'Me duart tona': Romët që u detyruan të pastrojnë krimet e Serbisë në Kosovë

'Me duart tona': Romët që u detyruan të pastrojnë krimet e Serbisë në Kosovë

11:04, 20/09/2024
A+ Aa A-

Gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, punonjësit komunalë romë u detyruan të pastrojnë krimet e kryera nga forcat serbe, duke nxjerrë, bartur dhe shpërndarë me duart e tyre trupat e civilëve. Të etiketuar si bashkëpunëtorë të armikut, pas luftës, ata u bënë cak i hakmarrjes.

Nga Serbeze Haxhiaj, BIRN

Njëzet e pesë vjet më parë, Shyhrete Berisha u mor si e vdekur dhe trupi i saj, i plagosur, u tërhoq zvarrë duke e hedhur në një kamion mbi dhjetëra trupa të tjerë. Mes tyre ishin kufomat e burrit dhe të katër fëmijëve të saj. Por Shyhretja, në atë kohë 37 vjeçe, ishte ende gjallë.

“Duhet ta pastrojmë këtë vend”, kujton ajo të ketë dëgjuar një zë të thoshte, pak pasi forcat serbe vranë anëtarët e familjes së saj të ngushtë dhe të gjerë që i kishin mbledhur në një kafene në Suharekë. Serbët hodhën granata dore brenda duke vrarë 48 civilë. Shyhretja, kunata e saj, Vjollca, dhe djali nëntë vjeçar i Vjollcës, Gramozi, mbijetuan.

Ishte pasditja e 26 marsit 1999, dy ditë NATO-ja kishte nisur bombardimet që do t’i merrte 11 javë për të larguar forcat serbe nga Kosova dhe për të ndalur një valë masakrash dhe spastrimi etnik të shqiptarëve në Kosovë.

E shtrirë në kamion, e plagosur në krah dhe bark, Shyhretja kishte parë trupin e të birit, Altinit, dhe e kishte thirrur me zë të lartë, duke e bërë Vjollcën në mes të trupave të kuptonte se kunata e saj ishte gjallë. Ato kishin vendosur të hidheshin nga pjesa e pasme e kamionit, jo nga anët, që drejtuesit e kamionit të mos i shihnin në pasqyra. Por dikush i pa gjithsesi. Ishte Ali Gjogaj, një pastrues rom komunal, që ishte detyruar nga policia serbe të ndihmonte në fshehjen e kufomave.

“Më kujtohet se kishte romë aty, por nuk mbaja mend asnjë fytyrë”, thotë Shyhretja për BIRN në një bisedë përmes telefonit nga Gjermania, ku ajo jeton tani. “Pas luftës, ai (Gjogaj) më ndali në rrugë dhe më tregoi se më kishte bartur nga kafeneja dhe më kishte parë edhe në pasqyrë.”

Në të njëjtën ditë korriku të vitit 2002, Shyhretja dhe Gjogaj të dy dëshmuan kundër ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, në gjykimin e tij në Tribunalin e Hagës, gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

“Nuk mund të them asgjë të keqe për të (Gjogajn)”, thotë Shyhretja.

Gjogajn, që vdiq në vitin 2016, e ndiqte si hije pas ajo që pa dhe bëri gjatë vitit 1999. Ai ishte një nga punonjësit komunalë romë e ashkali që ishin detyruar nga forcat serbe për të pastruar skenat e krimeve të tyre, duke zhvarrosur, bartur, ngarkuar e shpërndarë në varreza masive trupat e civilëve shqiptarë të Kosovës si pjesë e një përpjekjeje sistematike për të fshehur dëshmitë e krimeve serbe të luftës.

Pas luftës, disa nga ata dhe familjet e tyre u bënë shënjestër e sulmeve të shqiptarëve. Dhe kjo është historia e atyre, shumë prej të cilëve u larguan për të mos u kthyer më kurrë.

“Veç Zoti e din çka kam pa”

“Në prill dhe maj 1999, policia na çoi në një numër varrezash masive dhe vendesh ku ishin kryer vrasjet, për të mbledhur dhe ngarkuar kufomat në kamionë frigoriferikë. Ata u transportuan fillimisht në garazhe afër morgut në Prizren, pastaj në vende të tjera, ku u rivarrosën. Ne ndihmuam në Prizren, Rahovec, Suharekë, Lubizhdë, Korishë, Pastasel, Xërxe, Dushanovë dhe vende të tjera ku trupat do të varroseshin.”

Derisa po e bënte këtë punë, Gjogaj kishte bërë një hartë, duke shënuar varret e panjohura.

“Pas kësaj, më nuk munda të flija. Kisha vazhdimisht ankthe. Më duhej të punoja për të ushqyer familjen.”

Në vitin 2009, Gjogaj, në atë kohë 56 vjeç, foli në një intervistë me autoren e këtij shkrimi, pak pasi dëshmoi për herë të dytë në Hagë, në një kafene në Prizren, ku ai ende jetonte pavarësisht të paktën dy tentimvrasjeve.

Gjogaj kishte punuar në ndërmarrjen publike të quajtur “Higjiena”, një kompani pastrimi që kujdesej edhe për varrezat lokale. Kur filloi lufta, shumica e kolegëve të tij shqiptarë u pushuan nga puna ose e braktisën punën, duke i lënë romët pothuajse të vetëm.

Luljeta Braha, një zyrtare administrative shqiptare që vazhdoi të punonte gjatë luftës, thotë se ata nuk u paguan. “Na jepnin miell, vaj dhe sheqer. Ata që punonin në pastrim nuk kishin as mjete elementare pune.”

Natasa Kandiq, themeluese dhe drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, që për dekada ka dokumentuar krimet e luftës të kryera gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi thotë se shumica e romëve “kryen të gjitha llojet e punës së detyrueshme në Kosovë, përfshirë edhe varrosjen e trupave të shqiptarëve, kryesisht viktima të ekzekutimeve masive”.

Shumë nga romët apo ashkalitë i bënë këto punë kundër vullnetit të tyre nga frika e ndëshkimit ose të nxitur nga shpërblimet që mund të ndihmonin ata dhe familjet e tyre të mbijetonin. Megjithatë, kishte edhe vullnetarë në polici apo njësitë ushtarake serbe.

“Romët shpesh silleshin në vendngjarje menjëherë pasi ishin kryer ekzekutimet, ose ditë më vonë kur trupat kishin nisur të dekompozohen”, thotë Kandiq për BIRN. “Ata punuan pa maska, doreza apo pajisje të përshtatshme.”

Një nga kolegët e Gjogajt, Shefki Salihu, kujtoi një trokitje të fortë në derën e tij mesnatën e 6 prillit të vitit 1999. Ishte shefi i tij serb, Budimir “Buda” Spasiq.

“Ai më urdhëroi t’i shkoja pas, duke thënë se ishte diçka me shumë  rëndësi. Me të ishin kolegët e mi Aliu (Gjogaj), Mirsadi (Karce) dhe Isufi (Krasniqi). U nisëm drejt Suharekës dhe na ndalën në poligonin e qitjes në Lubizhdë. Na urdhëruan të mos shikonim pas apo përreth. Pamë vetëm trupat nga dritat e ndezura të automjeteve ushtarake.”

“Ushtria na urdhëroi të ngarkonim kufomat në një kamion. Ne nuk i kishim as uniformat tona dhe as doreza. Kishte rreth 80 trupa gati të dekompozuara që i ngarkuam me duar.”

Si një nga punëtorët e paktë komunalë romë të mbetur në Kosovë, që ishte detyruar nga forcat serbe për të pastruar krimet e tyre në vitin 1999, Salihu foli me autoren e këtij shkrimi më 12 janar 2020 në shtëpinë e tij në Prizren. Ai kishte 6 muaj që kishte dalë në pension. Dy ditë pasi foli, ai vdiq në moshën 61-vjeçare.

Isuf Krasniqi gjithashtu vdiq në vitin 2016.

“Veç Zoti e di çka kam parë”, pati thënë Salihu. “S’di si nuk jam çmendur. Të bartje trupat me duar. Ishte e rëndë. Kishte edhe fëmijë.”

Dy javë pas “pastrimit” të Lubizhdës, punëtorët e pastrimit ishin dërguar në Pastasel të Rahovecit, ku 119 civilë ishin vrarë më 31 mars.

“Në Pastasel, trupat kishin filluar të dekompozoheshin dhe ishin plot me krimba”, kujton Salihu. “Ata na sollën qese plastike për t’i futur trupat.”

Salihu tregoi se u përpoq të mbante shënime se ku varroseshin trupat. “Kam marrë shumë shënime gjatë prillit, por më nga frika i grisa shumicën e tyre”, tha ai. “Më vonë, më së shumti i gjetëm duke mbajtur  mend vendet ku ishin varrosur trupat, edhe kur ishte terr.”

“Po luftoja në aspektin mental dhe nuk mund t’i tregoja askujt se çka po më ndodhte”, tha ai.

Një natë nëntori të vitit 1999, 5 muaj pas përfundimit të luftës, babai i Gjogajt shkoi në shtëpinë e Salihut për ta thirrur për ndihmë. “Kur shkova në shtëpinë e tij, Aliu (Gjogaj) kishte hyrë nën lavaman të kuzhinës. Ai nuk mund të flinte nga ankthet. Gruaja e tij më tha se po bërtiste dhe thirrte me emër.”

“Rrobat e tij ishin gjithnjë të përgjakura”

Djali i Gjogajt, Hydajeti, tregoi për BIRN se i ati pinte shumë dhe vuante nga ankthi, tensioni i lartë i gjakut dhe problemet e tiroides.

“Ai filloi të pinte gjatë luftës”, thotë Hydajeti. “Në atë kohë isha shtatë vjeç dhe mbaj mend që ai mezi fliste ndonjë fjalë. Çka mbaj mend është se rrobat e tij ishin vazhdimisht me plot gjak. Ia lante motra jonë e madhe.”

“Ai vetëm dehej dhe binte. Vetëm më vonë e kuptuam pse pinte kaq shumë dhe pse ishte ai gjak në rrobat e tij.”

Ai thotë se që nga pranvera e vitit 1999, i ati “ndryshoi plotësisht”.

Në dëshminë e tij në Hagë, Gjogaj foli për hapjen e varrezave masive. “Një natë thanë: ‘Mos shkoni sonte në shtëpi’. Pastaj na dërguan në fshatin Shpenadi. Në një vendgrumbullim mbeturinash, gërmuam një gropë ku nxorëm rreth 20 trupa. Asnjë nga trupat nuk ishte me uniformë”, tha ai. “Plagët e plumbave ishin të dukshme në ata trupa që ende nuk ishin dekompozuar.”

Paslufta solli probleme të reja për Gjogajn dhe kolegët e tij. Shumë shqiptarë i shihnin romët si bashkëpunëtorë të serbëve dhe ata shpesh u bënë shënjestër hakmarrje nga njerëz të armatosur.

“Më kujtohet një natë Shefkiu (Salihu) më thirri sepse disa njerëz të armatosur kishin hyrë në shtëpinë e tij, duke i kërkuar të largohej”, thotë Besnik Kryeziu, një tjetër punonjës shqiptar i “Higjenës”. “Kur shkova atje, pashë njerëz që nuk ishin të UÇK-së, të paktën jo nga ky rajon. Ata ishin vetëm banda dhe grabitës me uniforma të UÇK-së.”

Disa ditë më vonë, teksa punonin në varreza, Gjogaj e Salihu u përballën sërish me njerëz të armatosur.

“Do t’ua presim kokat”, kujton Kryeziu që ata po u thoshin Gjogajt e Salihut. “Unë u thashë kërcënuesve të largohen shpejt.”

Duke shënuar dhe mbajtur mend se ku i kishin varrosur trupat, Salihu dhe Gjogaj më vonë ndihmuan disa familje shqiptare të gjenin trupat e të dashurve të tyre”, thotë Kryeziu për BIRN.

“Nga ata që gjetën trupat e familjarëve të tyre kishte edhe njerëz të UÇK-së”, tha ai. “Është turp sepse ata (Salihu e Gjogaj) vuajtën shumë. Ata ishin thjesht punëtorë. Askush nuk i pyeti nëse donin apo jo ta bënin atë punë.”

Një tjetër nga punëtorët romë të varrezave në Gjakovë, Gazmend Kryeziu, u largua nga Kosova për në Mal të Zi në qershor të vitit 1999. Duke kujtuar se si mblidhte dhe ngarkonte trupat në kamionë, tha ai për BIRN se ishte urdhëruar të shkonte me policinë: “Nuk më thoshin asgjë, vetëm t’i ndiqja. Shumica e trupave ishin në qytet dhe unë i ngarkoja vetëm në kamionë ose traktorë.”

Karce, një tjetër pastrues komunal, i komunitetit torbesh, pas luftës gjithashtu u largua nga Kosova për në Mal të Zi. Ai nuk pranoi të fliste për përvojat e tij gjatë luftës, duke thënë se gjithçka që dinte u kishte thënë prokurorëve të OKB-së.

Njëzet e pesë vjet më vonë, vragat e luftës dhe asaj që pasoi ende ndihen nga komuniteti rom i Kosovës.

“Mendoj se këto përvoja të luftës dhe të pasluftës ende sot ndikojnë në jetën e individëve në komunitetin rom”, thotë Isak Skenderi, një aktivist i të drejtave të njeriut dhe drejtor i OJQ-së në Prishtinë, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VoRAE).

Edhe Braha, si shqiptare, u stigmatizua për vite me radhë ngase kishte vazhduar të punonte gjatë luftës në ndërmarrjen “Higjiena”. Ashtu si kolegët e saj romë, Braha thotë se për një kohë të gjatë ajo u pa si “shërbyese e armikut”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco