SYRI TV/ Skandal në varrezat publike të Kuçovë, hapen varre pa pasur rast vdekje

15:34, 22/09/2024
A+ Aa A-

Një skandal ka ndodhur së fundmi në varrezat publike të qytetit të Kuçovës, ku punonjës të një shërbimi funeral po hapin gropa varresh pa pasur asnjë konfirmim për shtetas që kanë ndërruar jetë. Ngjarja është denoncuar në polici nga një qytetar, i cili ngre dyshime se po bëhen pazare për vendin në varreza. Ndërkohë policia bën me dije se kanë nisur veprimet procedurale.

SYRI TV

Një ngjarje e paprecedentë po ndodh ditët e fundit në varrezat publike të qytetit të Kuçovës. Punonjësit e shërbimit funeral Piemvis, po hapin çdo ditë gropa varresh, pa pasur asnjë konfirmim për shtetas që kanë ndërruar jetë.

Deri më tani janë hapur 8 gropa varresh dhe siç duket nga pamjet, janë bërë matjet dhe është rrethuar vendi me spango për hapjen e 3 gropave të tjera. Në lidhje me këtë skandal ka qenë shtetasi Arben Polisi, ai që ka kallëzuar në polici rastin. Sipas tij është "turp i madh" që të hapen gropa masive pa vdekur askush, në mënyrë që më pas të bësh pazare për vendin.

Referuar ligjit 9220, datë 15.04.2004 pika 7 për "shërbimin funeral", përcaktohet qartë se shërbimet funerale kryhen me lejen e bashkisë dhe nga punonjësit e bashkisë. Për këtë arsye Arbeni  ka dërguar në bashki fotot për këtë skandal në varrezat publike të Kuçovës, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Pas kësaj ka njoftuar policinë dhe ka bërë kallëzim.

Edhe punëtorë të tjerë të varrezave pohojnë se hapja e gropave pa pasur asnjë "mort" është e turpshme.

Të kontaktuar nga mediat, burimet zyrtare të policies kanë konfirmuar se pas kallëzimit të bërë nga shtetasi Arben Polisi, shërbimet e policisë kanë parë gjendjen në vend dhe po kryejnë veprimet proçedurale në lidhje me rastin e denoncuar.

Përpos këtij fenomeni sa të shëmtuar, aq edhe të jashtëligjshëm që po ndodh në varrezat publike të Kuçovës, tejmbushja e varrezave me plehra në çdo cep dhe shembja e murit rrethues të tyre, janë të tjera problematika që shqetësojnë banorët, për të cilat po ashtu nuk është marrë ende asnjë masë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco