Dosja nr.2 që rrezikon të çojë në burg Rexhë Byberin. I dha pyllin kushëririt

Dosja nr.2 që rrezikon të çojë në burg Rexhë Byberin. I dha pyllin kushëririt

10:34, 10/09/2024
A+ Aa A-

Teksa kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe zv/kryetari Abedin Kërrnaja, është vënë në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ lidhur me abuzimin financiar prej 2 miliardë e 776 milionë lekë të vjetra për hapjen e një rruge vetëm 3.2 kilometër, një çështje e dytë vijon të mbetet e hapur në SPAK kundër dy kushërinjve Byberi.

Burime pranë SPAK thanë për gazetarin e ‘Ora News’, Elton Qyno se dosja e dytë bën fjalë për një kontratë qiraje të muajit gusht 2022, e firmosur mes kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe kushëririt të tij, Avni Byberi, e cila trajton pasurinë publike në zonën e Tropojës, si një çiflig personal të kësaj familje.

Janë 14 hektarë të ekonomisë pyjore, që prej vitit 2022 u ndanë në mënyrë të njëanshme dhe preferenciale mes dy kushërinjve Byberi.

Ku njëri përfaqëson dhe drejton interesin shtetëror në Bashkinë e Tropojës, ndërsa tjetri administron subjektin tregtar privat të ndërtimit ‘Byberi’.

Kjo është kontrata e plotë e qirasë, ku dy kushërinjtë kanë firmosur dhe vulosur, për administrimin e pronës publike, kundrejt një shume financiare prej 2 milionë e 68 mijë lekë të vjetra.

Sipërfaqja pyjore është dhënë për një periudhë kohe prej 9 vite dhe bie në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit të zyrtarë dhe funksionarëve publikë.

Ndarja e pasurisë publike, përmes përdorimit të formulës së nepotizmit, ku i zgjedhuri vendor Rexhë Byberi firmos për llogari të të afërmit të tij, ka çuar një grup banorësh të Tropojës, t’i drejtohet me një ankesë zyrës së Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.

Banorët kërkojnë nga ILDKPKI-ja të marrë masa ligjorë dhe penalizojë kryetarin e bashkisë, Rexhë Byberi, për shkak se në konflikt të hapur të interesit dhe në papajtueshmëri me detyrën, ka firmosur duke i dhënë fondin pyjor kushëririt të tij, Avni Byberi.

Më tej ky i fundit duke përdorur mjetet e transportit të rëndë të kompanisë së ndërtimit ‘Byberi’, ka hapur në këtë fond pyjor një gurore dhe ka instaluar impiant për prodhimin e betonit.

Image

Zona në fjalë është një fond pyjor i ekosistemit dhe i shërben për atraksione turistike.

Ndërsa kushëriri i Rexhë Byberit, ka vendosur të hapi një gurore, duke sjellë dëme të pariparueshme në mjedis.

Njëherësh të kërcënojë dhe veprimtarinë e bujtinave turistike që ndodhen për rreth fondit pyjor, ku është ngritur gurorja.

IKMT dhe Policia e Shtetit zhvilluan një aksion duke prishur ambientet e instalimit të impiantit të betonit në guroren e kompanisë ‘Byberi’.

Veprimi i policisë erdhi 1 vit më parë pasi dhjetëra banorë të zonës, ju drejtuan me një kallëzim penal prokurorisë së Posaçme SPAK, duke kërkuar ndjekjen penale të kryetarit të bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi për akuzat e ‘korrupsionit pasiv’, ‘Shkatërrimi i fondit pyjor’ dhe ‘Shpërdorimit të detyrës’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco