëve nuk kanë pasur mundësi për blerjen e ilaçeve jashtë skemës së sigurimeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco