SYRI TV/ Marklen Haka nuk doli nga vendi, dyshime për ‘lajmin’ e Dubait

14:12, 07/09/2024
A+ Aa A-

Policia e Tiranës i konfirmoi masën e arrestit Klajdi Hakës, kushëririt të Marklen Hakës, pasi strehoi në banesën e tij këtë të fundit që ndodhej në kërkim ndërkombëtar. Klajdi Hakës iu gjet edhe një armë në banesë dhe pritet të përballet me akuzat. Sa i takon arrestimit të të shumëkërkuarit Marklen Haka, burime nga DVP Tiranë, konfirmuan se nuk ka rezultuar që 33-vjeçari nga Nikla, nuk kishte hyrje-dalje në pikat kufitare të vendit kohët e fundit. Kjo ngre dyshime mbi të dhënat e publikuara më parë mbi arrestimin e tij në Dubai, ndërsa ai strehohej në bazën e njohur të Hakajve në Fushë-Krujë

SYRI TV

Marklen Haka, i shumëkërkuar nga drejtësia si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, nuk u kap i vetëm të premten e 6 qershorit në Nikël të Fushë-Krujës, vend ku edhe banon. Bashkë me të ndodheshin edhe dy shtetas të tjerë, njëri prej të cilëve Klajdi Haka, që strehonte personin në kërkim. Në banesën e tij, u gjet bashkë me Marklen Hakën edhe një armë zjarri, teksa këtë të shtunë në mëngjes, edhe atij iu komunikua arresti për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë një tjetër kushëri i Marklen Hakës që u shoqërua të premten, u la i lirë pas verifikimeve përkatëse.

Burime nga Drejtoria Policore e Tiranës konfirmuan se për Marklen Hakën ka pasur disa herë sinjalizime për vendndodhjen e tij në Shqipëri, dhe se të paktën nga verifikimet paraprake nuk rezulton të ketë ndonjë hyrje ose dalje me emrin e tij nga territori shqiptar.

Rreth 2 muaj më parë, qarkulluan lajme për ndalimin e tij në Dubai, për shkak të urdhër-arrestit nga Shqipëria, por me këtë shtet, sipas informacioneve të marra jozyrtarisht nga Policia e Tiranës, nuk konfirmohet të ketë pasur një shkëmbim të tillë informacioni lidhur me 33-vjeçarin nga Nikla.

Haka pritet të dalë para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë që muaj më deri në arrestimin e tij ka qenë arrest në burg në mungesë, për të paktën 7 vepra kriminale, nga vrasje e mbetur në tentativë, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal e armëmbajtje pa leje.

Një nga akuzat më të rënda, është ajo që lidhet me bisedat e zbardhura nga aplikacionet SKY, ku Haka kryen veprime aktive për eliminimin fizik të Durim Bamit, një bashkëfshatari të tij, me porosi të ish-deputetit Arben Ndoka dhe përfshirje të Emiljano Shullazit nga burgu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco