9 të arrestuar në Tiranë/ U kapën duke luajtur poker në Sharrë

9 të arrestuar në Tiranë/ U kapën duke luajtur poker në Sharrë

08:19, 16/09/2024
A+ Aa A-

Nëntë persona janë arrestuar nga policia në kryeqytet në kuadër të operacionit “Joker”. Ata u arrestuan në kushtet e flagrancës duke organizuar lojëra fati në kundërshtim me ligjin, në një lokal në Sharrë.

Policia tha se ka sekuestruar 1 tavolinë pokeri me çipsa, aparate celulare dhe një pajisje DVR.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Joker”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:

– D. Xh., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, parashikuar nga nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal;

– O. M., 35 vjeç, E. H., 23 vjeç, A. Xh., 30 vjeç, L. Q., 22 vjeç, E. Gj. 33 vjeç, E. H., 24 vjeç, E. K., 33 vjeç, dhe J. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë duke luajtur lojëra fati në kundërshtim me ligjin, 9 shtetasit e arrestuar, në një lokal në administrim nga shtetasi D. Xh., në rrugën “Llambi Zeçishti”, në Sharrë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri me çipsa, aparate celulare dhe një pajisje DVR.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco