SYRI TV/ Shqipëria vendi më i goditur nga emigracioni, IOM: Shkak korrupsioni, papunësia, pagat e ulëta

17:23, 27/08/2024
A+ Aa A-

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin në raportin global për vitin 2024 rendit Shqipërinë si një nga vendet me të goditura nga emigracioni.

Shkak për largimin veçanërisht të të rinjve është mungesa e punësimit, pagat e ulëta si dhe korrupsioni. 

IOM vë në dukje se mijëra të rinj shqiptarë kanë bërë udhëtime të vështira për të arritur në Europën apo edhe ne Mbretërinë e Bashkuar duke rrezikuar edhe jetën.

SYRI TV

Shqipëria dhe Moldavia janë vendet më të goditura në Europë nga niveli i lartë i emigracionit në raport me popullsinë, vuri në dukje Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) në raportin global për vitin 2024.

Kryesisht, për shkak të mungesës së perspektivës së punësimit me paga dinjitoze, shumë njerëz janë larguar për të punuar në Europën Perëndimore dhe Veriore.

“Vende të tilla si Shqipëria dhe Republika e Moldavisë janë disa nga më të goditurat; rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë, për shembull, vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit, duke kontribuar në ikjen e trurit, duke ushtruar presion mbi industritë dhe ekonomitë vendase që vazhdimisht humbasin punëtorë si në sektorët me kualifikim të ulët, ashtu edhe në atë të lartë”, vuri në dukje IOM.

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin rendit si arsye normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsionin dhe klientelizmin e konsiderueshëm që kanë ndikuar në vendimet e njerëzve për t’u larguar nga vendi ynë.

IOM vë në dukje se mijëra të rinj shqiptarë kanë bërë udhëtime të vështira për të arritur në Europën Veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku shumë prej tyre rrezikojnë jetën duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla ose me gomone.

Në dekadat e ardhshme, migrimi do të jetë nxitësi i vetëm i rritjes së popullsisë në vendet me të ardhura të larta vë në dukje IOM teksa do të jetë shkaktar kryesor i rënies së popullsisë në vendet e varfra dhe ato në zhvillim.

Emigracioni në Shqipëri vijon me ritme të larta në dekadën e tretë të tranzicionit. Ritmet e ikjes u forcuan edhe më tej në dekadën e fundit në vend që të pakësoheshin, duke vënë në vështirësi ekonominë shqiptare dhe perspektivën afatgjatë të vendit.

Diaspora shqiptare jashtë vendit ka arritur në mbi 1.6 milionë persona dhe kjo është sa 66% e popullsisë që jeton në vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco