Operacionet ‘Tempulli’ nxjerrin në pah rritjen e konsumit të drogës edhe tek të miturit

Operacionet ‘Tempulli’ nxjerrin në pah rritjen e konsumit të drogës edhe tek të miturit

10:27, 09/09/2024
A+ Aa A-

Nga Erblin Vukaj*

Për 10 muaj Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 2300 persona ndërsa ekspertët ngrënë shqetësime për rritjen e konsumimit dhe trafikimit  të lëndëve narkotike në vend.

Artiel Çikopana u arrestua të martën e 17 tetorit të 2023 teksa shëtiste me makinë në zonën pranë gjimnazit ‘Raqi Qirinxhi’ në Korçë. 30-vjeçari ishte mes të parëve që policia arrestoi në  kudër të operacionit që ajo e pagëzoi ‘Tempulli’ mesin e vitit 2023.

Me synimin për të parandaluar depërtimin e lëndëve narkotike në shkolla, policia ka ndaluar dhe proceduar për trafikim lëndësh narkotike 2300 persona, mes tyre dhe të mitur.

Statistikat, ekspertët dhe raportet ndërkombëtare flasin për rritje të konsumimit të narkotikëve në vend, sidomos nga të miturit.

Ekspertët ngrenë shqetësimin se Shqipëria është kthyer edhe në vend konsumator ndërsa statistikat tregojnë se grupet kriminale kanë rrjete të gjera shpërndarësish në të gjithë vendin.

Raporti i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi përdorimin e substancave të palejuara mes adoleshentëve tregon për rritje nga 7% (2015) në 11% (2022) të numrit të minoreneve në Shqipëri, të cilët thonë se e kanë provuar së paku një herë kanabisin.

Rritja e shifrave të konsumimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike duket se ka inicuar operacionet e Policisë së Shtetit, drejtuesit e së cilës, në të paktën 4 konferenca për shtyp kanë bërë publike goditjen e 30 grupeve kriminale.

Ekspertët shprehen se autoritetet nuk duhet të mjaftohen me ndjekjen penale, por të bashkërendojnë masat ndëshkuese me veprimtaritë ndërgjegjësuese, edukuese dhe mbështetëse në mënyrë që të rinjtë dhe të miturit të kenë një rrugëdalje si nga përdorimi i drogës, po ashtu edhe nga përfshirja në krime.

Minorenët, ‘preja’ e trafikantëve

Operacionet ‘Tempulli’ Nxjerrin Në Pah Rritjen E Konsumit Të Drogës Edhe Tek Të Miturit 3

Arieli sapo ishte kthyer nga emigrimi kur të martën e 17 tetorit 2023 me miqtë e tij po shëtiste me makinë në zonën pranë gjimnazit ‘Raqi Qirinxhi’ në Korçë.

Me të zbritur nga makina një patrullë policie e thirri të ndalojë. I frikësuar, 30-vjeçari u përpoq të largohet, por nuk ia doli mbanë.

Gjatë kontrollit policia i gjeti një mbështjellje plastmasi me 1.2 gramë kanabis dhe një palë çelësa që hapnin një kthinë pranë ashensorit të pallatit. Brenda kthinës u gjet një kallëp prej 41.6 gramësh kokainë e ngurtësuar, dhe dy qese të tjera me 87.8 gramë kanabis.

Policia e njoftoi arrestimin e tij në kuadër të operacionit ‘Tempulli’, ndërsa Prokuroria dyshon se 30 vjeçari shpërndante lëndë narkotike pranë gjimnazit ‘Raqi Qirinxhi’.

Dokumentet tregojnë se Arlieli kishte rekorde të mëparshme. Deklarimi si përdorues droge e kishte shpëtuar nga burgu më 18 nëntor 2022, ndërsa tashmë përballet me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe nësë vërtetohet që ai është përsëritës, sipas kodit penal e pret një dënim me burg ‘nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet’.

Krahas tij, prokuroria ka kërkuar gjykimin për ‘moskallëzim krimi’ edhe të Sterjo Gërmenji, i cili shoqëronte me makinë Arielin në momentin e arrestimit.

Të rinjtë korçarë janë pjesë e më shumë se 2,300 personave që policia shqiptare procedoi penalisht nga shtatori i 2023 deri në korrik 2024, për shitje narkotikësh pranë shkollave dhe lokaleve në kuadër të operacioneve ‘Tempulli’.

SHTEG i kërkoi Policisë së Shtetit të dhëna të plota rreth operacioneve, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.

Në shtator 2023 policia tha se në fazën e parë të operacionit ‘Tempulli’ procedoi 1541 persona. Në janar 2024, u proceduan 299 të tjerë, ndërsa në maj dhe korrik, edhe 44 persona.

Përmes këtyre raportimeve policia tha se goditi 30 grupe kriminale dhe kapi mbi 1500 kg drogë, ku rreth 1400 kg ishin kanabis, pjesa tjetër kokainë, heroinë dhe ekstazi.

SHTEG shqyrtoi të gjitha raportimet e botuara për të paktën tetë muaj nga policia, ku deri në maj 2024 rezultoi të ishin raportuar edhe 388 persona të tjerë të proceduar kryesisht për posedim apo trafikim sasishë të vogla narkotikësh. Mes tyre kishte vajza dhe minorenë.

Përveç raporteve zyrtare të policisë, rritjen e ndjeshme të krimeve të lidhura me drogën e  konfirmojnë dhe studimet e Instituti i Statistikave. Në vitin 2019 kjo veprimtari zinte 5.6% të veprimtarive totale kriminale të evidentuara (1,989/35,210), ndërsa në vitin 2023 shifrat flasin për rreth 9% (3,046/33,845).

Mes të proceduarve rezulton se kishte dhe persona, të cilët u arrestuan me sasi të vogla narkotikësh apo që deklaroheshin si përdorues. Ligji shqiptar e përjashton konsumatorin nga ndjekja penale. Në vitin 2016 ndryshimet e Kodit Penal vendosën përjashtimin ‘e përdorimit vetjak dhe në doza të vogla’ nga shkelja penale apo administrative. Por pavarësisht kësaj policia dhe prokuroria vijon t’i dërgojë ata nëpër gjykata pasi legjislacioni nuk e ka të parashikuar specifikisht sasinë që konsiderohet dozë përdorimi vetjak.

Të dhënat tregojnë se prej tetë vitesh të dënuarit për krime në fushën e drogës zënë numrin më të lartë të të burgosurve. Dhe pse gjykatat shpesh herë vendos lirimin me kusht për të proceduarit për veprën penale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, rreth 30% nga 5169 të të burgosurve në mbarë vendin, rezultojnë të jenë dënuar për shkak të tregtimit të drogërave. Aksionet policore dhe masat ndëshkuese të drejtësisë nuk e kanë zbehur fenomenin e kultivimit dhe të trafikimit të lëndëve narkotike.

Që kur Lazarati u hoq nga harta e kultivimit të lëndëve narkotike, pas dy operacioneve policore të viteve 2014-2015, statistikat tregojnë, se i gjithë territori i vendit do të kultivohej me kanabis.

Mbi 213 hektarë plantacione të dyshuara me kanabis u raportua nga fluturimet e Guardia di Finanza për vitin 2016 teksa ndërhyrjet e policisë ishin ndër më të mëdhatë me rreth 2.5 milionë rrënjë të asgjësuara.

Fluturimet e Guardia di Finanza pikasën vetëm 28.5% të bimëve (25,719/90,175) që policia shqiptare asgjësoi gjatë vitit 2019, ndërsa në vitin e pandemisë, ish-drejtori i Policisë Ardi Veliu pranoi se tashmë kultivimi ishte zhvendosur në pyje apo zona të thella malore.

Për vitet 2020-2023 policia ka raportuar se ka asgjësuar 710,943 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, ndërsa të ashtuquajturat ‘shtëpi të barit’ u cilësuan shqetësuese nga ish-Drejtori i Policisë, Gledis Nano, i cili në vitin 2021 deklaroi se ‘askush nuk po e shikon’ këtë fenomen dhe kërkoi ndihmën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë për të pikasur dhe luftuar këtë mënyrë të re kultivimi.

Sfidat

Operacionet e vazhdueshme të policisë, shifrat e rritura të të proceduarve penalisht katër vitet e fundit, apo shpërhapja e plantacioneve në zona të tjera larg Lazaratit historik, janë tregues për ekspertët se Shqipëria po përballet me një sfidë të re, ku trafiku i drogës po hyn gjithnjë e më thellë në strukturën shoqërore dhe ekonomike të vendit. Ndërkohë që shqetësim nga ekspertët shihet rritja e përdorimit të lëndëve narkotike nga minorenët.

 ‘Shifrat e operacioneve policore janë të ngjashme me rezultatet e sondazheve të kryera nga OBSH ku në vitin 2022 rezultoi se në Shqipëri kishte më shumë minorenë se në vitin 2015 që e kanë provuar kanabisin,’-thotë për SHTEG sociologia Alisa Peçi.

Rritja e konsumimit të lëndëve narkotike tek të miturit sipas sociologes është shkaktuar nga ‘mungesa e kontrolleve të vazhdueshme për të luftuar tregtimin e narkotikëve pranë shkollave’, ndërsa për ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Becin, faktori kryesor ndikues është se

‘Shqipëria mbetet vend prodhues i drogave të lehta dhe se trafikantët shqiptarë po zënë peshë në tranzitin e drogave të forta drejt Evropës’.

‘Policia dhe organet ligj-zbatuese duhet të kryejnë operacione të mirëfillta investigative për të mos goditur vetëm shpërndarësit e vegjël, por trafikantët dhe organizatorët e kësaj veprimtarie,’-tha Beci, tashmë avokat.

Sipas tij ky fenomen nuk mund të luftohet vetëm me policë. ‘Nëse familja nuk angazhohet , nëse shkolla nuk është në lartësinë e duhur, nëse shoqëria ‘nuk fle’ atëherë rezultatet do jenë shumë më të mira,’-vijon Beçi.

Sidoqoftë, sociologia Peçi, shpreson se operacionet policore të mund të frenojnë apo tkurrin të paktën kontaktet me të miturit duke ndikuar në dekurajimin e tyre në përfshirjen në trafik apo konsum të narkotikëve.

‘Parandalimi është gjithmonë më i mirë se sa kurimi, prandaj vlerësoj mjaft të rëndësishëm rolin edukativ që duhet të luajë familja, më pas shkolla, institucionet e tjera dhe media, si në edukimin e të rinjve, por edhe për të krijuar modele frymëzuese të atilla sa mund t’u japin alternativa adoleshentëve që të mos bien pre e grupeve kriminale dhe rrethit vicioz të konsumit të narkotikëve,’-sugjeroi sociologia Alisa Peçi. /Shteg.org

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco