SYRI TV/ Darmen Keli me masë sigurie arrest në burg: Nuk doja ta vrisja Amarildon, më goditi me grusht

17:22, 27/08/2024
A+ Aa A-

 

Darment Keli, 25-vjeçari që vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin disa ditë më parë në Tiranë u la në burg nga gjykata për vrasje me dashje. Autori i dyshuar dhe avokati i tij këmbëngulën se vrasja ka ndodhur në kushtet e tronditjes së rëndë psikologjike dhe se nuk ka patur qëllim  ta vriste Hoxhallarin. Keli tha në gjykatës se doli për tu sqaruar kur konstatoi viktimën që i ngacmonte bashkëshorten, ndërsa Hoxhallari sipas tij e ofendoi dhe goditi. Arrest në burg u caktua edhe për shokun e viktimës që e shoqëronte me motor.

SYRI TV

Me kokën ulur dhe duke shprehur pendesë për krimin, Darment Keli doli para Gjykatës së Tiranës, ku iu komunikua arresti në burg për vrasje me dashje të Amarildo Hoxhallarit në Astir. Para togave të zeza, Keli tha se e ka kryer vrasjen në kushtet e tronditjes së fortë, pasi viktima që pretendoi se i ngacmoi bashkëshorten, e ofendoi kur zbriti nga banesa madje shtoi ai, edhe më goditi.

“Nuk doja ta vrisja, as nuk e thërrita për të kryer ndonjë veprim të tillë. Zbrita nga banesa kur e pashë që ngacmonte bashkëshorten time. E pyeta se çfarë bënte, por ai përdori  një fjalor fyes dehe denigrues dhe më qëlloi me grusht. E kam kryer veprimin në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike. E kam goditur disa herë në krah dhe pastaj kam ikur në shtëpi. Jam i penduar, nuk kam dashur ta vras”.

Përveç Kelit, Gjykata la në burg për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt edhe shokun e viktimës Ardi Marishta. Ky i fundit tregoi se nuk është përfshirë në ngjarje dhe se ndodhej me Hoxhallarin duke lëvizur me motor, kur viktima i ka folur një vajze, dhe më pas ka nisur konflikti me bashkëshortin e saj. Marishta tha se pasi u plagos, Hoxhallari hipi në motor dhe kanë ecur rreth 500 metra kur shoku i tij u rrëzua nga mjeti duke përfunduar në asfalt.  Arben Gramo që mbron autorin në Gjykatë, kërkoi që vrasja të mos kualifikohet si me dashje por për shkak të tronditjes së rëndë psikologjike.

Ngjarja ndodhi në “Astir” mbrëmjen e së shtunës, ndërsa lidhur me pistat e hetimit ku u përmend që prej asaj dite e shkuara e viktimës, Gramo tha se mes klientit të tij dhe Hoxhallarit nuk ka patur asnjë njohje dhe se gjithçka ka qenë rastësore. Dyshohet se dy të rinjtë që udhëtonin me motor ishin nën efektin e alkoolit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco